Opozita kërkon bërjen e ushtrisë
Në seancën e sotme Kuvendi do të debatojë për çështjen e formimit të ushtrisë së Kosovës. Opozita thotë se Kosova nuk mund të mbetet peng i deputetëve serbë, të cilët janë të dirigjuar nga Serbia, prandaj opozitarët thonë se Kosova mund të bëhet me ushtri duke i ndryshuar vetëm ligjet, për të cilën gjë nuk nevojiten votat e pakicave
Përderisa drejtuesit e koalicionit qeverisës, PDK-LDK, nuk thonë asgjë më shumë sesa “Kosova do të bëhet me ushtri shumë shpejt”, subjektet opozitare kanë kërkuar që për këtë çështje të debatohet sot në Kuvendin e Kosovës.
Madje, opozitarët thonë se formimi i ushtrisë nuk mund të mbetet peng i deputetëve serbë, prandaj thonë që të enjten pas debatit për çështjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës do të jepen rekomandime me të cilat kërkohet që Qeveria t’i procedojë në Kuvend ligjet për FSK-në në mënyrë që kësaj force t’i jepen kompetencat e një ushtrie.
Edhe ekspertët e çështjeve të sigurisë thonë se nëse serbët nuk pranojnë ndryshimin e Kushtetutës, atëherë ushtria mund të bëhet edhe vetëm me ndryshimin e ligjeve, duke mos iu ndryshuar vetëm emri.
Haradinaj: Zgjedhjet po afrohen, pushteti nuk do të mundë ta gënjejë popullin
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, Daut Haradinaj, i cili ka parashtruar kërkesën për këtë pikë të rendit të ditës, ka thënë se debati për FSK-në është kërkuar me qëllim që të dihen qëndrimet e deputetëve për çështjen e ushtrisë.
“Populli i Kosovës duhet ta shohë qëndrimin e deputetëve dhe besoj që në fund me pajtimin e të gjitha grupeve parlamentare do t’i kërkohet Qeverisë që me urgjencë t’i procedojë projektligjet. Pas debatit do të ketë propozime konkrete, por duhet të presim se si do të jetë qëndrimi i shumicës. Por ata duhet ta kuptojnë se po afrohen zgjedhjet dhe nuk kanë se si ta mashtrojnë popullin për mosbërjen e ushtrisë”, është shprehur Haradinaj në një prononcim për “Zërin”.
Ai më tej ka thënë se nuk mund të pritet deri në pafundësi për votat e Listës Serbe për bërjen e ushtrisë.
“Fatkeqësisht Lista Serbe e ka komandën në Beograd dhe jemi të vetëdijshëm edhe si popull, edhe si deputetë se ata nuk e kanë vullnetin, të paktën momentalisht, për t’i dhënë mbështetje transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura. Por nuk mund të presim deri në pafundësi që Lista Serbe të ketë qëndrim ‘për’. Ne duhet të gjejmë një formë që të krijojmë kapacitetet e nevojshme deri në rrethana kur edhe vetë serbët do ta kuptojnë që kjo është në të mirën e tyre”, ka potencuar Haradinaj.
Edhe anëtari tjetër i Komisionit për Mbikëqyrjen e FSK-së, Zafir Berisha, shprehet optimist se pas debatit ligjvënësit unanimisht do të propozojnë procedimin e ligjeve për FSK-në në mënyrë që kësaj të fundit t’i ndryshohet mandati.
“Meqë barrierat kushtetuese e kanë forcuar Serbinë në Kosovë përmes Listës Serbe, e vetmja mundësi ka mbetur ndryshimin i misionit të FSK-së si variant ‘B’. Prandaj ne kemi nisur një iniciativë që të debatojmë publikisht në seancë. Pra, që të tregohet edhe publikisht gatishmëria për ndryshimin e misionit të FSK-së. Të enjten duhet të rrjedhë unanimisht ideja që të procedohen ligjet për FSK-në dhe misioni i FSK-së nga misioni aktual si forcë civile të kalojë në forcë ushtarake”, ka theksuar Berisha.
Qehaja: Kosova duhet të ketë plan “B”
Eksperti për çështje të sigurisë, Florian Qehaja, ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të caktojnë një afat kohor se deri kur do ta presin mbështetjen e Listës Serbe për ta ndryshuar Kushtetutën.
“Procesi duhet të jetë kësisoj: t’i jepet një ultimatum (afat) Listës Serbe që të reflektojë apo eventualisht ajo të pranojë propozimin, i cili ka rrjedhur nga Rishikimi Strategjik i Sektorit të Sigurisë e kjo është që të ndryshohet Kushtetuta. Pra, ky do të ishte rezultati më i mirë”, ka vlerësuar Qehaja.
Ai më tej ka thënë se nëse brenda periudhës tremujore serbët nuk ndryshojnë qëndrim, atëherë Kosova para faktorit ndërkombëtar duhet të dërgojë mesazhe që janë shtjerrë të gjitha mundësitë për procedimin me planin “A” dhe se kështu duhet të kalohet plani “B”.
“Kjo shkon në favor të pozicionit të Serbisë, i cili është shumë më agresiv kohëve të fundit. Ne do t’i njoftonim partnerët tanë në SHBA dhe të tjerët se janë shtjerrë mundësitë për planin ‘A’ dhe të vazhdojmë në planin tjetër. Plani ‘B’ nuk e bën më pak ushtri apo Forcë të Armatosur sesa plani ‘A’”, ka shtuar Qehaja, duke thënë se FSK-ja do të merrte mandat të mbrojtjes, do ta forconte komponentin e këmbësorisë, të kalonte nga armatimi i lehtë në armatim gjysmë të rëndë, me pajisje të artilerisë së lehtë dhe të rëndë dhe se emri nuk do të ndryshojë deri në një të ardhme