Poezia e ditës: Autoportret
“Autoportret” nga Ndoc Gjetja
Vendbanimi:
Në Lezhë me trup dhe mendjen emigrante në yje.
Profesioni:
Thurës ëndërrash dhe mbrojtës besnik i tyre.
Gjendja civile:
Mbetje teknologjike e administratës shtetërore
se nuk diti t’u japë përkuljet e duhura eprorëve.
Gjatesia:
E majftueshme për të arritur një ditë mollën e ndaluar.
Pesha:
Sa vetja, sa ndjenja, sa fjala e thënë dhe e shkruar.
Shenja të veçanta:
Një pentagram rrudhash me nota trishtimi në ballë
dhe një mjekër e thinjur nga moslejimi kaq vite i saj.
Sytë:
Kafe me nuanca të turbullta pasionesh të djegura.
Ngjyra:
E errët për fshehjen e skuqjes nga faje të lehta.
Titujt:
I dekoruar Njeri qysh në ditën e lindjes nga Nëna.
Bindjet:
Njeriun në jetë e bën të lumtur vetëm njeriu.
Antipatitë:
Burrat me grada, gratë me shumë tule dhe miu.
Simpatitë:
Jezusi nga Nazareti, Don Kishoti i Mançes dhe Buda.
Frikërat:
Shëndoshja e trurit, uji, zjarri dhe turma.
Besimi:
Në kryqin e tij që e mban përdite në shpinë.
Pasuria:
Drita e mendjes me të cilën fitoj varfërinë.