Thaçi konsultoi Vuçiqin, jo Mustafën për ushtrinë

Numri dy i Qeverisë së Kosovës, Ramiz Kelmendi, gjatë një interviste për “Zërin” ka deklaruar se presidenti Hashim Thaçi për transformimin e FSK-së në ushtri është konsultuar vetëm me kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqin, por jo edhe me atë të Kosovës, Isa Mustafën

 Presidenti Hashim Thaçi është konsultuar me Aleksandër Vuçiqin, e jo me kryeministrin Mustafa, rreth transformimit të FSK-së në ushtri, dhe ky fakt është brengosës. Kështu ka thënë zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramiz Kelmendi, në një intervistë dhënë “Zërit”.

Madje, zëvendëskryeministri Kelmendi ka thënë se iniciativa e presidentit Thaçi në këto momente është edhe një tentim i tij që ta mbajë nivelin e PDK-së në nivelin e duhur politik.

Megjithëkëtë, sipas tij, edhe pse ky hap është i shpejtë, ai është i domosdoshëm dhe që duhet të votohet nga të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Ndërkohë, duke folur për ratifikimin e Demarkacionit, Kelmendi ka thënë se po bëhet një zvarritje e panevojshme.

Ai e ka vlerësuar koalicionin LDK-PDK si të qëndrueshëm dhe më të mirin e mundshëm për t’iu dhënë zgjidhje çështjeve të mëdha për vendin.

Në fund ai ka deklaruar se në katër vjetët e ardhshme në Kosovë nuk do të ketë të papunë.

Zëri: Si e keni parë iniciativën e presidentit Thaçi për transformimin e FSK-së në ushtri?

Kelmendi: Iniciativa e presidentit është iniciativë që i takon atij, sepse sipas Kushtetues ai ka të drejtë ta bëjë këtë. Për mua ka qenë brengosës pak fakti se konsultimet që zotëri Thaçi i ka bërë me Vuçiqin në bisedë telefonike e nuk i ka bërë me partnerin që e ka formuar koalicionin dhe nuk i ka informuar liderët politikë për vizionin e tij për transformimin e FSK-së. Transformimi i FSK-së nuk është çështje e fshehur, por çështje e domosdoshme. Ne në vazhdimësi kemi punuar që FSK-ja t’i krijojë kapacitetet mbrojtëse. Është një hap i shpejtë, i mirë dhe i domosdoshëm.

Zëri: Po thoni që presidenti e ka nisur këtë iniciativë pa konsultim me Qeverinë?

Kelmendi: Presidenti për herë të parë është deklaruar më 5 mars 2017 për këtë çështje edhe atë në manifestimin Epopeja e UÇK-së. Aty kemi dëgjuar të gjithë se ai do ta fillojë një iniciativë, e jo që iniciativa vetëm ka qenë e filluar dhe menjëherë pas dy ditësh ta bëjë atë publike dhe kërkesën për ndryshimin e ligjit. Sipas presidentit, tani po del që ka qenë shumë e lehtë ndryshim-plotësimi i ligjit sipas tij dhe që ai ka mundur ta bëjë këtë edhe në kohën kur ka qenë vetë kryeministër. Madje në një kohë kur ai ka pasur marrëdhënie shumë të mira me deputetët serbë sesa që kemi ne sot. Deputetët serbë të mandatit të kaluar ka qenë më shumë të përbërë nga serbët vendas të cilët e kanë kuptuar pozitën e tyre juridike në Kosovë dhe kanë qenë të ambientuar në gjendjen dhe statusin që kanë pasur në Kosovë. Ndërsa, kjo listë serbe është zgjedhur me ndihmën e votave jashtë Kosovës.

Thaçi, veprime për ta ngritur PDK-në

Zëri: Pse ka ardhur pikërisht tani kjo iniciativë e presidentit Thaçi?

