Maqedonia, skenar i përgatitur

Ekspertët e sigurisë në Kosovë e në Maqedoni nuk e përjashtojnë përshkallëzimin e mëtutjeshëm të situatës. Sipas tyre, situata mund të përkeqësohet edhe më tutje në qoftë se liderët partiakë vendosin interesat personale para vendit

Përshkallëzimi i situatës në Kuvendin e Maqedonisë para dy ditësh pas zgjedhjes së Talat Xhaferit, kryeparlamentar, konsiderohet të ketë qenë i parapërgatitur. Kështu së paku thonë njohësit e çështjeve politike në Maqedoni, të cilët vlerësojnë se pas tërë kësaj vetëm bashkësia ndërkombëtare mund ta sjellë një zgjidhje. Nga ana tjetër, ekspertët e sigurisë në Kosovë e në Maqedoni nuk e përjashtojnë përkeqësimin e situatës. Sipas tyre, situata mund të përshkallëzohet edhe më tutje në qoftë se liderët partiakë vendosin interesat personale para vendit.

Nga ana tjetër lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, i cili ditën kur ndodhi incidenti u lëndua deri në përgjakje, ka thënë se tensionimi i situatës ka pasur të bëjë me tentim të menduar për vrasje. Ndërkohë, lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, ka fajësuar LSDM-në për një gjë të tillë. Pavarësisht kundërshtimeve, Xhaferin për kryetar Kuvendi tashmë e ka njohur faktori ndërkombëtar. Gjatë incidentit të fundit në Kuvendin e Maqedonisë u lënduan disa deputetë, kryetarë partish e gazetarë.

Zaev: Sulmi në Kuvend ka qenë tentim për vrasje

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, gjatë ditës së djeshme ka thënë se dhuna që ka ndodhur në Kuvend ka qenë e iniciuar nga ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski.

“Dhuna që ndodhi dje nuk është vlerë demokratike. Dhuna mbi gazetarët është e iniciuar nga Nikolla Gruevski, Ivanovi, Vlenaovski, Çavkovi dhe bashkëpunëtorë të tyre, të cilët i prek ajo që po vjen - drejtësia. Ato që ndodhën mbrëmë janë rezultat i mbetjeve të regjimit që po shërbehet. Ngjarjet e djeshme ishin test për vendin dhe për të gjithë qytetarët”, ka deklaruar Zaev. Ndërkohë ka konsideruar se sulmi i ndodhur para dy ditësh ka qenë kryekëput tentim i menduar për vrasje.

Nga ana tjetër, i pari i VMRO-DPMNE-së ka fajësuar LSDM-në për situatën e krijuar.

“Dhuna nuk është zgjidhje dhe është e nevojshme qetësim i situatës. Thërras për qetësi. Populli të mos bie pre e provokimeve të LSDM-së dhe të atyre që duan ta fusin Maqedoninë në një krizë edhe më të thellë dhe ta plotësojnë skenarin e tyre”, ka thënë Gruevski.

SHBA-ja pranon Xhaferin për kryeparlamentar

Nga ana tjetër Ambasada e SHBA-së në Maqedoni pak pas zgjedhjes së deputetit shqiptar Talat Xhaferit në krye të Kuvendit ka bërë të ditur se e njeh atë si kryeparlamentar.

“Një shumicë e deputetëve zgjodhën Talat Xhaferin si kryetar të Parlamentit gjatë një seance të rregullt, në të cilën dëshmitarë ishin edhe zyrtarë publikë e mediet. Ne do të punojmë me të që ta përkrahim demokracinë dhe t’i çojmë përpara interesat e Maqedonisë”, thuhet në njoftimin e SHBA-së.

Kurse përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe për Siguri, Frederica Mogherini, ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me situatën e krijuar në Kuvendin e Maqedonisë para dy ditësh.

“Ajo që pamë dje në Shkup është veçanërisht shqetësuese dhe shumë e trishtuar për të gjithë ne. Dhunën gjithmonë e vlerësojmë të papranueshme, aq më tepër kur kjo ndodh në një shtëpi të demokracisë - në Parlament. Ne besojmë se të gjithë në Shkup duhet t’i ndjekin parimet e kushtetutës, të demokracisë dhe të përpiqen për ta nxjerrë vendin nga kjo krizë e rëndë, e cila mund të jetë e rrezikshme”, ka deklaruar Mogherini.

