Interesim i madh për studime në SHBA

Gjatë vitit të kaluar 235 studentë nga Kosova kanë shkuar për studime në Amerikë në nivelin bachelor, master dhe doktoratë, shkruan sot, gazeta Zeri.

Mbi 230 studentë kosovarë vetëm gjatë vitit 2016 kanë shkuar për studime në universitete të ndryshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA). Ndërsa me qindra të tjerë kanë aplikuar për studime në universitetet amerikane të hënën, në panairin universitar “EducationUSA”, i cili është hapur në Prishtinë. Ky panair që mbahet për herë të dytë në Kosovë ofron jo vetëm mundësi aplikimi, por edhe mbështetje me bursa për studentët të cilët aplikojnë dhe plotësojnë kriteret e parapara.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, ka takuar studentët në panair, si dhe përfaqësuesit e universiteteve amerikane që kanë ofruar shërbimet e tyre për aplikimin e studentëve kosovarë për studim në Amerikë. Delawie është shprehur i kënaqur për numrin e madh të studentëve, të cilët kanë shprehur interesim për studim në SHBA.

Erblir Kadriu, udhëheqës i Qendrës Amerikane për Këshillim, ka thënë se duke parë interesimin e madh të nxënësve dhe të studentëve kosovarë vitin e kaluar për të studiuar në SHBA panairi hapet për herë të dytë në Kosovë. “Vitin e kaluar aplikuan mbi 1500 studentë e nxënës kosovarë vetëm brenda një dite”, ka thënë ai.

Prandaj Kadriu tha se është hera e dytë që po organizohet ky panair. “Panairi është pjesë e një turneu që po organizohet në Evropën Juglindore. Këtë vit fillon me Kosovën dhe pastaj vazhdohet prej nesër në Shkup dhe me pjesë të ndryshme të rajonit”. Ai ka thënë se besimi në potencialin që kanë studentët ka ndikuar që ky organizim të shndërrohet në tradicional.

“Këtu kemi dhjetë përfaqësues që vijnë nga SHBA-ja për t’i prezantuar programet e tyre që kanë. Secili universitet ka laramani të madhe të programeve, por edhe ofron nivel të ndryshëm të studimeve, duke filluar prej bachelor, studimet master, doktoratë, si dhe post-doktoratë. Përveç informatave për programe akademike studentët dhe nxënësit nga Kosova sot do të mundnin të marrin informata, si dhe përgjigjen për bursa”, ka thënë Kadriu. Sipas tij, qëllimi është që të ndihmohen studentët t’i identifikojnë fakultetet në të cilat duan të studiojnë, si dhe mundësinë e bursave. “Fushat e studimeve, si dhe universitetet nuk kanë limit, janë të hapura”. Kadriu ka sqaruar se bursat jepen në bazë të meritës dhe sipas nevojës.

“Është mundësi për studentët nga Kosova që të studiojnë në SHBA. Ideja jonë është që pas përfundimit të studimeve të kthehen në Kosovë dhe të kontribuojnë në këtë vend”. Duke iu referuar statistikave të qendrës që udhëheq, Kadriu ka thënë se për pesë vjetët e fundit numri i të rinjve që kanë shkuar për studime në SHBA është rritur për 135 për qind. “Vetëm vitin e kaluar kemi rreth 235 studentë nga Kosova të cilët kanë shkuar në Amerikë, duke përfshirë nivelin bachelor, master dhe doktoratë”. Kadriu ka thënë se Qendra Amerikane për Këshillim është e hapur që të japë informata për studentët edhe në ditët në vazhdim. 

Ndërkaq Sidorela Bytyqi, studente në vitin e katërt të Juridikut, ka thënë se është interesuar për t’i ndjekur studimet për master në një universitet amerikan për drejtësi.

Ajo thotë se universiteti në Ohio ia dha mundësinë që mundet të aplikojë për master. “Dua të studioj në SHBA për shkak të cilësisë së studimeve dhe perspektivës që të hapet pastaj me diplomën amerikane”.

Studentja Bytyqi thotë se pas mbarimit të studimeve do të donte të kthehej në Kosovë për të dhënë kontributin e saj.