Të pagjeturit, peng i politikës
Ende nuk ka informacione për fatin e 1650 kosovarëve të zhdukur gjatë luftës. Nga ta shumica janë civilë shqiptarë derisa më pak se 400 janë serbë dhe nga komunitetet e tjera. Politika shihet si pengesë për zbardhjen e fatit të tyre
Rreth 1650 persona nga Kosova po kërkohen që nga paslufta e familjarët nuk ua dinë as varret. Pjesa dërrmuese e tyre janë shqiptarë, derisa sipas listave të Serbisë janë më pak se 400 persona nga komuniteti serb dhe nga pakicat e tjera në Kosovë, të cilët figurojnë si të pagjetur.
Nga ana e palës serbe ende ka hezitime për të dhënë informacione në lidhje me fatin e shumicës së të zhdukurve.
Ibrahim Makolli, kryesues i delegacionit për bisedime në lidhje me të pagjeturit, ka thënë për "Zërin" se problemi më i madh në lidhje me të pagjeturit është mungesa e informatave, si dhe mungesa e gatishmërisë për të ofruar informata nga ana e palës serbe me vendndodhjen e të pagjeturve.
Serbia nuk jep informacione për të pagjeturit
Pala serbe, sipas Makollit, ka informacione për pjesën dërrmuese të të zhdukurve pasi gjatë periudhës së luftës janë arrestuar ose janë marrë nga forcat ushtarake shumë qytetarë të Kosovës dhe për fatin e tyre nuk dihet.
"Kështu sot kemi mungesë vullneti për informacione për vendndodhjen e tyre", ka thënë Makolli.
Ai ka shtuar se një problem në vete paraqesin informatat jomirë të verifikuara derisa duke u bazuar në to domosdo që duhen bërë hulumtime të lokacioneve ku ka dyshime.
"Kështu kemi pasur një numër të lokacioneve që kanë ndodhur hulumtime e të cilat kanë rezultuar negativisht", ka thënë Makolli.
Ai është shprehur se është e njohur për opinionin se në Kizhevak të Serbisë po hyhet në vitin e tretë që kanë filluar punimet dhe ka pasur katër herë ndërprerje të punimeve për shkaqe të ndryshme, qoftë për çështje klimatike apo financiare.
"Presim që posa të përmirësohen kushtet të vazhdojnë gërmimet", tha Makolli.
I pyetur në lidhje me bisedimet që po ndërmjetësohen nga Kryqi i Kuq, ai tha se shumica e gjetjeve që kanë ndodhur në këto vjet janë edhe si rezultat i bisedave të cilat janë zhvilluar dhe informatave që janë ofruar përmes Kryqit të Kuq.
"Ne jemi të pakënaqur me ecjen e informatave. Sepse nëse jo për të gjithë, informata ka për shumicën dërrmuese", ka thënë Makolli.
Ai është shprehur se mbi këtë bazë është kërkuar edhe nga autoritetet ndërkombëtare që të bëjnë edhe presion direkt mbi Serbinë që t’i hapë arkivat.
"Hapja e arkivit është pa dyshim çështje politike derisa në krye të institucioneve vazhdojnë të jenë personat e njëjtë që kanë qenë pjesë e luftës në Kosovë", ka thënë Makolli.
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Prenk Gjetaj, ka thënë se të pagjeturit janë prioritet i Qeverisë. Ai ka thënë se janë në fazën e përgatitjes dhe planifikimit për vitin 2017.
Planet, sipas tij, janë që gjitha lokacionet të cilat janë të dyshimta të vlerësohen. Pastaj, tha ai, projekti i bazës së të dhënave të përfundojë dhe të punohet për të dhënat për rastet e mbyllura.
Kështu, sipas tij, zgjidhet regjistri qendror zyrtar. Plane ai tha se ka edhe për ngritjen e memorialëve. Ndërkohë, tha ai, tashmë janë dhënë urdhëresat zyrtare për të bërë gërmime në disa lokacione.
Procesi i zbardhjes së të pagjeturve ka pasur ngecje
Bekim Blakaj, nga Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH), ka deklaruar se zbardhja e fatit të personave të zhdukur është duke u zvarritur për shkak të mungesës së informacioneve mbi varrezat e mundshme masive dhe individuale.
"Megjithatë, mendoj se duhet bërë përpjekje shtesë që të arrihet te informacionet që mund të shpijnë në zbulimin e varrezave të fshehta. Mendoj se informacione mund të ketë ende, por duhet të punohet më shumë që të gjenden këto informacione", ka thënë Blakaj.
Ai është shprehur se viteve të fundit ky proces ka pasur ngecje.
"Suksesi i fundit ka qenë zbulimi i varrezës masive në Rudnicë. Unë nuk kam ndonjë informacion se gjatë vitit të fundit ka pasur ndonjë progres në këtë drejtim. Në këtë moment nuk shoh në horizont ndonjë sinjal se do të ketë një përshpejtim apo sukses të rëndësishëm në procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur", ka thënë ai.
Fondi për të Drejtën Humanitare ka rekomanduar autoritetet kosovare për vite me radhë që çështja e personave të zhdukur të ngrihet në një nivel më të lartë politik, gjegjësisht të insistohet që të futet si temë në dialogun në mes Kosovës dhe të Serbisë në Bruksel.
"Vetëm një përkushtim dhe vullnet politik mund t’i rrisë gjasat që të zbardhet fati i më shumë personave të zhdukur", është shprehur ai.
Se a janë të pagjeturit peng i drejtësisë apo i politikës, Blakaj ka thënë se kjo çështje është më e komplikuar se kaq dhe se ka shumë faktorë që e pengojnë procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur.
"Megjithatë, njëri ndër problemet kryesore se pse ka mungesë informacionesh për vendndodhjen e varrezave masive apo individuale është frika nga përgjegjësia penale. Sigurisht që informacionin mbi lokacionin e varrezave e dinë ata që kanë qenë përgjegjës apo bashkëfajtorë në krime dhe ata kanë frikë nga përgjegjësia penale, prandaj edhe heshtin në lidhje me lokacionet e varrezave", ka thënë ai.
Blakaj megjithatë ka thënë se është mirë që të dyja palët kanë formuar delegacionet për personat e zhdukur dhe se takohen rregullisht.
Mirëpo, takimet e rregullta të tyre, sipas tij, nuk kanë sjellë ndonjë progres të dukshëm në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe nuk i kanë përmbushur pritjet e familjarëve të të zhdukurve.
Ndryshe, prej janarit 1998 e deri në vitin 2000 Fondi i ka evidentuar dhe ka dokumentar 13400 persona të vrarë dhe të zhdukur, duke shtuar se shumica prej tyre, 10500 persona, janë shqiptarë.
Viktimat e tjera i takojnë komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera që jetojnë në Kosovë.
Në bazë të statusit të viktimave, respektivisht të të vrarëve apo të të zhdukurve del se pjesa dërrmuese janë civilë.