Politika e jashtme e Kosovës dhe faktori kohë në vitin 2017
Mysafirin e fundit që e kishim për vizitë në Prishtinë këtë vit ishte ministri i Punëve të Jashtme i Italisë, Angelino Alfano, i cili gjatë bisedës kur po shkëmbenim ide për shpejtësinë që Evropa mund të lëvizë në vitin 2017, më tha se “njeriu mund të presë çdo gjë nga Evropa, por jo shpejtësinë”. Kam jetuar një kohë të gjatë në Evropë dhe për shumë vite pikëpamja e njërit prej sociologëve më të famshëm dhe me ndikim, Ernest Gellner, se shtetet e Evropës lëvizin me tri shpejtësi ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në botëkuptimin tim intelektual e politik. Sipas tij, shtetet e Evropës Perëndimore janë në shpejtësinë e parë, në kuptimin e progresit dhe modernizimit të brendshëm të tyre. Shtetet e Evropës Lindore janë në shpejtësinë e dytë përderisa Ballkani gjendet në shpejtësinë e tretë.
Dilema që do ta ketë Ballkani dhe Evropa në vitin 2017 është se me çfarë shpejtësie do të lëvizin këto shtete drejt zhvillimit dhe modernizimit. Prandaj, ky shkrim synon të reflektojë se si politika e jashtme mund t’ia ofrojë një shpejtësi të caktuar modernizimit, progresit dhe hapjes së brendshme të vendit. Se si Kosova mund të shërbejë si shembull i adresimit të sfidave historike në rajon dhe që përpiqet të ushtrojë ndikim si shtet i ri dhe i vogël. Janë disa qëllime dhe pritje për vitin 2017 që Kosova duhet t’i synojë:
Qëllimi i parë ka të bëjë me atë se si Kosova si një shtet i ri të ketë vazhdimësi, koordinim dhe koherencë në politikën e jashtme. Vazhdimësia në jetësimin e prioriteteve të përcaktuara në programin e Qeverisë dhe koherenca sa i takon orientimeve tona afatgjata janë vitale për një politikë të jashtme të suksesshme. Kjo ka të bëjë me përmbushjen e interesave bazike të Kosovës, por edhe me ruajtjen e kredibilitetit dhe prestigjit të shtetit tonë. Një shtet i ri si Kosova mund t’i përmbushë pritjet e tij dhe të rrisë ndikimin nëse politika e jashtme ka një vizion strategjik, të cilën e kultivon vazhdimisht.
Ministria e Punëve të Jashtme mund të jetë një platformë edhe më e mirë për të arritur një vizion të këtillë. Prioritetet e politikës së jashtme nuk janë në asnjë mënyrë monopol i ndonjë ministrie të vetme, porse ato duhet t’i gërshetojnë interesat dhe kërkesat e një shoqërie të tërë. Çdoherë duhet të synohet një koordinim shumë më i mirë në politikën e jashtme dhe që promovon një qasje ndërsektoriale në ndjekjen e saj. Mbi të gjitha, synohet që vitin e ardhshëm të ketë qëllime të matshme dhe pritje konkrete, aty ku diplomacia e Kosovës mund ta japë kontributin e saj. Një dialog që mund ta projektojmë në mes të diplomacisë, mes shtetit dhe shoqërisë si tërësi.
Megjithatë, koordinimi nuk ka të bëjë vetëm me ne si Kosovë, por ka të bëjë sesi ne të koordinohemi dhe të jemi edhe më koherentë në qëndrimet tona me partnerët tanë amerikanë dhe evropianë. Asnjë marrëdhënie ndërshtetërore e Kosovës nuk është më me rëndësi sesa lidhja jonë e veçantë me Amerikën. Por koordinimi ka të bëjë edhe me partnerët tanë evropianë, ku marrëdhënia jonë më e re me BE-në pas nënshkrimit dhe fillimit të zbatimit të MSA-së është jetike për zhvillimet tona të brendshme dhe për të ardhmen evropiane.
Qëllimi i dytë ndërlidhet me pikënisjen se politika e jashtme e Kosovës, sikurse e çdo shteti, është zgjatje dhe zgjerim i politikës së brendshme. Përmes një politike të jashtme aktive, si një shtet i vogël, ne synojmë që t’i përmbushim interesat tona të brendshme. Në një botë të ndërvarur, të pasigurt dhe e cila po ndryshon shpejt, siguria dhe e ardhmja euroatlantike ka të bëjë me ekzistencën tonë dhe të ardhmen tonë më të sigurt. Për Kosovën, letra e dërguar nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s është një kapitull i ri bashkëveprimi në mes të kësaj Aleance dhe Kosovës, të cilën duhet ta shkruajmë së bashku gjatë viteve të ardhshme.
Nuk ka shembull më të mirë për të treguar sesi përmes politikës së jashtme përmbushen interesat e brendshme sesa zbatimi i MSA-së dhe qasja e Kosovës në programet e BE-së. Por, është e pakuptimtë që për arsye të brendshme dhe të jashtme Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk ka liberalizim të vizave. Sikurse është po ashtu e pakuptimtë që Kosova është shteti i vetëm në rajon që nuk është vend kandidat për anëtarësim në BE, prandaj viti 2017 duhet të përfundojë me aplikim e statusit të kandidatit. Një vëmendje të veçantë duhet t’i kushtohet diplomacisë ekonomike, e cila duhet të jetë ndër prioritetet tona më të mëdha për vitin e ardhshëm. Investimet e huaj direkte, krijimi i vendeve të reja të punës dhe bashkëpunimi ekonomik duhet të jenë fokusi ynë për vitin e ardhshëm. Tek bashkëpunimi ekonomik, partneriteti strategjik me Shqipërinë merr kuptim nëse ka më shumë shkëmbime tregtare dhe projekte të tjera të përbashkëta ekonomike, arsimore dhe kulturore.