Ndërkohë, pas situatës së krijuar ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Agim Nuhiu, ka bërë të ditur se do të kërkojë dorëheqjen nga ky post.

“Ndiej përgjegjësi morale për këtë periudhë katërmujore, aq sa jam në krye të MPB-së, nuk arrita ta mënjanoj politikën nga struktura udhëheqëse në MPB. Do të kërkoj tërheqjen time nga posti i ministrit të Brendshëm. Normalisht kjo lidhet edhe me ngjarjet e mbrëmshme”, ka thënë Nuhiu në një konferencë për medie.

Mehmeti: Nuk përjashtohet përshkallëzimi i mëtejshëm i situatës

Nga ana tjetër analisti politik në Maqedoni, Ibrahim Mehmeti, ka vlerësuar se përshkallëzimi i situatës ka qenë një skenar i parapërgatitur.

“Sipas meje, ky është epilogu i një skenari të parapërgatitur kohë më parë dhe i realizuar në një moment, të cilin akterët kryesorë e kanë paralajmëruar që nga fillimi i protestave të ashtuquajtura ‘për Maqedoni të përbashkët’. Ajo që ndodhi mbrëmë në Parlamentin e Maqedonisë paraqet dështim të shtetit dhe të institucioneve të saj, para së gjithash mendoj për policinë, e cila ka për detyrë ruajtjen e rendit dhe në veçanti sigurimin e mirëvajtjes së punës së Parlamentit”, ka deklaruar ai për gazetën “Zëri”.

Sipas Mehmetit, e mira e tërë kësaj situate është se LSDM-ja qëndron në përputhje me rendin demokratik.

“E mira është se edhe partia e dytë më e madhe maqedonase në Parlament, LSDM-ja, qëndron në vijën e ruajtjes së rendit demokratik, aq sa është e mundur në këtë situatë jonormale. Shqiptarët edhe kësaj radhe rrugëdaljen e shohin në intervenimin e faktorit ndërkombëtar, para së gjithash të BE-së dhe të SHBA-së”, ka shtuar Mehmeti.

Ai më tej ka konsideruar se përshkallëzimi i situatës së mëtejshme nuk mund të përjashtohet.

“Për fat të keq, përshkallëzimi i mëtutjeshëm i situatës nuk mund të përjashtohet, por kjo do të varet nga hapat që do t’i ndërmarrë shumica parlamentare e përberë nga LSDM-ja dhe nga partitë shqiptare. Pa dyshim se edhe kësaj radhe qëndrimi i faktorit ndërkombëtar do të jetë gjithashtu shumë i rëndësishëm”, ka potencuar Mehmeti.

Hajdari: Skenarin e Kuvendit e paralajmëruan Gruevski dhe Ivanovi

Ndërkaq analisti politik në Maqedoni, Fejzi Hajdari, ka vlerësuar se para dy dite në Kuvend u realizua skenari për të cilin kishte paralajmëruar ish-kryeministri Nikolla Gruevski dhe presidenti Gjorgje Ivanov.

“Në fakt, në Parlamentin e Maqedonisë u realizua më në fund skenari për të cilin tanimë një kohë të gjatë po paralajmëronte ish-kryeministri Nikolla Gruevski dhe presidenti i Maqedonisë Gjorgji Ivanov. Mbrëmë ndodhi turpi më i madh, një akt i shëmtuar terrorist që u realizua me anë të njerëzve të maskuar që hynë në Parlament pa u penguar fare nga sigurim i paktë”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Sipas Hajdarit, atë ditë nuk kishte institucione sepse po të kishte, sipas tij, dikush do t’i mbronte deputetët dhe liderët partiakë që sulmoheshin.

Ai më tej ka vlerësuar se përshkallëzimi i situatës nuk ka ardhur nga zgjedhja e një shqiptari në krye të Kuvendit, por për të tjera arsye.

