Komuna e Prishtinës: MMPH s’mund të urdhërojë anulimin e lejeve ndërtimore në lagjen 'Mati1' (VIDEO)

Drejtoria e Urbanizmit në komunën e Prishtinës nuk do të ndalojë ndërtimet e banesave rreth rrugës “B” në lagjen “Mati1” në kryeqytet, pavarësisht se ministria e mjedisit dhe planifikimit hapësinor ka urdhëruar kuvendin komunal të Prishtinës të tërheqë planin rregullues të vitit 2011, pasi e cilëson si jo legjitim.

Drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit Liburn Aliu tha për Klan Kosovën se Inspektoriati i Ministrisë së Mjedisit nuk ka kompetenca ligjore të kërkojë anulimin e lejeve ndërtimore që janë dhënë në bazë të këtij plani rregullues.

Një gjë të tillë sipas Aliut e ka pasë vetëm ministria e pushtetit lokal por ajo brenda afatit të përcaktuar ligjor nuk e ka kundërshtuar e as dërguar në gjykatë këtë plan, dhe rrjedhimisht lejet ndërtimore të dhëna nga kjo drejtori janë ligjore.