Demarkacioni nuk kthehet në prill

Ndonëse është paralajmëruar nga vetë kryetari i Kuvendit procedimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi duket që as këtë muaj nuk do të dalë në votim para deputetëve. Kjo pasi kreu i ekzekutivit, Isa Mustafa, ka udhëtuar për në Bruksel ta lusë Bashkimin Evropian të ndërrojë mendje sa i përket demarkacionit, në mënyrë që Kosova të mos e humbë mundësinë për lëvizje të lirë në zonën Schengen.

E një arsye e dytë po shihet edhe mungesa e votave për kalimin e kësaj marrëveshjeje. Në Qeveri thonë se vendimi për kthimin e Marrëveshjes së Shënjimit të Kufirit me Malin e Zi do të merret pasi kryeministri Mustafa të kthehet në vend, shkruan sot, gazeta Zeri.

Nga ana tjetër, në Partinë Demokratike të Kosovës theksojnë se përgjegjësinë totale për kthimin e demarkacionit e ka kryekëput kryeministri Mustafa.

Ndërsa, ata që vazhdojnë të mbesin skeptikë në kalimin e Marrëveshjes së Demarkimit të Kufijve me Malin e Zi janë përfaqësues të opozitës në vend, të cilët insistojnë se kjo marrëveshje nuk do t’i ketë 80 votat e duhura.

Ndryshe, njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se demarkacioni nuk do të vijë as këtë muaj në Kuvend.

Këshilltari i kryeministrit Mustafa, Bajram Gecaj, ka thënë për gazetën “Zëri” se fati i Demarkacionit do të përcaktohet pas kthimit të shefit të tij nga Brukseli.

“Kur kryeministri Mustafa të kthehet do ta bisedoj këtë çështje me partnerët e koalicionit”, ka thënë Gecaj, derisa thotë se nuk ka informacione për datën e kthimit të kreut të ekzekutivit nga udhëtimi zyrtar në Bruksel.

“Nuk e di, kur të kthehet e marrim vesh”, ka theksuar Gecaj.

Sipas Gecajt, mosrespektimi i marrëveshjeve nuk e dëmton vetëm LDK-në.

“Mosrespektimi i marrëveshjeve dërgon sinjale negative dhe brengosëse për marrëveshjet në të ardhmen dhe atë jo vetëm tek partia jonë”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, në Partinë Demokratike të Kosovës theksojnë se për fatin e Demarkacionit përgjegjës është kryekëput kreu i ekzekutivit, Isa Mustafa. Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti, ka thënë se qëndrimet e subjektit të tij tashmë janë të ditura.

Tani, siç thotë ai, pritet veprimi i kryeministrit Mustafa.

“Ne po presim që kryeministri të merret tashmë jo vetëm me partinë e vet, por edhe me përgjegjësitë që i ka, edhe me Qeverinë, në mënyrë që ta sjellë marrëveshjen në Kuvend”, ka thënë Pajaziti.

Kurse në “Vetëvendosje” vlerësojnë se kjo marrëveshje do të hasë në rezistencë po qe se vjen para tyre.

“Unë uroj që kjo të mos ndodhë sepse ajo marrëveshje do të hasë në rezistencën tonë si brenda, po ashtu edhe jashtë”, ka thënë Albulena Haxhiu, deputete e këtij subjekti.

Në anën tjetër, në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës ironizojnë me premtimet e kryeministrit për kthimin e Demarkacionit në Kuvend.

Time Kadriaj, deputete e këtij subjekti, thotë se shefi i Qeverisë me fjalë çdo ditë po e dërgon Marrëveshjen për Shënjimin e Kufijve me Malin e Zi në Kuvend.

“Sa i përket Demarkacionit, Isa Mustafa me deklarime çdo javë po e sjell për votim. Arsyeja që nuk po e sjell është mungesa e votave”, ka thënë Tahiri, duke u shprehur e sigurt se Qeveria nuk i ka votat për Marrëveshjen e Demarkimit të Kufirit me Malin e Zi. “Qeveria nuk i ka votat për Demarkacionin dhe në këtë formë nuk do të kalojë”, ka përfunduar ajo.

Në anën tjetër Agon Maliqi, pjesëtar i shoqërisë civile, mendon që Demarkacioni duhet të vijë sa më shpejt para deputetëve për votim.

“Do të ishte e mirëseardhur që të paktën të sillet në Kuvend për votë dhe të kuptojmë se a kalon ose jo, sepse kemi humbur shumë kohë”, ka thënë Maliqi.

Sipas tij, institucioni legjislativ e ka për obligim të bëjë një hap të tillë. “Parlamenti e ka për borxh të paktën ta sjellë për votim dhe që deputetët të shprehen”, është shprehur tutje ai.

Ndryshe, më tej Maliqi cek se koalicioni ka probleme me sigurimin e votave për kalimin e Demarkacionit.

“Duket sikur akoma ka probleme me sigurimin e votave të mjaftueshme për Demarkacionin. Problemi duket se është te deputetët e LDK-së”, ka përfunduar Maliqi.

Derisa politologu Ramush Tahiri shprehet skeptik sa i përket kthimit të Marrëveshjes së Demarkacionit në Kuvendin e Kosovës.

“Nuk pres që Demarkacioni të vijë në Kuvend gjatë këtij muaji sepse Qeveria po i llogarit se nuk i ka votat e mjaftueshme ta kalojë këtë marrëveshje”, ka theksuar Tahiri.