Vjosa Osmani nuk lëviz nga LDK-ja

Deputetja më e zëshme brenda LDK-së, Vjosa Osmani, nuk ka menduar t’i bashkëngjitet subjektit të ri politik “Alternativa”, por i sheh si mundësi të mirë bashkëpunimi. Ajo thotë se nuk lëviz nga LDK-ja dhe se kundërshtimi i kësaj Marrëveshjeje duhet bërë në mënyrë ligjore e jo përmes ushtrimit të dhunës, shkruan sot gazeta Zeri.

Vjosa Osmani nuk do të largohet nga LDK-ja edhe pse vazhdon të ketë dallime përmbajtjesore rreth disa çështjeve me lidershipin e kësaj partie, ajo do të qëndrojë pranë këtij subjekti politik.

Ajo nuk e ka menduar t’i bashkëngjitet subjektit të ri politik “Alternativa”, e themeluar nga Mimoza Kusari-Lila dhe Ilir Deda, por i sheh si mundësi të mirë bashkëpunimi. Osmani këto komente dhe shumë të tjera i ka bërë të ditura në intervistën dhënë gazetës “Zëri”. Sipas kësaj deputeteje, ndër më të zëshmet në Parlamentin e Kosovës dhe brenda partisë së saj, ka vlerësime edhe pozitive për punën e Qeverisë.

“Koalicioni LDK-PDK, ashtu siç kam deklaruar ditën që është nënshkruar, ka dëmtuar LDK-në. Tani jam edhe më shumë e bindur për këtë. Sidoqoftë, janë disa sektorë të Qeverisë të cilat kanë treguar rezultate të mira përkundër faktit që kanë operuar brenda një sistemi të kapur nga interesa klanore dhe oligarkike”, ka thënë Osmani për “Zërin” për të shtuar se qëndrimi i saj karshi Marrëveshjes së ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi mbetet i njëjtë. Osmani mendon se kundërshtimi i kësaj Marrëveshjeje duhet bërë në mënyrë ligjore e jo përmes ushtrimit të dhunës.

Ndryshe ajo e komenton edhe mundësinë për zgjedhje të parakohshme por, siç thotë ajo, zgjedhjet nuk mund të vinë nga Demarkacioni. “Në aspektin procedural dështimi i Demarkacionit nuk çon në zgjedhje automatikisht mirëpo zgjedhje të parakohshme mund të ketë në çdo moment kur 61 deputetë votojnë për ta rrëzuar Qeverinë”, ka thënë Osmani.

Zëri: Kryeministri Mustafa do ta riprocedojë javën që vjen Marrëveshjen për ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi. Ju njiheni si njëra ndër deputetët që e ka kundërshtuar fuqishëm këtë Marrëveshje. A vazhdoni të qëndroni pranë vendimit tuaj që Demarkacioni të mos kalojë?

Osmani: Marrëveshjet ndërkombëtare, sidomos ato që janë për kufijtë, në çdo shtet janë çështje mjaft të ndjeshme, prandaj edhe në Kosovë ato kërkojnë konsensus të gjerë politik në mënyrë që të jenë të pranueshme për qytetarët dhe të mund të implementohen në praktikë. Në momentin që një marrëveshje për kufijtë miratohet, nuk ka më kthim prapa. Gjatë viteve të fundit me Marrëveshjen për Demarkacionin dhe disa çështje të tjera, jo vetëm që nuk ka pasur unitet, por është krijuar një situatë ekstreme polarizuese që nuk ka lënë edhe shumë hapësirë të dëgjohen me vëmendje dhe me qetësi argumentet profesionale, për shkak të gjithë zhurmës politike dhe gjuhës së degraduar të përdorur nga disa politikanë. Për shkak të kësaj, besoj se secili deputet e ka pasur për detyrë që vetë t’i analizojë në detaje të gjitha materialet dhe të vjen në konkluzion rreth votës së vetë, duke vepruar në përputhje me informatat që ka dhe ndërgjegjen e vet. Kjo është çështje e integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit, prandaj nuk mund të votohet shkel e shko e me dyshime. Shumë herë kam shprehur shqetësimet e mia lidhur me përmbajtjen e Marrëveshjes, dhe ato shqetësime akoma mbesin prezente. Megjithatë, do t’i dëgjoj me vëmendje të gjitha argumentet që paraqiten deri në ditën e fundit.

