9 vjet pas: A kemi arritur konsolidimin e duhur të shtetit?

Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës politikanët morën mbi supe një detyrë mjaft sfiduese në kuadër të konsolidimit të shtetit e që ishte vetëm një vazhdimësi e asaj që tashmë ishte nisur në bashkëpunim me misionin mbikëqyrës të UNMIK-ut para Pavarësisë.

Në fakt, konsolidimi i shtetit të Kosovës nuk duhet të merret si destinacion final.

Është një proces i cili ka filluar me përfundimin e luftës, por që nuk mbaron me pavarësi e që nuk ka një përfundim për një kohë të caktuar. Vendosja e strukturave të qëndrueshme shtetërore u ndikua me daljen e dhunshme nga sistemi politik monist jugosllav i asaj kohe, gjë që e solli edhe deri të lufta.

Pas Pavarësisë, Kosova filloi një etapë të vështirë, me të cilat politika drejtpërdrejt duhej të përballej. Fillimisht mbi shtyllat e reja të ndërtuara nga paslufta duhet të kishte një rregullim e që në përgjithësi u kalua me sukses. Njohjet filluan të vinin me një ritëm mjaft të mirë që nga shpallja e pavarësisë, mirëpo që kohëve të fundit ka hasur në stagnim. Këto në përgjithësi ishin hapat drejt konsolidimit të shtetit. Po ashtu një prej sukseseve është edhe krijimi i organeve të sigurisë drejt një konsolidimi. 

Sfidat për të pasur një shtet të konsoliduar janë të shumta dhe ka probleme që vijnë si shkak i keqqeverisjes nga politikanët tanë, me gjithë ndërhyrjet e tyre në fushat e ndryshme e sidomos në zhvillim ekonomik.

Korrupsioni është bërë një nga “sëmundjet” e pashërueshme me të cilat po përballet në përgjithësi shoqëria jonë e që në një ndërlidhje pasojat po i shohim edhe në sferat e ndryshme të jetës.

Pasojat nga keqpërdorimet e dëmshme dhe krimi kanë lënë shumë procese politike në ngecje siç është integrimi evropian dhe procesi i liberalizimit të vizave. Nëse krahasojmë rrugën drejt eurointegrimeve të shteteve tjera shohim që Kosova ka ngecje e kjo po mundësohet më shumë edhe nga mosnjohja prej 5 shteteve anëtare të BE-së.

Sfida ka shumë, ndërsa veprimi që këto sfida të tejkalohen po ecin me hapa të ngadalshëm ose po stagnojnë. Si një prej fushave e cila nuk po ka përparim është sundimi i ligjit e që në vete ngërthen edhe problemet e tjera që vijnë në mënyrë zinxhirore. Nëse shohim nga perspektiva ligjore Kosova mund të merret si shembull për ligjet të cilat i ka, mirëpo këto ligje nuk po përfillen.

Politizimi i institucioneve dhe agjencive të ndryshme të pavarura po sjell probleme të shumta si në rrafshin lokal, edhe në atë qendror. Nëse marrim shembujt e privatizimit të aseteve, atëherë shohim që jemi kampion për një privatizim të dëmshëm i cili është bërë për përfitime personale e që do të ishte mirë të ketë një rishikim mbi këto kontrata.

Arsimi në Kosovë është një prej problemeve më të mëdha. Kjo është dëshmuar edhe nga testi i PISA-s e që dëshmoi se arsimi në Kosovë është në nivelet më të ulëta të mundshme. Nga të gjitha këto pa dyshim që vjen një ndërlidhje e pashmangshme, e cila i sjell këto probleme në të cilat po ngec shoqëria jonë.

Një është e sigurt, zhveshja nga etika dhe morali i politikanëve tanë me aferat e tyre e kanë sjellë në këtë gjendje shtetin pas 9 vjetëve. Mosfunksionimi dhe kapja e gjykatave po bëjnë që të njëjtit të kenë lirinë të bëjnë shkelje të ndryshme të cilat po i pësojnë qytetarët.

Në anën tjetër, propagandë dhe ndërhyrje e herëpashershme po bëhet nga ana e Serbisë, e cila po stagnon me qëllim funksionimin e shtetit, si me ndërhyrje nga jashtë e po ashtu edhe përmes përfaqësuesve serbë në Parlament.

Rastet e fundit duke i marrë për shembull, të orkestruara nga Beogradi, kanë ngritur tensione ndëretnike të cilat nuk i konvenojnë jo vetëm shtetit të Kosovës, por as rajonit në përgjithësi. Muri i ngritur në njërën anë, tentimi i futjes së trenit me murale provokuese dhe arrestimi i ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, në Francë assesi nuk i kontribuojnë paqes dhe stabilitetit e me këtë edhe dialogun e pajtimit mes dy shteteve po e vënë në pikëpyetje.  

Shoqëria civile nuk ka kompetenca të bëjë ndonjë ndryshim të dukshëm, edhe pse në një anë përmes kanaleve të tyre tentojnë të bëjnë ndryshime që ndikojnë në të mirë të qytetarëve të Republikës në përgjithësi, pa bërë ndarje në mes etnive të ndryshme.

Në këtë “mjegull” kaq të madhe ngushëllimi më i mirë për qytetarët tanë pa dyshim është sporti dhe artistët që deri më tash janë yjet e vetëm që kanë bërë dritë për Kosovën. Këtu duke i përfshirë triumfet nga Majlinda Kelmendi, si sukseset më të mëdha por jo vetëm, duke mos e harruar edhe filmin “Shok” që bëri bujë mjaft të madhe, si dhe së fundmi filmi i metrazhit të shkurtër “Home”.

Por të mos harrojmë që ky sukses vjen nga talenti personal dhe shumë pak nga ndihma e institucioneve shtetërore.