“Nuk mendoj se përshkallëzimi ishte pasojë e zgjedhjes së shqiptarit për kryeparlamentar, aq më pak që kryeparlamentari vinte nga partia BDI, që në njëfarë mënyrë është edhe përgjegjëse për përshkallëzimin e situatës sepse është pjesë e qeverisë, si dhe pikërisht kuadri i BDI-së Agim Nuhiu është ministër i Punëve të Brendshme. Mendoj se pas këtij incidenti - sulmi ndaj institucioneve legjitime, faktori ndërkombëtar do të duhet të ketë qasje shumë më aktive dhe më serioze në gjetjen e zgjidhjes nga kjo krizë e thellë politike”, ka potencuar ai, me ç’rast ka thënë se pikërisht faktori ndërkombëtar mund ta sjellë zgjidhjen.

Matoshi: Maqedonia nuk mund të ekzistojë pa shqiptarët

Kurse publicisti nga Kosova, Halil Matoshi, ka vlerësuar se Maqedonia nuk mund të ekzistojë si shtet pa shqiptarët, me ç’rast ka theksuar se edhe SHBA-ja e njohu zgjedhjen e Talat Xhaferit si kryetar Kuvendi.

“Ky akt është vetëm manifestim publik i një procesi të filluar që me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit dhe dëshmon se ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (FYROM) nuk mund të ekzistojë si shtet pa shqiptarët etnikë, të cilët duhet të kenë të drejtën e vetos në shtet. Përndryshe, këtë akt e njohu edhe SHBA-ja si të ligjshëm”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, shpërthimi i etnonacionalizmit maqedonas po e kërcënon sovranitetin e shtetit dhe përplasjen e shoqërisë maqedonase, të nxitur nga urrejtja patologjike ndaj shqiptarëve.

Por, sipas Matoshit, nëse shqiptarët nuk pranohen si shtetformues, Maqedonia mund të shkojë drejt ndarjes etnike.

“Nëse shqiptarët nuk pranohen si shtetformues, atëherë mund të ndodhë ndarja etnike, përkatësisht Maqedonia mund të ruhet vetëm si shtet bietnik, si Belgjika. Porse, nëse maqedonasit sllavë nuk heqin dorë nga patologjia shoqërore, shteti edhe mund të shpërbëhet fare”, ka potencuar ai.

Matoshi më tej ka thënë se shqiptarët duhet të sillen sipas standardeve demokratike, si dhe ta mbrojnë shtetin maqedonas, që është edhe i shqiptarëve.

“Kjo do të thotë se shqiptarët duhet të mos provokojnë, por as të mos dorëzohen para kësaj vorbulle klerofashiste të Gruevskit. Ata duhet të vazhdojnë të bashkëpunojnë ngushtë me partinë e Zoran Zaevit, porse gjithnjë duke qenë unikë dhe të organizuar mirë në mbrojtje të vetvetes”, ka shtuar ai.

Gazetari shqiptar nga Maqedonia: Me sytë e mi pashë gjithë terrorizmin

Nga ana tjetër kryeredaktori i gazetës “Lajm” në Maqedoni, Xhenis Sulimani, i cili para dy dite kishte shkuar në Kuvend për të raportuar, ka treguar për “Zërin” se si kishte arritur të strehohej në momentin kur situata kishte dalë jashtë kontrollit.

“Me sy të mi pashë gjithë terrorizmin e ushtruar në Kuvend, fatmirësisht kam shpëtuar pa lëndime. Bashkë me kolegët kemi arritur të strehohemi nga njëra prej zyrave në Kuvend. Terroristët kanë demoluar gjithçka”, u shpreh ai gjatë bisedës.

Ai më tej ka treguar se situata kishte shkuar deri në atë masë, saqë njeriu më nuk ishte njeri. Përkundrazi, siç Sulimani thotë, ai kishte arritur nivelin e bishës.

“Dje kam parë se njeriu mund ta arrijë nivelin e bishës së egër. Pas 4 orëve njësiti special ka arritur që të na nxjerrë nga Kuvendi”, ka shtuar tutje ai.