Kelmendi: Gjithmonë duhet kuptuar se betejat politike janë të pandalshme. Zotëri Thaçi ka qenë lider i PDK-së deri vonë. Natyrisht që ai mendon gjithmonë ta mbajë nivelin e PDK-së në një nivel të duhur politik. Ndoshta ai dyshon se pasardhësi i tij nuk e ka gjendjen në terren, siç e ka pasur ai vetë dhe shpeshherë bën aktivitete të ndryshme në mënyrë që ta ngritë performancën e PDK-së.

Zëri: A e ka vënë presidenti Thaçi Qeverinë para një akti të kryer. A do ta procedojë Qeveria këtë nismë ashtu siç është propozuar?

Kelmendi: Kjo çështje nuk do të trajtohet në Qeveri sepse nuk ka nevojë. Kjo do të trajtohet si iniciativë e presidentit, e mbështetur nga tri ministritë ekzistuese. Ministria e Financave do ta japë një letër mbështetëse, se do të ketë mjete të mjaftueshme për transformimin e FSK-së. Ministria e Integrimeve do të zhvillojë bisedime me BE-në që të jetë në akordim me ta. Ndërsa ministri Demolli tashmë e ka kryer punën e tij, duke bërë ndryshime të vogla dhe e ka dërguar për procedim të mëtutjeshëm.

Zëri: Shtetet e QUINT-it kanë thënë se veprimet e njëanshme të Kosovës në këtë moment do ta rrezikonin stabilitetin rajonal dhe partneritetin me ndërkombëtarët. Si e komentoni ju këtë?

Kelmendi: Unë besoj që me sensin politik që kanë liderët tanë kur vjen puna te ruajtja e marrëdhënieve me faktorin ndërkombëtar. Unë nuk besoj që asnjë lider politik i Kosovës, e as presidenti Thaçi nuk do ta merrte ndonjë që do t’i prishte marrëdhëniet. Nëse do të ndodhte diçka e tillë, zotëri Thaçi di edhe të tërhiqet. Prandaj, ne si Qeveri dhe këtë rast edhe si LDK jemi pak më të kujdesshëm. Ne kemi mundur që ta procedojmë për 24 orë këtë ligj, dhe për t’i kthyer përgjigje presidentit dhe kryeparlamentarit. Mirëpo, ne kemi rezonuar me sistemin që të mos punojmë shpejt dhe ta zëmë partnerin ndërkombëtar të papërgatitur në përgjigjen tonë finale. Ne u kemi marrë kohë që t’ua japim mundësinë liderëve tanë politikë të bisedojmë me bashkësinë ndërkombëtare. T’u tregojnë atyre pamundësinë e bindjes së Listës Serbe për ndryshimet kushtetuese. Që faktori ndërkombëtar ndoshta ta bindë Listën Serbe përmes Serbisë, në mënyrë që transformimi i FSK-së të bëhet me ndryshimet kushtetuese. Ky është edhe qëllimi i mosdërgimit të shpejt në Kuvend të këtij projektligji, që të mos bëhemi të pabesë ndaj bashkësisë ndërkombëtare.

Zëri: A do ta ezaurojë Qeveria afatin prej 1 muajsh para se ta procedojë në Kuvend ligjin për FSK-në?

Kelmendi: Ne jemi në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare, mirëpo jemi në koordinim edhe me kërkesat e shumta të qytetarëve. Ne nuk do të nxitojmë ta dërgojmë këtë projektligj në Kuvend, jo sepse nuk mundemi, por t’i japim mundësinë presidentit dhe akterëve të tjerë politikë në mos rastësisht po arrijnë ta bindin bashkësinë ndërkombëtare se ky hap është i njëanshëm, mirëpo i domosdoshëm.

Deputetët e LDK-së, qëndrim unik për ushtrinë

Zëri: A do ta votojë LDK-ja iniciativën e presidentit Thaçi në formën që është aktualisht?

