Sejdiu, Hazirit: Si anëtar i cilës parti po flet?

Dardan Sejdiu i është kundërpërgjigjur Lutfi Hazirit i cili ka thënë në Magazinën Zgjedhore në Klan Kosova se organizata “Rrjeti i Aksionit për Kosovën – KAN” nga e cila rrjedh Lëvizja Vetëvendosje ishte organizatë shqiptaro-serbe.

Nënkryetari i Vetëvendosjes, para se ta akuzonte Lidhjen Demokratike të Kosovës për gati gjithçka të keqe që i ka ndodhur vendit nga paslufta, e ka pyetur nënkryetarin e LDK-së se “si anëtar i cilës parti po flet?”, duke aluduar në bashkëpunimet dhe koalicionet jo të pakta të LDK-së me Partinë Demokratike të Kosovës.

“Lidhja Demokratike është një nga partitë që e ka sjellur në këtë gjendje Kosovën, buzë greminës. Është ky subjekt që e ka mirëmbajtur PDK-në, është ky subjekt që nuk e nënshkroi kërkesën për t’u hetuar SHIK-u dhe është ky subjekt që e ka zgjedhur edhe Hashim Thaçin president edhe Kadri Veselin kryeparlamentar”, ka pohuar Sejdiu, njofton Klan Kosova.

“Prandaj këtyre s’u ka mbetur gjë tjetër veçse të shpifin”.

Më pas Sejdiu ka folur edhe për simbolet shtetërore, për të cilat analistët po thonë se Vetëvendosja e ka zbutur diskursin.

“Sa i përket simboleve, qysh nga 26 dhjetori i vitit 2013 ne kemi pasur simbolet shtetërore të vendosura aty ku kërkohet me ligj. Që të mos keqkuptohemi, këto simbole nuk përfaqësojnë kombin dhe orvatjen e përpjekjeve për liri”.

“Orvatja jonë është institucionale. Vetëvendosje kërkon mandat katërvjeçar për të zbatuar programin e saj që iu shërben gjithë qytetarëve. Vetëvendosje nuk ndryshon, edhe kur jemi fut në Kuvend kemi qenë të ngjashëm. Vetëvendosje është mjet për popullin që Kosova të ecë përpara”.