Zgjedhje, nëse dështon Demarkacioni
Marrëveshja për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi është paralajmëruar që të vijë sërish në Kuvend në muajin mars. Ratifikimi i Demarkacionit në këtë muaj po parashikohet të jetë “treni i fundit” që Kosova ta përfitojë liberalizimin e vizave më pas.
Në të kundërtën, politologët thonë se zgjedhjet e përgjithshme janë të pashmangshme. Madje, ata insinuojnë edhe në një përçarje të mundshme të koalicionit që po qeveris me shtetin, nëse Marrëveshja dështon. E kundërshtimin e Demarkacionit dhe zgjedhjet e reja po i kërkon edhe opozita. Ata vazhdojnë të mbesin të palëkundur në pozicionet e tyre rreth kësaj Marrëveshjeje. Në anën tjetër, zyrtarë të lartë nga dy taborët politikë, të cilat udhëheqin me vendin, kanë thënë për gazetën “Zëri” se këtë vit do të ketë vetëm zgjedhje lokale dhe jo të përgjithshme. Megjithatë, nuk kanë përjashtuar mundësinë e lidhjes së Demarkacionit me zgjedhjet, nëse njëri nga partnerët e koalicionit dëshiron ta bëjë këtë qëllimisht. E krejt në fund kryeministri Mustafa ka thënë se ky është “koalicion i suksesit”.
Demarkacioni nuk lidhet me zgjedhjet
Brenda koalicionit qeverisës janë të bindur se ratifikimi i Demarkacionit nuk ka kurrfarë lidhje me zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Këshilltari i kryeministrit Isa Mustafa, Bajram Gecaj, ka thënë për “Zërin” se një lidhje e tillë mund të bëhet vetëm nëse një nga partnerët e koalicionit dëshiron ta bëjë këtë qëllimisht. “Shënimi i vijës kufitare, të cilës gabimisht i referohemi si “Demarkacion”, nuk ka asnjë ndërlidhje me zgjedhjet e parakohshme parlamentare, pos nëse njëri nga partnerët kryesorë të koalicionit qeverisës (LDK ose PDK) dëshiron që qëllimisht ta bëjë një ndërlidhje të tillë”, ka thënë Gecaj. Sipas tij, parashikimet e analistëve që do të ketë zgjedhje nëse nuk kalon Demarkacioni, nuk janë të sakta. “Vendi qeveriset me shumicën e thjeshtë ( 61 vota) të vullnetit të parlamentarëve, jo me dy të tretat (80 vota), ashtu siç pretendohet nga ata të cilët, për një apo për një arsye tjetër, dëshirojnë ta dërgojnë vendin në zgjedhje të parakohshme; qofshin këta nga opozita apo edhe nga një pjesë e konsiderueshme e (b) analistëve, shoqërisë civile dhe medieve”, ka shtuar ai.
Madje sipas Gecajt, nëse shpejt nuk e krijohet një konsensus për votimin e Demarkacionit, faji nuk do të jetë fare i koalicionit qeverisës, por i partive opozitare të cilat ai i quan “pushtet-lakmues” dhe i disa deputetëve “kryeneçë, të papërgjegjshëm, të hutuar apo edhe me qëllime të dyshimta nga radha e partive në pushtet”.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziiti, në një intervistë dhënë “Zërit” ka thënë se për zgjedhjet e parakohshme çdo gjë do të vendoset me marrëveshje. “Është hipotetike të konstatojmë se çfarë do të ndodhë me Demarkacionin. Këtë vit vendi do të shkojë në zgjedhje lokale dhe besoj shumë se çdo zhvillim tjetër do ta ketë konsensusin politik në Kosovë”, ka thënë ai.
Tahiri: Mund të ketë zgjedhje
Zgjedhjet nuk përjashtohen si opsion nëse Demarkacioni nuk kalon në muajin mars. Mirëpo Demarkacioni nuk po shihet si shkaktari i vetëm i zgjedhjeve, sipas politologut Ramush Tahiri. “Po, nëse Demarkacioni nuk kalon në mars edhe mund të ketë zgjedhje. Mirëpo zgjedhje mund të ketë edhe nëse ndërkombëtarët dëshirojnë. Apo nëse përçahet koalicioni LDK-PDK”, ka thënë Tahiri. Politologu kosovar nuk beson se opozita është aq e fuqishme që të provokojë zgjedhje. “Opozita është e dobët që të provokojë zgjedhje, e pakënaqësia në popull nuk po duket që të ketë tensione të nivelit të lartë”, ka thënë Tahiri.
Në anën tjetër, profesori për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Politikat e BE-së, Dashnim Ismajli, ka thënë për gazetën “Zëri” se në bazë të të gjitha rrethanave aktuale, Demarkacioni do të jetë i vështirë të ratifikohet e rrjedhimisht as viza nuk do të ketë këtë vit. “Ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi do të jetë shumë i vështirë për t’u bërë, për shkak të rrethanave të krijuara dhe palëve që kanë treguar qëndrimet e tyre”, ka thënë Ismajli. Sipas tij, Bashkimi Evropian nuk do të marrë në konsideratë propozimin për heqjen e vizave për Kosovën nëse ratifikimi nuk bëhet.
Ndërsa drejtori i fondacionit “Rockefeller Brothers” për Kosovë, Haki Abazi, ka thënë se zgjedhjet aktualisht nuk i shkojnë për shtati as PDK-së, prandaj është e vështirë të mendohet një skenar i tillë. “Tentimi për ta kaluar Demarkacionin ashtu siç është, pa konsensus politik, është i rrezikshëm. Kjo është një fazë kërcënimi për qeverisjen por nuk ka prishje të koalicionit, meqë nuk i konvenon PDK-së dhe lidershipit që të shkohet në zgjedhje. Edhe pse, kjo mund të konsiderohet blerje kohe por rezultatet e zgjedhjeve nuk garantojnë pozita udhëheqëse dhe do t’i bëjë të dobët dhe pa mbrojtje para gjykatave dhe proceseve gjyqësore”, ka thënë Abazi.
/ VV: Vetëm ne mund ta zgjidhim demarkacionin
Në Lëvizjen “Vetëvendosje” janë të bindur se ata janë të vetmit që mund ta zgjidhin çështjen e demarkacionit. Sipas tyre, qeverisja LDK-PDK-“Srpska” nuk ka bërë asgjë tjetër, pos që ka thelluar krizën e qytetarëve. “Krijimi i Qeverisë PDK-LDK-“Srpska” nuk ka mundur të prodhojë tjetër rezultat vetëm se thellim të izolimit, varfërimit, krimit, korrupsionit dhe krizave të njëpasnjëshme politike”, ka thënë anëtari i kryesisë, Belgzim Kamberi. Sipas tij, Kosova nuk ka përmbushur as kushtin tjetër që është luftimi i krimit dhe korrupsionit. “Kusht për liberalizimin e vizave është para së gjithash luftimi i korrupsionit dhe i krimit, që siç dihet nuk është përmbushur. Vetëm një qeveri e re e drejtuar nga Lëvizja “Vetëvendosje” mund ta zgjidhë çështjen e demarkacionit me një marrëveshje të re, si dhe me rezultate konkrete në luftimin e krimit dhe korrupsionit, siç e ka dëshmuar me qeverisjen e saj në komunën e Prishtinës”, ka përfunduar Kamberi.