Kolegji ndërkombëtar IBCM mbyllet në korrik, MASHT-i nuk pagoi 600 mijë euro

Kolegji ndërkombëtar IBCM në Mitrovicës do të mund të mbyllet në korrikun e këtij viti, nëse Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës nuk i paguan 600 mijë euro, sipas një marrëveshje që kanë arritur organizata jofitimprurëse SPARK, si themeluese e kolegjit dhe MASHT-i, sipas të cilës MASHT-i është zotuar se do ta mbështes kolegjin financiarisht me nga 600.000 euro në vit.

Kjo është bërë e ditur të marten, pasi që një grup i studentëve kanë takuar kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtiri, nga i cili kanë kërkuar që të ndikojë tek niveli qendror që marrëveshja të zbatohet dhe problem të zgjidhet, raporton "Zeri.info".

“Organizata jofitimprurëse, SPARK, si themeluese e kolegjit, ka pasur një marrëveshje me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës për mbështetje financiare në shumë prej 600.000 euro në vit, por që kjo shumë, për shkaqe procedurale deri tash nuk është alokuar dhe poqese kjo nuk bëhet shumë shpejt, atëherë kolegji në korrik të këtij viti rrezikon të mbyllet”, u kanë thënë studentët Bahtirit.

E për të mos ndodhur një gjë e tillë, me ç’rast 216 studentë dhe 40 anëtarë të stafit të kolegjit do të pësonin, ata kanë takuar kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtiri, për të kërkuar nga ai që në biseda me qeveritarët e Kosovës të bëj[ përpjekje për të ndihmuar që kolegji të mos mbyllet.

Kryetari Bahtiri shprehu keqardhjen e tij për situatën e krijuar dhe për shqetësimin e tyre dhe premtoi se do të bëjë përpjekje që problemi të zgjidhet.

“Unë nuk kam kompetenca dhe mundësi për të i’iu ndihmuar financiarisht, por  mbështetja ime për të zgjidhur këtë problem nuk do të mungojë. Sigurisht se do të bisedojë me drejtuesit më të lartë të institucioneve qeveritare për t’u shpjeguar gjendjen në të cilën ndodhet kolegji dhe për të kërkuar nga ata derdhjen e mjeteve të parapara me marrëveshje, në mënyrë që kolegjit mos të mbyllet”, siguroi kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri. /ZËRI/