Molliqaj: Ramush Haradinaj duhet të lirohet menjëherë dhe pa kushte

Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj mendon se Ramush Haradinaj duhet të lirohet menjëherë dhe pa kushte.

Molliqaj përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se duhet të angazhohemi për një Republikë të Re që e njeh përpjekjen e popullit për çlirim dhe atë e ka bazë në dokumentet themeltare të shtetit.

Ky është postimi i tij i plotë:

Dje dhe sot pati shumë reagime kundër arrestimit të Ramush Haradinajt në Francë. Përveç reagimeve, u dhanë edhe shumë propozime në lidhje me raportet e Kosovës me Serbinë.

Por, problemi nuk është tek propozimet e masave ndaj Serbisë, por tek kuptimi i vërtetë i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Përderisa Serbia e sheh Kosovën si pjesë të saj, ndërsa luftën e UÇK-së si luftë kriminale, Kosova nuk e përmend askund në dokumentet e saj themeltare luftën e UÇK-së. Pra as në Kushtetutë, e as në Deklaratën e Pavarësisë. Dorën në zemër, në këtë pikë nuk ka qenë si duhet as vet AAK-ja (nuk e kanë kundërshtuar as Pakon e Ahtisaarit e as Kushtetutën e Kosovës dhe e kanë mbështetur bukur gjatë dialogun me Serbinë). E mos të flasim per partitë në pushtet.

Thirrja jonë duhet të jetë ndryshimi i Kosovës në raport me Serbinë e jo anasjelltas. Duhet të angazhohemi për një Republikë të Re që e njeh përpjekjen e popullit per çlirim dhe atë e ka bazë në dokumentet themeltare të shtetit. Vetëm një Republikë e Re është garant për lëvizjen e lirë të çlirimtarëve tanë.

Ramush Haradinaj duhet të lirohet menjëherë dhe pa kushte. Por edhe krijimi i Repubikës së Re është urgjent dhe i domosdoshëm.