Ministri Hoxhaj, letër 49 ministrave të Jashtëm

 Dy ditë pas provokimit me trenin “rus”, më 16 janar ministri Hoxhaj ua ka nisur një letër 49  homologëve të tij, duke ua bërë me dije se ky rast nuk është i izoluar, por pjesë e një qasjeje sistematike armiqësore e Serbisë ndaj Kosovës. Në letër përmenden deklaratat, ndërtimi i murit, tërheqja e ministrave serbë dhe e deputetëve nga institucionet e Kosovës, arrestimi i z. Haradinajt, i Nehat Thaçit, etj, shkruan sot, gazeta Zeri.

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, u ka dërguar letër personale katërfaqëshe 49 ministrave të Jashtëm, në të cilën është detajuar rasti i përpjekjes provokuese për ta futur një tren ilegal nga Beogradi në Kosovë dhe të ngjarjeve të fundit të interferimeve direkte të Beogradit në Kosovë.

Dy ditë pas provokimit me trenin “rus”, më 16 janar ministri Hoxhaj ua ka nisur këtë letër homologëve të tij duke ua bërë me dije që ky rast nuk është i izoluar, por pjesë e një qasjeje sistematike armiqësore e Serbisë ndaj Kosovës, në të cilën përmenden deklaratat, ndërtimi i murit, tërheqja e ministrave serbë dhe e deputetëve nga institucionet e Kosovës, arrestimi i z. Haradinajt, i Nehat Thaçit, etj.

“Ka pretendime të Serbisë për ta realizuar vetveten jashtë kufijve të saj dhe që rrezikon stabilitetin jo vetëm të Kosovës, por edhe të rajonit”, shkruan në letër, të siguruar nga gazeta “Zëri”

Hoxhaj përmes kësaj letre kërkon nga BE-ja që të jetë më e vëmendshme ndaj Serbisë për shkak se ka një gamë në rritje dhe të gjerë të provokimeve të Serbisë ndaj Kosovës.

“Kosova është detyruar ta mbrojë sovranitetin e saj duke mos lejuar të hyjë dhe që t’i mbrojë kufijtë shtetërorë”, shkruan Hoxhaj në letrën drejtuar homologëve të tij.

 Ministri Hoxhaj ka potencuar se Kosova ka treguar maturi në sjellje e deklarata dhe mbetet e angazhuar për vazhdimin e dialogut, normalizimin e raporteve që dërgojnë të dyja shtetet në BE.

Mst: Beogradi ka zgjeruar fushatën intensive

“Në javët dhe në muajt e fundit Republika e Kosovës ka qenë subjekt i veprimeve të shumta provokuese dhe agresive nga ana e Qeverisë së Serbisë. Më 14 janar 2017, qeveria e Serbisë njoftoi për hapjen e një linje ilegale direkte të trenit nga Beogradi për në Mitrovicë, të veshur me mesazhe kontroverse dhe provokuese. Si manifestim vizual i pretendimeve të Serbisë për Kosovën treni përfaqësonte një lëvizje të papranueshme të Serbisë me qëllim të minimit të normalizimit të raporteve dhe fqinjësisë së mirë”, shkruan në letrën e dërguar ministrave të Jashtëm ministri Enver Hoxhaj

Ai ka ngritur shqetësimin se qeveria serbe ka zgjeruar një fushatë intensive të keqinformimit dhe provokimit ndaj Republikës së Kosovës.

“Më 14 janar 2017, kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq, ka lëshuar një deklaratë ku rrejshëm akuzon Kosovën gjoja për tentime për të hedhur në erë pjesë të hekurudhës në veri të Kosovës dhe për ta parandaluar hyrjen e trenit provokues. Është tmerruese të dëgjosh deklarata të tilla keqinformuese nga një kryeministër serb, të cilat ne i kuptojmë si asgjë tjetër pos një përpjekje për mbulimin e veprimeve të tyre agresive dhe ndërhyrëse ndaj Kosovës. Më 14 janar 2017, presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, ka kërcënuar haptas me përdorim të forcës dhe dërgim të ushtrisë serbe në Kosovë, me arsyetimin se duan ta mbrojnë komunitetin serb në Kosovë”, ka thënë Hoxhaj.

Treni nuk është përpjekja e vetme dhe e fundit

Fatkeqësisht, përpjekja për futjen e trenit provokues nuk është një akt i izoluar, por është vetëm ngjarja më e re në kuadër të veprimeve agresive dhe provokuese që Serbia ka ndërmarrë kundër sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.

