Haradinaj nga Gjakova: Këtij vendi do ia kthejmë dinjitetin e nëpërkëmbur

Kandidati për Kryeministër i koalicionit PDK-AAK-NISMA Ramush Haradinaj qëndrimin në Gjakovë e ka quajtur mburrje kënaqësi dhe triumf.

Ai para të pranishmeve aty, ka thënë se është i bindur se këtij qyteti, kësaj treve fisnikësh e bujarësh të vendit tonë, bashkërisht do t’ia kthejnë dinjitetin e nëpërkëmbur padrejtësisht nga të tjerët.

“Gjakova ishte dhe është bastioni krenar dhe i palëkundshëm i projektit tonë të përbashkët për një Kosovë shtet - shtet dhe të zhvilluar ekonomikisht”, është shprehur Haradinaj.

Postimi i tij:

 Gjakovës nuk i falë mashtrimet!

Mburrje, kënaqësi, triumf është qëndrimi në Gjakovë. Kjo ndjenjë nuk është vetëm e sotme, por e përhershme.

Gjakova e burrave të mëdhenj, e rinisë së guximshme të “djemve të asfaltit” e sa e sa vajzave dhe djemve të kësaj treve që iu falën lirisë e atdheut, gjithmonë ishte kjo që është - krenare dhe e padorëzuar kurrë.

Jam i bindur se këtij qyteti, kësaj treve fisnikësh e bujarësh të vendit tonë, bashkërisht do t’ia kthejmë dinjitetin e nëpërkëmbur padrejtësisht nga të tjerët.

Gjakova ishte dhe është bastioni krenar dhe i palëkundshëm i projektit tonë të përbashkët për një Kosovë shtet - shtet dhe të zhvilluar ekonomikisht.

Unë e di se çka duhet të bëjmë për ta rivendosur Gjakovën aty ku e ka vendin, për ta rikthyer dinjitetin e qytetit dhe qytetarit të këtij qyteti. E shoh këtë dhe e ndjej, pikërisht në projektin në të cilin u bashkuam të gjithë, si mundësinë më të mirë për të arrituar objektivat tona për qytetin e Gjakovës dhe gjithë Kosovën.

Gjakova e heroizmave të mëdhenj, punës, kulturës dhe qytetarisë së vjetër, do të ketë sërish vendin e merituar në ballë të shtetit tonë.

Ne do ta ribëjmë Gjakovën. Garant jam unë. Garant jemi secili prej nesh, në projektin e përbashkët për fillimin e ri të Kosovës.