LDK përshëndet deklaratën e Ambasadës amerikane

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar zyrtarisht, nëpërmjet një komunikate për media, pasi Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar një deklaratë për t'i bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që ta ratifikojë sa më shpejt demarkacionin.

"Lidhja Demokratike e Kosovës përshëndet Deklaratën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës që Kuvendi i Kosovës ta ratifikojë Marrëveshjen për shënjimin e kufirit me Malin e Zi", thuhet në komunikatën e LDK-së.

"Lidhja Demokratike e Kosovës është angazhuar në vazhdimësi për ratifikimin e kësaj marrëveshje të rëndësishme për sovranitetin e shtetit, për lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe për proceset tjera vitale për të ardhmen e vendit. Në këtë kuadër, Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së në mbledhjen e fundit, pa asnjë votë kundër ka mbështetur ratifikimin, duke kërkuar nga deputetët të saj që të votojnë pro kësaj marrëveshje të rëndësishme për perspektivën euroatlantike të vendit", ka thënë LDK.

Sipas LDK-së, gatishmëria e plotë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa është demonstruar edhe sot, me ç’rast Qeveria ka qenë e gatshme që ta procedoj në Kuvend këtë marrëveshje, por që pas diskutimeve të partnerëve të koalicionit u arrit dakordimi që Qeveria e Kosovës ta procedoj marrëveshjen e demarkacionit menjëherë pas seancës së Kuvendit që do të mbahet të mërkurën.

"Lidhja Demokratike e Kosovës dhe të gjitha forumet e saj, i bëjnë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të votojnë për ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin shtetëror me Malin e Zi, duke pas parasysh argumentet e plota se vija e kufirit e caktuar me marrëveshje është e shënuar në mënyrë korrekte, gjë që është konfirmuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, partneri kryesor strategjik i Republikës së Kosovës", thuhet në komunikatën e LDK-së.