Gazetari shqiptar nga Maqedonia gjatë këtij rrëfimi konsideron se siguria atë ditë kishte humbur betejën karshi personave që hynë në Kuvend dhe shkatërruan çdo gjë, e sulmuan kë gjetën përpara.

“Ajo që ndodhi dje në Kuvend është terrorizëm, është sulmuar shtëpia ligjvënëse, përfaqësuesit e popullit dhe gazetarët. Për një moment turma e popullit mori në dorë gjithçka, duke e mposhtur totalisht sistemin e sigurisë në vend. Paramendoni siguria humbi betejën me huliganët, me ç’rast pati pësime të mëdha”, ka treguar më tej ai.

Por pavarësisht këtyre, Sulimani është shprehur optimist se në Maqedoni do të ndodhë ndryshimi.

Selmani: Pritet që të komplikohet situata

Kurse Bashkim Selmani, njohës i çështjeve të sigurisë në Maqedoni, njëherësh profesor në Universitetin e Tetovës, ka vlerësuar se është pritur tensionimi i situatës.

“Shprehemi se është pritur një situatë e këtillë duke i analizuar qëndrimet e VMRO-së, udhëhequr nga nacionalshovinisti dhe rrënuesi i ekonomisë së IRJM-së (FYROM). Dhe pikërisht Kuvendi, kryetari dhe deputetë të kësaj partie ( LSDM-së) dhe z. Ziadin Sela dhe deputetët shqiptarë u sulmuan nga paramilitarët e Nikolla Gruevskit dhe partisë së tij, VMRO, të cilët kishin paralajmëruar një veprim të tillë në rast do të vihet në funksion dhe do të zgjidhet një kryetar Kuvendi një shqiptar”, ka deklaruar ai.

Selmani më tej nuk ka përjashtuar mundësinë që situata të përkeqësohet në ditët në vijim.

“Duke ditur qëndrimet e kësaj partie dhe veprimet e tyre të papërgjegjshme nacionalshoviniste dhe dyshimet nga krimet e bëra gjatë këtyre viteve të fundit, sa ata janë në pushtet, pritet që situata akoma më tepër të komplikohet, saqë të vihen në funksion edhe pretendimet e tyre nga ana e presidentit  Ivanov për tendencë për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme”, ka shtuar ai.

Madje, sipas tij, ekziston mundësia që të shkohet gjer aty, saqë të nxitet një konflikt ndëretnik në Maqedoni.

“Nga ana tjetër, nuk përjashtohet mundësia që të bëjnë edhe veprime më radikale për të nxitur konflikt ndëretnik dhe intraetnik vetëm e vetëm për të mos e dorëzuar pushtetin faktik dhe për ta pranuar humbjen e zgjedhjeve të fundit parlamentare që u mbajtën në dhjetorin e vitit të kaluar, ku dështuan në krijimin e shumicës parlamentare”, është shprehur ai gjatë një bisede për “Zërin”. 

Ramadani: Maqedonia nuk guxon të rrëshqasë në dhunë

Kurse Burim Ramadani, nga Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë, ka vlerësuar se situata në Maqedoni mund të përshkallëzohet nëse udhëheqësit që nxisin dhunë i shohin para vendit interesat personale.

“Situata e sigurisë në Maqedoni mund të përshkallëzojë nëse liderët dhunënxitës maqedonas nuk e shohin vendin e tyre mbi interesat personale”, ka deklaruar ai.

Por sipas Ramadanit, Maqedonia nuk guxon të shkojë drejt dhunës.

“Maqedonia nuk guxon të rrëshqasë në dhunë. Ky është parimi bazik të cilin duhet ta promovojnë liderët dhunënxitës maqedonas. Ai shtet duhet ta ketë të qartë se dhuna nuk e dëmton vetëm një etni dhe vetëm një pjesë të shtetit të tyre. Zgjedhja e Talat Xhaferit për kryetar të Kuvendit të Maqedonisë nuk duhet të shihet atje si një ngjarje e jashtëzakonshme. Pikërisht, kjo zgjedhje duhet të promovohet për të ndërtuar tolerancën dhe dimensionin shumetnik të Maqedonisë”, ka nënvizuar ai.