Kelmendi: Unë mund të ju them se nuk besoj që ka deputet në Parlamentin e Kosovës që nuk do ta votojë. Deputet e LDK-së kanë qëndrim unik dhe patriotik në këtë drejtim. Normalisht do të ishte edhe më madhështore nëse do të vinte në Kuvend në formën e rregullt. Ndoshta është edhe akti i parë politik që ka mobilizuar skenën politike kosovare ku po dëshmohet se për akte madhore ne po dimë të jemi përparues.

Zëri: Një tjetër çështje madhore për vendin dhe qytetarët është ratifikimi i Demarkacionit. Pse po zvarritet kaq shumë kjo çështje?

Kelmendi: Është një zvarritje e gjatë dhe e panevojshme. Sidoqoftë, ne nuk dëshirojmë që me veprimet tona t’i tregojmë bashkësisë ndërkombëtare që nuk jemi koherentë me ju. Tani është më mirë që të kalojë ushtria. Pra, ta kalojmë këtë çështje e mos ta komplikojmë edhe me Demarkacionin për të cilin veçse kemi kundërshtime edhe partiake. Ndikimet ruse janë të mëdha në Ballkan. Ju e keni parë edhe tentimpuçin në Mal të Zi. Çka nëse do të ishte realizuar ai tentimpuç? Nuk duhet të rrezikojmë me votën tonë. Unë i kam përcjellë prezantimet e ekspertëve kundërshtues. Nuk është e mirë që ekspertët e një departamenti që punojnë bashkë të mos gjejnë një gjuhë të komunikimit dhe unifikimit që para qytetarëve të dalin me një qëndrim unik. Përçarjen dhe hutinë që ata u kanë shkaktuar qytetarëve të vendit është shumë e madhe dhe shumë e dëmshme. Do të duhet kohë që të rregullohet kjo përçarje. Ideja se është falur territor ka lënë shenja dhe ka krijuar pabesueshmëri.

Marrëdhëniet me ndërkombëtarët, të paprekshme

Zëri: Është thënë së fundmi së mosratifikimi i Demarkacionit dhe mosformimi eventual i ushtrisë mund ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme. Si e komentoni ju këtë

Kelmendi: Ushtria do të bëhet përveç nëse bashkësia ndërkombëtare dërgon mesazhe serioze. Nëse i shohim këto mesazhe që janë të seriozitetit të madh këto mesazhe, atëherë presidenti, kryeministri dhe kryeparlamentari besoj se ata kanë sens, dhe duhet ta dinë që të tërhiqen. Besoj që deputetët tanë kanë sensin që ta kuptojnë se marrëdhëniet me bashkësinë ndërkombëtare janë të paprekshme. Sa i përket koalicionit, unë mendoj se ai e ka një stabilitet. Normalisht se ndryshimet që bëhen, sa i përket Demarkacionit, ushtrisë etj, tentojnë ta lëkundin koalicionin. Mirëpo është kuptuar se zgjedhjet e ardhshme nuk është e thënë që zgjidhin çështjet e mëdha sepse kemi të bëjmë me liderët e njëjtë. Megjithatë, pikërisht temat e mëdha si Gjykata Speciale, Demarkacioni, ushtria, unë mendoj se kanë nevojë për një koalicion të fuqishëm si ky. Të gjitha koalicionet e tjera që do të mund të vinin nuk do ta kishin fuqinë e këtij koalicioni. Prandaj zgjedhjet nuk janë zgjidhje. Mirëpo nëse liderët mendojnë se është domosdoshmëri, atëherë edhe mund të ndodhin.

Për katër vjet nuk do të ketë të papunë

Zëri: Cilat kanë qenë iniciativat e juaja për zhvillim ekonomik prejse keni ardhur në postin e zëvendëskryeministrit?

