'Lira' e zgjedh familjen para futbollit

Fatmire “Lira” Alushi ka vendosur ta mbyllë karrierën si futbolliste. “Lira”, kampione e botës në vitin 2007 me Përfaqësuesen e Gjermanisë dhe njëra nga tri futbollistët më të mira të botës vite më parë, ka vendosur t’i dedikohet komplet familjes, duke hequr dorë përfundimisht nga pasioni i saj.

“Pas një reflektimit të gjatë, kam vendosur që ta mbyll karrierën si futbolliste. Vendimi ka qenë mjaft i vështirë për mua, sepse do të më pëlqente të luaja përsëri në një klub të madh”, ka shkruar 28-vjeçarja në llogarinë e saj në rrjetin social “Facebook”, shkruan sot gazeta Zëri.

“Nuk ka qenë e mundshme që ta gjenim një qytet që do të na përshtatej mua dhe bashkëshortit tim, Enisit, që t’i realizojmë programet sportive dhe private”, ka shtuar futbollistja kosovare.

E njohur si Fatmire Bajramaj, “Lira” ishte martuar në dhjetor të vitit 2013. Ajo, së bashku me futbollistin kosovar Enis Alushi janë bërë prindër të një djali në muajin nëntor të vitit 2015.

Bashkëshorti i Fatmires Enisi, i cili luan për Përfaqësuesen e Kosovës, pak javë më parë është larguar nga klubi gjerman, Nurnberg, për t’u huazuar deri në fund të sezonit tek ekipi izraelit, Maccabi Haifa.

I pëlqen të jetë nënë

Tash, familja është bashkuar dhe “Lira” me Enisin e kanë mundësinë të qëndrojnë së bashku me gjatë, një mundësi të cilën nuk e kishin kur ajo luante në Paris Saint-Germain në Francë dhe ai në Gjermani me Nurnbergun.

“Më pëlqen shumë të jem nënë dhe ta shoh djalin tonë çdo ditë dhe të jem afër tij teksa ai rritet. Në këtë moment, nuk do të ishte e mundshme që të qëndroja në formë, duke e vazhduar karrierën si futbolliste dhe të kem udhëtime të shpeshta”, ka shtuar ish-përfaqësuesja gjermane.

Karriera e lavdishme e “Lirës”

Fatmire Alushi që nga debutimi i saj ka zhvilluar 79 ndeshje me Kombëtaren A të Gjermanisë, duke realizuar 18 gola.

Triumfi më i madh i saj ishte me ekipin Turbine Potsdam, me të cilën ishte shpallur dy herë kampione e Gjermanisë, ndërsa e kishte fituar edhe Kampionatin Botëror në vitin 2007 në Kinë.

Në fund të karrierës, ajo i ishte bashkuar klubit të njohur evropian, Paris Saint-Germain. Më parë, ajo kishte luajtur me sukses edhe në ekipet tjera gjermane, Duisburg dhe Frankfurt.

Futbolli, më i rëndësishmi në jetë

Deri tash, futbolli ishte gjëja më e rëndësishme në jetë për futbollisten kosovare. Mirëpo, martesa dhe më pas lindja e djalit ndryshuan gjithçka.

Ajo megjithatë nuk do ta harrojë kurrë karrierën e lavdishme dhe nuk e përjashton mundësinë që në të ardhmen të afrohet me këtë sport, në ndonjë pozitë tjetër. Ndërkohë, i ka falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët në karrierën e saj.

“Futbolli është natyrisht një pjesë e madhe dhe e rëndësishme e jetës sime. Sigurisht do të takohemi përsëri dikur, diku. Faleminderit të gjithëve, keni qenë të mëdhenj dhe të rëndësishëm për mua”, ka shkruar në fund “Lira”. /Zëri/