Specialja, 'tërmet' në mars ose në prill

Skena politike në vend mund të “dridhet” në mars ose në prill të këtij viti kur Specialja pritet t’i ngrejë aktakuzat e para. Megjithatë, vlerësohet se aktakuzat e kësaj Gjykate nuk do ta çojnë vendin kah destabilizimi

Aktakuzat e para të Gjykatës Speciale kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së, respektivisht edhe arrestimet e para, pritet të ndodhin gjatë muajve mars ose prill të këtij viti.

Kështu kanë vlerësuar ekspertët e çështjeve juridike dhe kushtetuese, të cilët kanë thënë se Specialja pritet t’i godasë edhe figurat më të rëndësishme të spektrit politik.

Por, megjithëkëtë, ata konsiderojnë se Specialja nuk do të sjellë trazira e as destabilizim të situatës.

Nga ana tjetër, para dy ditësh shefja e misionit të EULEX-it në Kosovë, Alexandra Papadopoulo, zyrtarisht ka emëruar 19 gjykatës në regjistrin e gjykatësve ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara.

 Por, ekspertët vlerësojnë se puna e Speciales nuk do të kryhet vetëm gjatë 2017-s. Përkundrazi, siç konsiderojnë ata, puna e kësaj Gjykate do të zgjasë për vite me radhë.

Gashi: Nuk priten trazira nga Specialja

Ndërkaq avokati, Tomë Gashi, ka vlerësuar se Gjykata Speciale do të sjellë ndryshime drastike në skenën politike.

“Do të ketë ndryshime politike dhe atë mund të ketë ndryshime të thella politike, posaçërisht nëse akuzohen eventualisht udhëheqësit e partive të caktuara politike dhe nëse akuzohen persona që janë në udhëheqjen e shtetit të Kosovës”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Megjithëkëtë, sipas tij, Specialja nuk do të sjellë kurrfarë trazirash.

“Me siguri që nuk priten kurrfarë trazirash për shkak të Gjykatës Speciale, meqenëse kjo Gjykatë mjerisht dhe fatkeqësisht është themeluar me votën e deputetëve të Kuvendit”, ka shtuar Gashi.

Ai më tej ka thënë se ndryshimet politike do të duhej të vinin me zgjedhje e jo me anë të Gjykatës Speciale.

“Është tepër e rëndë që fatkeqësisht Gjykata do të përdoret për ndryshime politike, e ndryshimet politike në shtetet demokratike bëhen me votën e votuesve e jo Gjykata të përdoret për ndryshime politike, por kështu e kemi kërkuar vetë dhe kështu e kanë kërkuar deputetët e Kuvendit kur e kanë votuar ligjin”, ka shtuar ai.

Pallaska: Fillimi i punës së Speciales nuk është i largët

Kurse, avokati Dastid Pallaska ka vlerësuar se fillimi i punës së Gjykatës Speciale tashmë pas emërimit të gjyqtarëve mund të pritet kurdo.

“Duke marrë parasysh që hetimet janë zhvilluar për një periudhë të gjatë kohore, mendoj që fillimi i punës së Gjykatës nuk është shumë i largët”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Sipas tij, personat që pritet të bëhen pjesë e Gjykatës Speciale nuk do të jenë vetëm të profilit të ulët.

“Në mesin e gjyqtarëve të emëruar ka edhe ekspertë të së drejtës ndërkombëtare penale, të specializuar për krime të luftës, që tregon se rastet të cilat do të shqyrtohen në Gjykatën Speciale nuk do të jenë vetëm të profilit të ulët”, ka theksuar ai, me ç’rast ka shtuar se askush përveç subjekteve që do t’i nënshtrohen Gjykatës Speciale nuk mund ta dijë ende kush do të jenë personat që do të akuzohen.

Ndërkohë, ka thënë se kanë qenë dy arsye se pse aktakuzat nuk janë ngritur deri më tani. Njëra, sipas tij, ka të bëjë me mosemërimin e gjykatësve deri më tash.

“Deri më tash aktakuzat nuk kanë mundur të ngrihen për dy arsye: arsyeja e parë, se aktakuza e ngritur i nënshtrohet një shqyrtimi prej gjyqtarit të procedurës paraprake e po ashtu paraburgimi i të pandehurve e kërkon vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake. Duke qenë se nuk ka pasur gjyqtarë, ka qenë e pamundur që këto ngjarje të zhvillohen”, ka theksuar Pallaska. Kurse, arsyeja e dytë, sipas tij, ka të bëjë me atë se ende nuk janë miratuar rregullat e procedurave sa i takon kësaj çështjeje.

