Martin Camaj për gjuhën

"Lexues të dashtun, âshtë e para herë që shprehem botnisht mbi këtë problem tejet të kapërthyem e të randuem nga faktorët gjuhësorë e jo gjuhësorë, d.m.th. shoqnorë e politikë. Askush prej lavruesve e letrarëve tanë sot as në të shkuemen nuk âshtë as nuk ka qenë kundër njësimit të gjuhës së shkrueme. Mosmar­rëveshja nis me pikëpamjen se si duhet bâ normalizimi. Metoda e ndje­kun prej 1952 e këndej ka krijue probleme thelbësore në lamën teorike e metodologjike.Normalizuesit nuk janë nisë prej bazës së traditës gjuhësore të dokumenteve, d.m.th. nga autorët e vjetër, nga baza kur shqipja ende nuk ishte aq e coptueme si sot në dialekte.

Si shembull, le të krahasohet gjuha e Bogdanit me të folmen e Hasit sot në mënyrë strukturale, dhe do të shihet se çka ka ndodhë mbrenda treqind vjetëve. Në fazën kur u nis normalizimi i gjuhës në Tiranë, gjuha e autorëve të vjetër (gegë, arbëreshë e toskë) nuk ishte e studjueme në sistemin e saj fonologjik, morfologjik e sintaksor. Kjo mungesë nuk i justifikon normalizuesit, përkundra. Ata shpesh flasin për normal­izimin e gjuhës së kulturave të përparueme tue u përpjekë me gjetë paralelizma.

Tek italishëja, për shembull, apo anglishtja, ka pasë nji kontinuitet zhvillimi qysh nga fazat e lashta deri më sot; format e soçme të shkrueme, gjuhët letrare, janë rezultate të fazave gjuhësore tradicionale. Përkundra ndër ne i âshtë sjellë shpina traditës, shqipja e lashtë e dokumentueme nuk âsht marrë si komponente në këtë njësim gjuhësor. Normat për standardizimin në disa anë jane farkue nga nalt në mënyrë autoritare, jo demokratike. Ato mbështeten në një formë sinkronike të gjuhës shqipe në një variant toskë. Në këtë formë “gjuha e njësuar” e sotme mund të quhet thjeshtësim por jo njësim, mbasi në tê nuk janë integrue komponentet historike dhe kategoritë gramatikore bazore të trungut dhe trevës kryesore të shqipes. Këtë trung indo­europeistët e quejnë tash mâ se 100 vjet “allgemeinalbanisch”. Pra âshtë e provueme shkencorisht se shqipja e ka një bazë të vetën themelore."

Martin Camaj (21.7.1925-12.3.1992) Ishte shkrimtar dhe albanolog, një figurë e madhe e letrave dhe pedagogjisë shqipe. Në Romë doktorohet dhe drejton revistën “Shejzat” si kryeredaktor, nën përkujdesjen e Ernest Koliqit. Nga Italia largohet në vitin 1961 dhe vendoset në Munih të Gjermanisë, ku bëhet profesor i studimeve albanologjike. Në Munih, ai ligjëron letërsinë shqiptare deri në vdekje,. Është përfshirë thuajse në të gjitha antologjitë dhe veprat ku flitet për shkrimtarët shqiptarë.

Vëllimi i tij i parë me varg klasik "Nji fyell ndër male", Prishtinë 1953 (Një fyell ndër male), dhe "Kânga e vërrinit", Prishtinë 1954 (Kënga e lëndinave), u frymëzuan nga banorët e zonave ku lindi, malësorët e veriut, mbas të cilëve qëndroi shumë i afërt shpirtërisht edhe mbas shumë e shumë viteve në mërgim dhe pamundësia për t'u kthyer. Këto u ndoqën nga "Djella", Romë 1958, një novelë me disa vargje mbi dashurinë e një mësuesi me një vajzë të re. Përmbledhja e poezive "Legjenda", Romë 1964 dhe "Lirika mes dy moteve", Munich 1967, kishte disa poezi nga "Kânga e vërrinit", që u ribotuan në "Poezi" 1953-1967, Munich 1981.