Ramizi qeveris me gra

Drenasi është komuna “kampion” në Kosovë, e cila ka më shumti gra drejtoresha. Madje kjo komunë e Drenicës ka gra në krye të drejtorive aq sa kanë bashkë Mitrovica, Vushtrria dhe Skenderaj. Kryetari, Ramiz Lladrovci, ka vendosur që ta vazhdojë qeverisjen e tij me gra, shkruan gazeta Zeri.

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, i njohur për gafën e tij gjatë fushatës zgjedhore “Forca bën fuqinë”, ka vendosur ta vazhdojë qeverisjen e tij me gra.

Ai ka emëruar 5 femra drejtoresha të drejtorive komunale, duke përmbushur premtimin e tij se 50 për qind të stafit të tij do të jenë femra.

Ka mundësi, kështu të paktën mendojnë bashkëpunëtorët e tij, se edhe udhëheqjen e Drejtorisë Komunale të Arsimit, pas largimit të tashmë ish-drejtorit, Sadik Tahiraj, do t’ia besojë një femre.

Pesë femra e shtatë burra në ekzekutiv

Në këtë mënyrë Drenasi është bërë komuna me më së shumti drejtoresha komunale në Kosovë, më shumë se që kanë Mitrovica, Skenderaj e Vushtrria bashkërisht.

Duke vendosur për femra, Lladrovci nuk ua ka dhënë besimin disa drejtorëve të mëparshëm, Skender Hasit (drejtor për Zhvillim Ekonomik dhe Bujqësi), Sadik Tahirajt (drejtor i Arsimit) dhe Agron Dubovcit (drejtor i Kulturës), ndërsa ka pezulluar drejtoreshën e Shërbimeve Publike, Hyrie Xhemajlaj – Thaçi dhe drejtorin e Administratës së Përgjithshme, Xhemë Binaku, për shkak të aktakuzave gjyqësore.

Ekzekutivi i ri i Drenasit aktualisht përbëhet nga 5 femra dhe 7 burra, përfshirë kryetarin  Lladrovci, nënkryetarin Arsim Haxhiu dhe shefin e kabinetit të Lladrovcit, Gani Syla.

Pesë drejtori komunale, Lladrovci ua ka besuar femrave: Kimete Qorri (Administrata e Përgjithshme), Anita Avdullahu-Dvorani (Zhvillim Ekonomik dhe Bujqësi), Aurora Berisha (Drejtoria e Inspeksionit), Lumnie Krapi (Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë) dhe Flutura Avdiu (Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport). Postet që kanë pasur i kanë mbajtur edhe më tutje Blerim Berisha (Drejtoria për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit), Milaim Hajdari (Drejtoria për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë), Ilir Shala (Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale) dhe Hamdi Krasniqi (Drejtoria për Buxhet dhe Financa).

Në ditët në vijim Lladrovci do ta emërojë edhe drejtorin apo drejtoreshën e Drejtorisë së Arsimit. Në Drenas thonë se edhe Drejtoria e Arsimit do t’i besohet një femre.

Lladrovci: Ka qenë premtim zgjedhor

Se sa do të jenë të suksesshme ato në udhëheqjen e drejtorive që u janë besuar pritet të shihet, por në një debat në Prishtinë, të organizuar nga një qendër për studime gjinore, në të cilin merrnin pjesë gazetarë të të gjitha mediumeve, veprimi i Lladrovcit nuk është vlerësuar shumë, pasi që është konstatuar se gratë për të cilat ka vendosur Lladrovci janë emëruar pa e matur performancën e tyre.

“Ka qenë një premtim që e kam dhënë gjatë fushatës zgjedhore, se 50 për qind të ekzekutivit do ta përbëjnë femrat”, ka thënë Lladrovci.

Menjëherë pasi ua ka dhënë postet e rëndësishme në ekzekutivin komunal, kryetari Lladrovci ka shfrytëzuar rastin që t’i marrë ato me vete për ta vizituar një grua plakë në Gllobarë, e cila kishte dalë për të votuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Drenasit, ndonëse kishte mbushur 98 vjet.

“Bashkë me drejtoreshat e komunës, sot kam vizituar Hamide Morinën në Gllobar, e cila në ditën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, në moshën 98-vjeçare, së bashku me nipa e stërnipa doli të kryejë detyrimin qytetar, doli në vendvotim dhe votoi. Sinqerisht e falënderova për këtë akt qytetarie. Ndjehesha i obliguar që me një buqetë lulesh ta falënderoj për besimin e saj dhe pritjet nga qeverisja, së cilës ajo ia dha votën. Jo vetëm ndaj saj, por edhe ndaj të gjithë qytetarëve të komunës sonë ndihem i obliguar të bëjë më të mirën e mundshme. Kam detyrim t’i përmbush këto pritje”, ka thënë Lladrovci, pas vizitës që bashkë me drejtoreshat e posaemëruara kishte vizituar plaken Hamide Morina në Gllobar.

Më shumë drejtoresha se Mitrovica, Vushtrria e Skenderaj bashkë

Në anën tjetër, në Mitrovicë, Vushtrri dhe në Skenderaj janë vetëm katër femra që udhëheqin drejtoritë komunale, një në Mitrovicë, një në Skenderaj dhe dy në Vushtrri.

Në komunën e Mitrovicës kryetari Agim Bahtiri ia ka dhënë besimin vetëm një femre që të udhëheqë me një drejtori, Vlora Haxhimehmetit, e cila udhëheq Drejtorinë e Shëndetësisë, ndërsa në Skenderaj, kryetari Sami Lushtaku, përkatësisht nënkryetari Fadil Nura, gjithashtu ia kanë dhënë besimin vetëm një femre, Alberta Gjinovcit, e cila udhëheq me Drejtorinë e Administratës.

Në Vushtrri, kryetari Bajram Mulaku ka emëruar dy femra drejtoresha, Arta Haxhaj, e cila udhëheq me Drejtorinë e Zhvillimit Ekonomik, Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Shpresa Rama, drejtoreshë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.