Së treti, përgjatë nëntë vjetëve që prej shpalljes së pavarësisë, Kosova ka pasur arritje të mëdha në rrethana ndërkombëtare të favorshme. Mirëpo, që nga viti 2008 e deri më sot asnjëherë nuk ka ndryshuar më shumë konteksti rajonal ballkanik dhe ai evropian sesa në dy vjetët e fundit, pas vitit 2014. Është më se e sigurt që rajoni ka perspektivë të qartë euroatlantike, porse ai ballafaqohet me kërcënimet globale nga akterë të tretë dhe joperëndimorë. Prandaj ne duhet ta lexojmë dhe rilexojmë në baza ditore rajonin e Ballkanit dhe të kërkojmë alternativa të reja për një ndikim më të madh politik në rajon dhe bashkëpunim më të mirë me të gjitha vendet fqinje dhe me vendet e tjera që nuk e kanë njohur Kosovën. Në raport me Serbinë, dialogu duhet të vazhdojë por edhe të shikohet çfarë duhet të ndryshohet që të mos mbetet instrumenti i vetëm për normalizim të marrëdhënieve. Ne duhet të kemi një politikë të mirëfilltë si t’i qasemi Serbisë. Dialogu pa njohjen si qëllim final është i pakuptimtë dhe nuk i shërben as Kosovës e as Serbisë dhe nuk i shërben rajonit.
Me vullnet, vendosmëri dhe besim duhet ta vazhdojmë procesin e kompletimit të sovranitetit të jashtëm të Kosovës, duke rritur numrin e njohjeve dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Përvoja e Kosovës flet se në procesin e kompletimit të sovranitetit ne duhet t’i arrijmë qëllimet tona në faza dhe në mënyrë graduale. Natyrisht që kjo është e lodhshme dhe kërkon shumë energji, por është qasja më e sigurt dhe e vetme për të marrë njohje dhe për të siguruar anëtarësime. Në fakt, është alternativa e vetme që kemi, deri në anëtarësimin tonë në OKB.
Sigurimi i njohjeve nga 2/3 e shteteve anëtare të OKB-së duhet të shihet si një prag kritik i domosdoshëm për të bërë të mundshëm anëtarësimin në shumë organizata ndërkombëtare. Kosova nuk ka nevojë që të aplikojë kudo, por është jetike për të që të aplikojë për anëtarësim në Këshill të Evropës, gjë që do të marrë kohë disa vite, sikurse të bëhet anëtare e plotë në INTERPOL dhe në UNESCO. Njohjet dhe anëtarësimet kanë të bëjnë me zgjerimin e sovranitetit, ndërsa ne duhet të kemi kapacitete institucionale edhe për të ushtruar sovranitetin. Kjo ndodh përmes bashkëpunimit më të madh bilateral dhe pjesëmarrjes multilaterale. Nëse bota po ndryshon, pyetja shtrohet: Cila është aftësia jonë për t’u përshtatur rrethanave komplekse dhe çfarë duhet të bëjmë që të kemi bashkëpunim me vende në gjeografi të largëta, cilat janë me ndikim dhe nuk e kanë njohur Kosovën? Çfarë duhet të bëjë Kosova që të përshtatet në ndërlikushmëri duke ndjekur qëllimet e saj vitale?
E ardhmja nuk është një fat i pashmangshëm, por sesi popujt i japin kuptim kohës dhe hapësirës. Ne jemi për t’i dhënë kuptim politikës së jashtme të Kosovës, të paktën për vitin 2017! Por është një pikëpamje e ngushtë nëse mendohet se vetëm diplomacia mund t’i japë kuptim politikës së jashtme. Asaj mund t’i japë kuptim çdo institucion, secila OJQ, medie, universitet apo individ – qoftë në politikë ose jashtë saj. Sot jetojmë në një kohë kur ndryshimi brenda një periudhe 10-vjeçare është më i madh sesa gjatë historisë që ishte përbrenda një shekulli. Në një kohë të ndryshimeve të tilla shteti i ri i Kosovës duhet të shihet dhe të kuptohet jo vetëm si një entitet institucional dhe gjeografik, por edhe si entitet kohor. Ndër pyetjet bazike për vitin 2017 është - me çfarë shpejtësie vendi ynë mund të lëvizë në raport me të tjerët? Kjo do të thotë se sa do të reformohet Kosova në planin e saj të brendshëm që t’i përmbushë kërkesat e qytetarëve? Sa do të hapet vendi në raport me botën e jashtme që do të thotë sa do të integrohemi në shoqërinë ndërkombëtare? Kjo ka të bëjë me atë se sa do të jemi të barabartë me të tjerët me të drejtat dhe mundësitë? Dhe sa do të ecim në hap me kohën?
Autori është ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës.