Finalizohet marrëveshja për sigurime sociale mes Kosovës dhe Zvicrës

Grupet punuese të Kosovës dhe Zvicrës ka përfunduar marrëveshjen për sigurime sociale mes dy vendeve.

Nga 24 deri më 27 prill 2017 në Prishtinë, u zhvillua raundi i dytë i negociatave për marrëveshje bilaterale në fushën e sigurimeve sociale në mes të Kosovës dhe Zvicrës.

Gjatë këtyre ditëve  sipas një komunikate të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale ( MPMS), palët arriten të finalizojnë marrëveshjen bazë për sigurimet sociale, marrëveshjen administrative për implementimin e marrëveshjes bazë, si dhe formularët e nevojshëm për implementimin e kësaj marrëveshje.

Palët negociatore u pajtuan që marrëveshjet e arritura të përafohen nga kryesuesit e grupeve të punës në fund të muajit maj në Bernë.

“Koha prej një muaji do të nevojitet që marrëveshja bazë, marrveshja administrative, si dhe formularët e dakorduar të përkthehen në gjuhët përkatëse, të kalojnë nëpër procedurat e nevojshme brenda shteteve përkatëse në mënyrë që të përafrohen në fund të muajit maj”, thuhet në komunikatë.

Pas kësaj do të kërkohet nga qeveritë e të dyja shteteve autorizimi për nënshkrimin e marrëveshjes. Në rast të autorizimit pritet që marrëveshja të nënshkruhet nga ministrat përkatës të të dy vendeve gjatë pjesës së dytë të vitit 2017 dhe pastaj të kalojë nëpër procedurat e brendshme të të dy vendeve për ratifikim.