Kush e ka mërzitur aq shumë Besart Berishën?

Besart Berisha ndihet i mërzitur pasi ekipi i tij, Melbourne Victory, dështoi ta fitojë titullin e kampionit pasi humbi në finalen e madhe me penallti nga Sydney FC.

Ai thotë se fati nuk ishte në anën e ekipit të tij derisa e shënoi golin e avantazhit të përkohshëm të dielën, raporton zeri.info.

“Penalltitë janë fat. Është mjaft e rëndë dhe e vështirë, posaçërisht kur luan në udhëtim dhe të gjithë tifozët të vërshëllejnë dhe kontestojnë”, ka thënë fillimisht sulmuesi prishtinas.

“Duhet të keni fat në këto raste dhe Sydney pati. Për mënyrën se si luajtëm, nuk mund ta kritikoj askënd. Ishim mirë dhe jam krenar me të gjithë”, shtoi ai.

Berisha e mbylli sezonin me 21 gola të shënuar. Ai ka shënuar në çdo finale.

“Jam i lumtur që gjithmonë mund ta ndihmoj ekipin. Është puna ime si sulmues të shënoj gola. Në këto ndeshje janë momentet e rëndësishme kur kam nevojë të jem aty për ekipin tim”, përfundoi Berisha. /Zëri/