Zëri: A besoni që kësaj radhe Marrëveshja e Demarkacionit do t’i ketë votat e duhura që të kalojë? Si e vlerësoni punën e Komisionit për Matjen e Territorit?

Osmani: Unë nuk mund ta paragjykoj votën e asnjërit deputet, sepse ata duhet të votojnë pa asnjë presion. Në të kaluarën, për votime të ndryshme, ka pasur presion të madh mbi disa deputetë. Natyrisht ata duhet t’i rezistojnë çfarëdo shantazhi apo presioni nga cilado palë dhe të votojnë vetëm në përputhje me vullnetin e tyre. Për fat të keq, diskursi publik i disa politikanëve kohëve të fundit vetëm sa e vërteton presionin që po i bëhet deputetëve. Sa i përket punës së Komisionit për Matjen e Territorit, nga ajo që është thënë në medie del se ky Komision nuk e ka matur territorin fare. Sa e kam kuptuar, vetëm është shqyrtuar dokumentacioni i Komisionit Shtetëror, por nuk ka pasur punë në terren për matje faktike dhe të saktë të territorit. Të tjerat që i kemi dëgjuar kanë qenë një sërë deklaratash politike të papranueshme si dhe fyerje e sulme ndaj deputetëve. Ne ende po presim si deputetë që raporti i Komisionit të na dërgohet dhe vetëm atëherë do të mund t’i komentojë në tërësi.

 Zëri: Deputetët e opozitës kanë theksuar se me kthimin e Demarkacionit do të kthehet edhe gazi në Kuvend. A është kjo forma për kundërshtimin e kësaj Marrëveshjeje dhe a priten tensione shtesë politike?

Osmani: Këtë e kam theksuar shumë herë duke e kundërshtuar fuqimisht. Në fakt, mendoj se format e tilla të kundërshtimin, në veçanti për Demarkacionin, vetëm sa e lëndojnë procesin e argumentimit profesional se kjo Marrëveshje ka mangësi serioze. Të gjitha partitë politike në vend duhet t’i tejkalojnë dallimet partiake dhe të ulemi të gjejmë një zgjidhje të përbashkët sesi të ecet përpara rreth kësaj çështjeje.

Zëri: Dështimi eventual i Demarkacionit në momentin kur të vijë në Kuvend a mund të provokojë zgjedhje të parakohshme?

Osmani: Meqë koalicioni i tanishëm nuk është ndërtuar mbi baza parimore apo programore, por vetëm mbi interesa individuale, nuk është çudi që çdo situatë të provokojë zgjedhje të parakohshme, nëse individë të caktuar vlerësojnë se interesat e tyre po preken. Në aspektin procedural, dështimi i Demarkacionit nuk çon në zgjedhje automatikisht, mirëpo zgjedhje të parakohshme mund të ketë në çdo moment, kur 61 deputetë votojnë për ta rrëzuar Qeverinë. Në parim, mendoj se cilado qeveri e re që vjen do t’i kishte problemet e njëjta me Demarkacionin, pra nuk janë zgjedhjet ato që e zgjidhin këtë problem. Demarkacioni duhet të rishikohet në aspektin përmbajtjesor dhe nëse nuk arrihet pajtim, të dërgohet në Arbitrazh në marrëveshje me Malin e Zi. Nëse cilido proces determinon se ka qenë gabim, atëherë ata që e kanë nënshkruar Marrëveshjen duhet të ballafaqohen me përgjegjësi politike dhe ligjore.

Zëri: Meqë Demarkacioni është kushti i fundit për lëvizje të lirë në zonën Schengen e që deri tani koalicioni duket se nuk i ka votat e mjaftueshme për ta ratifikuar. A do të thotë kjo se rezultati i votimit do të jetë i njëjtë dhe kosovarët edhe këtë vit do të mbeten të izoluar?