Baraliu: Objekt kryesor i goditjes mund të jenë figurat e skenës politike

Ndërkaq Mazllum Baraliu, ekspert i çështjeve kushtetuese, ka vlerësuar se nuk do të ketë destabilizim të situatës në Kosovë me fillimin e punës së Gjykatës Speciale.

“Unë mendoj se nuk ka asnjë arsye që eventualisht të ketë ndonjë destabilizim të situatës në Kosovë pas fillimit të punës së Gjykatës Speciale”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, është momenti i fundit që publiku të përgatitet për gjithçka që mund të ndodhë rreth Gjykatës Speciale.

“Unë mendoj që është momenti i fundit që gjithë opinioni kosovar të përgatitet dhe të ketë një vullnet të mirë për të pritur çdo gjë që do të ndodhë rreth kësaj Gjykate”, është shprehur Baraliu.

Ai më tutje ka thënë se objekt i Speciales mund të jenë figura të njohura të skenës politike në Kosovë.

“Duke u bazuar në raportin e Dick Martyt, pastaj në emërimin e figurave të caktuara në prokurorë, tash ndërrimi i tyre, në një mënyrë apo tjetër janë përmendur emra të caktuar dhe dihet që sigurisht objekti kryesor i goditjes mund të jenë, pa dashur të spekulojmë, figura të rëndësishme në skenën politike”, është shprehur ai.

Baraliu më tej ka thënë se kjo nuk do të thotë se ata që akuzohen do të shpallen fajtorë domosdo. Porse, sipas tij, Kosova si shtet duhet të ballafaqohet me një çështje të tillë.

S’ka të amnistuar nga Specialja

Kurse Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka vlerësuar se arrestimet e para pritet të ndodhin në muajin mars ose në prill.

“Me funksionalizimin e Gjykatës pritet të ngrihen edhe aktakuzat e para, respektivisht edhe arrestimet e para që mund të pritet të ndodhin qysh në muajin mars apo në prill të këtij viti”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, aktakuzat pritet të drejtohen edhe nga personalitetet politike.

“Aktakuzat pritet të jenë të bazuara kryesisht në bazë të supozimeve të paraqitura në raportin e senatorit Dick Marty, ku përmenden figura të larta që sot udhëheqin në Kosovë”, është shprehur Miftaraj.

Nga ana tjetër Dren Ajeti, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka vlerësuar se Specialja është bërë shpresë e qytetarëve për ndërrimin e skenës politike.

“Gjykata Speciale e Kosovës në mendimin e qytetarit kosovar është bërë shpresa e vetme për largimin e një pjese të madhe të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë shtetërorë nga pozitat e tyre dhe rrjedhimisht si mundësi për ta pastruar skenën politike”, ka deklaruar ai.

Sipas Ajetit, një gjë e tillë është frikësuese sepse, ashtu si ai është shprehur, askush nuk flet mbi krimet e mundshme që mund t’i kenë kryer disa individë gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Ndërkohë ka thënë se një pjesë e të akuzuarve pritet të jenë pikërisht fytyra të spektrit politik.

“Duke e ditur se shumë ish-ushtarë të UÇK-së gjatë viteve të luftës kanë veshur pozita të larta ushtarake dhe rrjedhimisht kanë dhënë urdhra të ndryshme, shumë nga ta sot mbajnë pozita të rëndësishme në hierarkinë shtetërore, mund të vijmë në përfundimin logjik se ekziston dyshimi i bazuar se një pjesë e të aktakuzave që pritet të ngrihen së shpejti nga prokurori special do të jenë të drejtuar pikërisht kundër shumë zyrtarëve të lartë shtetërorë”, ka theksuar ai.

Ndërkohë, ka konsideruar se puna e Speciales nuk do të kryhet gjatë 2017-s, por do të zgjasë për vite me radhë.

Ndërkohë, politologu Ramush Tahiri ka vlerësuar se askush nuk është i amnistuar nga Gjykata Speciale pa marrë parasysh postin.

“Gjykata duhet të punojë në bazë të ligjit, rastet janë individuale dhe askush nuk është i amnistuar pa marrë parasysh funksionin që tash mund ta ushtrojë apo që ka pasur në të kaluarën. Gjykata nuk është politike përderisa unanimisht është votuar në Kuvendin e Kosovës dhe nuk është kundërshtuar as nga opinioni publik”, ka deklaruar Tahiri.