Kelmendi: Unë jam qe tre muaj në këtë post. Praktikisht, kemi shumë ligje që janë krijuar dhe janë në funksion e që janë bërë për interesa të ndryshme klanore. Ata nuk kanë menduar fare për interesa ekonomike dhe të drejta. Për të ardhur te një ndryshim që unë mendoj, po na nevojitet një unifikim politik i dy liderëve, që ato ligje që janë bërë për interesa të ndryshme të anulohen dhe të krijohen ligje për interesa të qytetarëve. Qe 17 vjet ekonomia prodhuese në Kosovë ka qenë e dëmtuar nga legjislacioni shtetëror. Është vendi i parë në botë që me ligjet të cilat i ka krijuar ka dëmtuar ekonominë prodhuese. Ndërkohë, sot prodhuesit e Kosovës për ta ndërtuar një prodhim të njëjtë me shtetet e rajonit, dalin më shtrenjt. Ka qenë shumë e vështirë për një prodhues që ta mundë një konkurrent i cili ka 12 për qind favorizime. Pasi kam ardhur unë iu kam treguar edhe matematikisht pse ka ndodhur kjo. Ne tani kemi filluar procesin e pakos dyfiskale. E kjo pako dyfiskale mund të ju them se është njësoj sikurse Ligji për Ushtrinë të ndryshohet me Kushtetutë. Ekonomia prodhuese po gëzohet pikërisht ashtu siç do t’i gëzoheshim ne formimit të ushtrisë përmes ndryshimeve kushtetuese.

Zëri: Sa pritet ta ndihmojë ekonominë prodhuese iniciativa e pakos dyfiskale?

Kelmendi: Ekonomia prodhuese do të rilindë. Kjo është hera e parë që ekonomia prodhuese do të jetë e barabartë. Edhe ato ligje që janë sjellë, të cilat kanë dëmtuar procese të ndryshme, të ndryshohen dhe gjithçka të shkojë në favorizim të zhvillimit të Kosovës.

Papunësia në Kosovë, 15%!

Zëri: Kosova tashmë ka nënshkruar marrëveshjen e parë bilaterale me BE-në, atë të MSA-së. Sa do ta ndihmojë ekonominë kjo marrëveshje?

Kelmendi: Kjo marrëveshje është bërë në kohën e mirë mirëpo legjislacioni është dashur të bëhet së paku një vit para nënshkrimit të saj në mënyrë që t’i shihen rezultatet tani. Ekonomia jonë nuk është ende e barabartë dhe rezultatet nuk shihen menjëherë. Pa përfunduar pakoja fiskale dy në tërësi, atëherë pas gjashtë muajsh do të shihen vlerat e vërteta të MSA-së. Normalisht besoj se kjo marrëveshje do të zbusë papunësinë. Edhe pse mendoj se shifrat e papunësisë nuk janë reale. Papunësia në Kosovës nuk është më e madhe se 15 për qind edhe pse statistikat thonë se është 26 për qind. Ne kemi një pjesë të madhe të të punësuarve informalë. Normalisht kjo ka ndodhur sepse njerëzit janë detyruar që ta mbrojnë prodhim e vet ndaj aktorëve më të lirë që vijnë nga jashtë në emër të një informaliteti të detyrueshëm.

Zëri: Cilat janë prioritetet e juaja ekonomike që pritni t’i realizoni deri në fund të mandatit?

Kelmendi: Qëllimi i parë ka qenë barazimi i akterëve ekonomikë. E dyta, unë jam ithtar i formalizimit të ekonomive. Dua që ato të jenë formale sepse forcojnë shtetin dhe e bëjnë buxhetin më stabil. Prioritet është edhe zhvillimi i bujqësisë dhe po ua them pse. Zhvillimi në bujqësi mund ta arrijë vlerën e 6 miliardëve në vit. Shumëkush thotë se është e pamundur mirëpo është e realizueshme. Pastaj agroindustria dhe industritë e ndryshme do të merren me radhë. Sidoqoftë, unë nuk shoh që në katërvjeçarin e ardhshëm të ketë të papunë në Kosovë. Jemi duke ecur me hapa të sigurt në zgjedhjen e çështjes së qytetarëve. Ne nuk mund ta detyrojmë askënd që të pranoj punëtorë, mirëpo mund ta krijomë legjislacion që ai të krijojë vende pune edhe për vete, edhe për të tjerët.