“Së fundmi, qeveria e Serbisë ka marrë masa të njëanshme dhe agresive duke kërkuar ndjekjen penale politike dhe të paligjshme dhe ekstradimin e ish-udhëheqësve politikë dhe ushtarakë në rajon. Më 04 janar 2017, Franca ndaloi ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn, duke u bazuar në një fletarrestim të lëshuar nga autoritetet e Serbisë në INTERPOL”, shkruan më tutje në letër.

“Më 29 shtator 2016, autoritetet e Serbisë arrestuan z. Nehat Thaçin, komandant regjional i Policisë së Kosovës, nën dyshime të rrejshme dhe të pabaza për përfshirjen e pretenduar të tij në krime lufte. Kjo jo vetëm që dëshmon sjelljen agresive dhe konfrontuese të Serbisë karshi Kosovës, por gjithashtu përbën shkelje flagrante të rregullave elementare të drejtësisë ndërkombëtare dhe abuzim të Marrëveshjes për Liri të Lëvizjes, e arritur si pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Z. Thaçi u lirua pas më se një muaji mbajtjeje të pabazë në paraburgim, duke dëshmuar edhe një herë që arrestimi dhe ndalimi i tij ishte i motivuar politikisht dhe i pabazë”, thuhet mes tjerash në letër.

Ai më teje ka lajmëruar homologët e tij se “Qeveria e Serbisë ka urdhëruar haptas anëtarët serbë të Parlamentit dhe të Qeverisë së Kosovës t’i bojkotojnë aktivitetet e institucioneve të Kosovës, gjë që ka për qëllim minimin e shoqërisë multietnike të Kosovës. Qeveria serbe jo vetëm që ka dështuar deri më tani në zbatimin e dhjetëra marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve, por ka vazhduar t’i financojë strukturat e saj paralele dhe ilegale brenda territorit të Kosovës, të cilat minojnë sovranitetin e brendshëm të Kosovës, pengojnë integrimin e komunitetit serb në institucione dhe në shoqëri dhe kërcënojnë stabilitetin e rajonit”.

Qeveria e Serbisë urdhëroi ndërtimin e murit

“Më 07 dhjetor 2016, Qeveria e Serbisë urdhëroi ndërtimin e një muri në pjesën veriore të lumit Ibër, në Mitrovicë, duke bërë shkelje flagrante të marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe duke devijuar nga Marrëveshja e arritur për Rivitalizimin e Urës mbi Lumin Ibër. Ky veprim provokues ka për qëllim të shkaktojë përçarje etnike në Kosovë dhe ta dëmtojë normalizimin e marrëdhënieve. Përpjekjet e Serbisë për të krijuar hapësira njëetnike në territorin e Kosovës janë të kundërligjshme dhe të papranueshme”, shkruan në letër.

Ai ia ka bërë të ditur BE-së se më herët, në tetor 2016, Serbia ka ndërhyrë në menaxhimin strategjik të pronave të brendshme të Kosovës, duke kundërshtuar miratimin e Ligjit për :Trepçën”, qëllimi i vetëm i të cilit ishte evitimi i rrezikut të inicimit të procedurave të likuidimit të kësaj ndërmarrjeje, proces i cili do t’i shkaktonte dëme të pariparueshme vetë ndërmarrjes, punëtorëve të saj dhe stabilitetit ekonomik dhe shoqëror të Kosovës.

“Për Qeverinë e Kosovës shfrytëzimi i duhur i resurseve natyrore është prioritet strategjik dhe me interes vital për qytetarët e Kosovës. Ndërhyrja në çështjet ekonomike të Kosovës dhe përpjekja e tyre për t’i manipuluar serbët lokalë që jetojnë në Kosovë, edhe një herë ilustron qasjen agresive të Serbisë ndaj Kosovës, e cila dëmton rëndë normalizimin e marrëdhënieve dhe pajtimin në rajon”, shkruan në letrën e detajuar nga Hoxhaj.

Në fund, Hoxha paralajmëron se politika e re e Serbisë kundër Kosovës përfaqëson jo vetëm devijim fundamental të Serbisë nga zotimi për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, por përfaqëson devijim domethënës nga rruga e saj e integrimit evropian, si dhe kërcënim të ri në aspektin e sigurisë të të gjitha vendeve në Ballkanin Perëndimor.

“Duke marrë parasysh që Serbia po kërkon të zgjerohet jashtë kufijve të saj, komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë i vetëdijshëm dhe ta marrë në konsideratë ndërmarrjen e të gjitha masave parandaluese në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon. Kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë ndaj Kosovës janë edhe kërcënime për sigurinë rajonale”, përfundon letra e Hoxhajt drejtuar homologëve të tij.