In memoriam: Po i mbledh fijet e jetës sime

Intervistë e botuar më 2007

Në një odë moderne, në muret e të cilës qëndronin varur shumë eksponate e murale të karakterit kombëtarë, por edhe piktura moderne e klasike, me një sofër të madhe, në qoshen e të cilës rrinte i ulur një njëri i shtyrë nga mosha, duke pritur miq e mysafirë, gjithnjë i dashur dhe i afërt, ishte Dritëro Agolli, apo siç e quajnë në Tiranë, Dritëroi.

Ai që kishte shkruar perla të vërteta në poezinë shqipe, pa përjashtuar kryeveprat në prozë, tashti pleqërinë po e kalon në një godinë në afërsi të Hotel Tirana Internacional, bashkë me bashkëshorten Sadijen dhe nipat e mbesat e tij.

Ai tashmë kishte rralluar edhe lëvizjet nëpër qytet. Bënte vetëm një relacion deri "në kafenenë e preferuar" ku thotë se "një ditë më nuk do të më shohin kamerierët", për të takuar ndonjë mik, për të pirë një gotë raki rrushi dhe për të djegur një cigare "Lucky Strick".

Dritëroi 75 vjeç, së fundi kishte filluar t'i mbledh fijet e këputura të jetës së tij, të shkruaj autobiografinë. Por, nuk e kishte lënë anash as një përmbledhje aforizmash, që e kishte gati për botim. Madje nuk hezitoi të na sjellë dorëshkrimin e tij të shkruara me një kaliografi prej një mjeshtri të rrallë.

"Autobiografinë e shkruan vetëm ata që janë shtyrë në moshë, ndërsa Ju jeni ende i ri për t'i mbledhur fijet e jetës tuaj", iu drejtuam ne Dritëroit, duke u munduar t'i jap më shumë kurajo, që nga dora e tij të del edhe ndonjë "Pelegrin i vonuar" apo edhe një vepër komike si "Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo".

Mirëpo me buzëqeshje, Dritëroi thotë se po e shkruan atë që ka kaluar dhe bërë nga Devolli, vendlindja e tij, kur ka qenë bari i deleve dhe dhive, jetën e tij student, pastaj si shkrimtar, përfshirjen në politikë dhe heshtjen... "Në Shqipëri një vit i ka pesë stinë. Ka pranverën, verën, vjeshtën, dimrin dhe politikën. Katra të parat i kanë nga tre muaj, kurse politika i ka dymbëdhjetë muaj", është njëra nga aforizmat e Agollit, që e shkëputur nga dorëshkrimi i tij.

Agolli për një çast e harroi letërsinë dhe hyri në politikë. Më një ndjenjë kombëtare shumë më theksuar dhe më mprehtë se të tjerët dhe duke qenë më shumë racional, ai thotë se pavarësia e Kosovës mund të shtyhet po që do të ndodhë pashmangshëm.

Me pavarësimin e Kosovës, Dritëroi thotë se po ndodhë faza e tretë e bashkimit shpirtëror të shqiptarëve. Sipas tij, ka mbet edhe një fazë, ajo e katërta që është e fundit, bashkimi i shqiptarëve në një shtet ta vetëm. Edhe kjo, sipas tij, do të ndodhë, por thotë se ai vetë nuk do ta jetojë atë. Megjithatë kohën më të madhe të diskursit politik, Dritëroi ia kushtoi Kosovës dhe refleksioneve politike rreth saj. I bindur se procesi do të përmbyllet me sukses, ai thotë se duhet pasur edhe pak durim.

Gjatë një orë vizite që i bëmë Dritëroit në Tiranë, e shoqja e tij Sadija që gjithashtu ishte me profesion filologe, edhe pse e shtyrë në moshe, nuk hezitonte të na shërbejë me një gotë raki dhe me ëmbëlsira të shtëpisë. Ajo madje në disa raste dhe e plotësonte të shoqin me ndonjë mendim që natyrisht Dritëroi i merrte këshilla konstruktive.

Me Agollin u munduam të shoshitim edhe gjera të tjerë që lidhën më kulturën letrare, me gjuhën e unisuar shqipe, për debatin Kadare-Qosja dhe gjera të tjera. Ai me ngulmëni mbron parimin se e arritura më e madhe e shqiptarëve të ndarë në pesë shtete, është gjuha e unisuar.

Ata burra që kanë mbajtur Kongresin e Drejtshkrimit në vitin 1972, Eqrem Çabej, Lasgush Poradeci, Idriz Ajeti, Mahir Domi etj, sipas tij, kanë shkruar kryeveprën shqiptare, ndërsa mendimet e tjera se shqipja duhet të ndahet në dy dialekte, siç tha Agolli, janë denigruese dhe të rrezikshme. Ai madje tha se diskursi letrar nuk e përjashton mundësinë që poeti apo prozatori të përdorë edhe fjalë nga dialektet, por se gjuha e unisuar dhe drejtshkrimi duhet të mbetet parim i pathyeshëm.

Letërsia duhet të jetë si një ajsberg, vetëm një e shtata duket me sy, kurse pjesa tjetër duhet të nënkuptohet, thotë ai. Megjithatë, Agolli një rrezik permanente për kulturën e popujve të vegjël, e sheh përdorimin e interalizmave, me theks të veçantë globalizmin në letërsi. Ai thotë se globalizimi mund të rrezikojë kulturën e popujve të vegjël.

Ndërsa, në pyetjen se cili nga dy figurat më të rëndësishme të letërsisë shqipe e ka më drejt, Kadare që mbron parimin se shqiptarët kanë kulturën më shumë perëndimore, apo Qosja që mbron parimin pro-lindor, Agolli duke mos hyrë në detaje, më shumë duket se e përkrah Qosjen.

Megjithatë ai thotë se shqiptarët e kanë një dobësi në shpirtin e tyre, mungesën për t'i rrahur mendimet e kundërta.

Edhe pse Dritëroi banon në një godinë me Kadarenë, madje atë e ka edhe fqiun e parë, në asnjë mënyrë ai nuk i mbanë anën komshisë së tij. Ai mori një shembull kur ka qenë për herë të parë në Stamboll të Turqisë. Dhe në hotelin ku ka banuar thotë se kishte problem me kaloriferin. Nuk dinte se si të merret vesh me që turqishten nuk e zotëronte.

"Atëherë mendova, pse nuk i bashkoj disa fjalë që në zhargonin shqip përdorën nga turqishtja. I bashkova fjalët. Abe, kalorifer, dembel, odë dhe rehat. Dhe i thash. Abej, oda jok rahat. Kalorifer dembel. Dhe mbikëqyrësi i hotelit e kuptoi menjëherë këtë", tha Dritëroi duke treguar se nuk mund t'i ikë kulturës së lindjes e cila ka lënë gjurmë tek ne.

Edhe shumë gjera të tjera biseduam me figurën më markante të letërsisë dhe kulturës shqiptare, të rëndësishme dhe të parëndësishme, dhe në fund mbyllëm derën e madhe të familjes Agolli, duke lënë pas në pozicionet e njëjta, të palëkundur dhe stoikisht të vendosur..., "njeriun me top".