Osmani: Në raportin e fundit të Komisionit Evropian rreth vizave përcaktohen dy kushte: Ratifikimi i Demarkacionit dhe ofrimi i një regjistri të dënimeve të instancës së fundit për raste të nivelit të lartë të krimit e të korrupsionit. Tani po thuhet që ka pasur progres për këtë kriterin e fundit, pra dënimet për krim e korrupsion, por që do të kërkohet akoma progres. Raporti i fundit i raportueses Lunacek i miratuar nga Komisioni për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian, thotë se kërkohet nga Kosova të paraqesë akoma dëshmi rreth rezultateve të matshme për luftimin e krimit dhe korrupsionit të instancave të larta. Por edhe sikur të dyja kushtet të plotësoheshin qysh sot, vendimi final i takon Këshillit të BE-së, ku ministrat e brendshëm të shteteve anëtare duhet të vendosin pro heqjes së vizave unanimisht. Pra, ka ende shumë punë për të bërë dhe nuk është gjithçka në duar të një vote të deputetëve, siç po paraqitet gabimisht. Edhe znj. Mogherini në Prishtinë tha se “nëse ratifikohet Demarkacioni, BE-ja do të lëvizë shumë shpejt me procesin e liberalizimit”, por lëvizja e procesit nuk nënkupton vendim të menjëhershëm, sepse as znj. Mogherini e aq më pak politikanët në Prishtinë nuk mund të flasin në emër të ministrave të Brendshëm në Këshillin e BE-së. Mendoj se Kosova ka punuar shumë pak për t’i bindur shtetet anëtare të BE-së se Kosova nuk do të paraqesë burim të migrimit në shtetet e tyre, që në fakt është brenga kryesore për shumë prej këtyre shteteve.

Zëri: Sa është i rëndësishëm liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës?

Osmani: Është mjaft i rëndësishëm për të gjithë qytetarët dhe personalisht kam qenë e angazhuar drejtpërdrejt në këtë nëpër vite me radhë. Megjithatë, nuk duhet të krijohen pritje të rrejshme dhe dezinformata dhe t’u thuhet qytetarëve se pas liberalizimit do të mund të shkojnë të studiojnë apo të punojnë në vendet Schengen. Liberalizimi thjesht njeh të drejtën tonë për të udhëtuar për qëllime turistike apo familjare deri në 3 muaj në shtetet e zonës Schengen. Fatkeqësisht ka pasur vonesa të mëdha në plotësimin e kritereve teknike dhe disa prej skandaleve korruptive e kanë bllokuar këtë proces me vite të tëra.

Zëri: Si qëndrojnë marrëdhëniet mes juve dhe kryeministrit Mustafa, pasi që dihet se kohët e fundit raporti juaj me liderin e partisë suaj ka qenë i acaruar? A e keni menduar  largimin nga Lidhja Demokratike e Kosovës?

Osmani: Për momentin lidershipi i LDK-së dhe unë kemi dallime përmbajtjesore rreth disa çështjeve thelbësore, siç janë reformat e brendshme, hapja e partisë ndaj gjeneratave të reja dhe grave, demokracia e brendshme, duke respektuar votën e fshehtë si dhe raportet me partitë e tjera politike në Kosovë.

Zëri: Mimoza Kusari - Lila dhe deputeti Ilir Deda i janë bashkuar skenës politike me partinë më të re në vend “Alternativa”, është folur se pjesë e kësaj partie do të jeni edhe ju. A qëndron kjo dhe si e shihni “Alternativën” e re?

Osmani: Mendoj se krijimi i një subjekti politik të moderuar dhe liberal është i nevojshëm për skenën tonë politike dhe mund të sjellë freski në politikëbërje. Kosovës i duhen më shumë se kurrë subjekte politike të moderuara dhe më pak subjekte që propagandojnë ekstremizëm ideologjik apo të ndonjë lloji tjetër. Kemi biseduar hapur me Mimozën dhe Ilirin për bashkëpunimin tonë në të ardhmen dhe nga ajo që është prezantuar deri më tani, e shoh “Alternativën” si partner të mirë për LDK-në në të ardhmen. Pra, ashtu siç kam deklaruar edhe më parë, tani jam e përqendruar në punën time si deputete e LDK-së dhe do t’i qëndroj besnike elektoratit të LDK-së. Të ardhmen time politike do ta vendosë ky elektorat.

Zëri: Si e vlerësoni ju punën e qeverisë “Mustafa” (dhe koalicionit LDK-PDK)? Kujtojmë që shumë temave të mëdha për vendin nuk u janë dhënë ende përgjigje.

Osmani: Koalicioni LDK-PDK, ashtu siç kam deklaruar ditën që është nënshkruar, e ka dëmtuar LDK-në. Tani jam edhe më shumë e bindur për këtë. Sidoqoftë, janë disa sektorë të Qeverisë të cilat kanë treguar rezultate të mira përkundër faktit që kanë operuar brenda një sistemi të kapur nga interesa klanore dhe oligarkike.