Osmani : Dështimi i demarkacionit nuk e dërgon vendin në zgjedhje
Deputetja më e zëshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani duke e ritheksuar qëndrimin e saj për marrëveshjen e demarkacionit, vlerëson se dështimi i demarkacionit nuk e dërgon vendin në zgjedhje, por një gjë e tillë sipas saj mund të ndodhë vetëm nëse ka vullnet nga ana e deputetëve. “Në aspektin procedural, dështimi i Demarkacionit nuk çon në zgjedhje automatikisht, mirëpo zgjedhje të parakohshme mund të ketë në çdo moment, kur 61 deputetë votojnë për ta rrëzuar Qeverinë”, ka potencuar ajo.
Ajo gjatë një intervistë për Gazetën “Zëri”, ka thënë se çdo situatë në vend mund të provokojë zgjedhje të parakohshme. “Meqë koalicioni i tanishëm nuk është ndërtuar mbi baza parimore apo programore, por vetëm mbi interesa individuale, nuk është çudi që çdo situatë të provokojë zgjedhje të parakohshme, nëse individë të caktuar vlerësojnë se interesat e tyre po preken”, ka thënë Osmani.
Osmani propozon që demarkacioni të rishikohet dhe po i njëjti të dërgohet në Gjykatën e Arbitrazhit. “Demarkacioni duhet të rishikohet në aspektin përmbajtjesor dhe nëse nuk arrihet pajtim, të dërgohet në Arbitrazh në marrëveshje me Malin e Zi”, thotë Osmani. Duke theksuar se nëse del që ky proces ka qenë gabim siç cek ajo, ata që e kanë nënshkruar këtë marrëveshje duhet të përballen me ligjin. “Nëse cilido proces determinon se ka qenë gabim, atëherë ata që e kanë nënshkruar Marrëveshjen duhet të ballafaqohen me përgjegjësi politike dhe ligjore”, vlerëson Osmani, shkruan "Zeri.info".
Ndërkohë deputetja nga radhët e LDK-së ka folur edhe për procesin e liberalizimit të vizave. Duke e vlerësuar si mjaft të rëndësishëm këtë proces ajo thotë se nuk duhet tu krijohen pritje të rrejshme qytetarëve të vendit. “Megjithatë, nuk duhet të krijohen pritje të rrejshme dhe dezinformata dhe t’u thuhet qytetarëve se pas liberalizimit do të mund të shkojnë të studiojnë apo të punojnë në vendet Schengen”, ka shtuar ajo.
Sipas Osmanit, liberalizimi thjesht njeh të drejtën e udhëtimit për qëllime turistike. “Liberalizimi thjesht njeh të drejtën tonë për të udhëtuar për qëllime turistike apo familjare deri në 3 muaj në shtetet e zonës Schengen. Fatkeqësisht ka pasur vonesa të mëdha në plotësimin e kritereve teknike dhe disa prej skandaleve korruptive e kanë bllokuar këtë proces me vite të tëra”, deklaron Osmani./Zeri/.