Hajnat vodhën për herë të tretë familjen Fazliu nga Shtimja (Video)

Shtëpia e Familjes Fazliu në Shtime është thyer e plaçkitur për herë të tretë. Hajnat po vjedhin në këtë shtëpi pasi që pronarët nuk jetojnë në Kosovë. Kësaj radhe hajdutët demoluan edhe kamerat e sigurisë.

Siguri nuk ka për familjen Fazliu në Shtime. Është hera e tretë që hajnat po e vjedhin shtëpinë e tyre pasi pronarët gjenden jashtë vendit. Kësaj radhe hajnat demoluan edhe kamerat e sigurisë.

“Në tana anët është bërë hallakamë por këtu është bërë më shumë. I kanë thy dyert dhe kanë vjedh ari qysh kanë vjedh në fillim, apët domethanë për herë të tretë”, tha për Klan Kosovën një anëtar i familjes Fazliu.

Ende nuk dihet saktë se çfarë është marrë nga ata pasi që kjo familje jeton jashtë vendit.

“Djali i axhës është duke ardhë prej Zvicrës, tha se ai e di se çka ka pas dhe pastaj do të jap informacion ma të hollsishëm”, theksoi ai.

Për të hyrë në shtëpi hajnat thyen dyer e dritare. Madje demoluan edhe kamerat e sigurisë.

Duket se hajnat patën kohë edhe për qejf derisa vodhën shtëpinë.

“E kanë marrë mishin në frigorifer edhe e kanë lënë te tavolina këtu dhe kanë hangër dhe kanë dalë. Domethënë paraprakisht kanë pushu pak”, thonë familjarët.

Për rastin menjëherë u njoftua policia.

“Ata hetuesit i kemi thirr në orën 11:00 e tash ora është 16:00 e tashti kanë ardhë”, tregojnë familjarët.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt Agim Gashi konfirmoi se kjo shtëpi është plaçkitur për herë të tretë.

Ai tha se pas marrjes së të dhënave nga hetuesit në teren do të punojnë në kapjen e keqbërësve. /KlanKosova/