Ministria e Integrimit pa ministër, Kosova pa integrim

Me gjithë vështirësitë e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, Ministria e Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës qe disa muaj ka mbetur pa “zot shtëpie”, pasi që ish-ministri Bekim Çollaku ka lënë këtë dikaster qeveritar për të shkuar në kabinetin e presidentit Hashim Thaçi. Partnerët e koalicionit qeverisës ende nuk kanë arritur ta emërojnë ministrin e ri

Integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian nuk do të jetë një proces i lehtë dhe i shpejtë. Përkundrazi, ky rrugëtim mund të zgjasë me vite të tëra. Me gjithë vështirësitë e këtij procesi, Ministria e Integrimeve Evropiane qe disa muaj ka mbetur pa “zot shtëpie”, pasi që ish-ministri Bekim Çollaku ka lënë këtë dikaster qeveritar për të shkuar në kabinetin e presidentit Hashim Thaçi.

Të gjithë drejtuesit e institucioneve vendore kanë premtuar vazhdimisht se këtë vit BE-ja do t’ia heqë vizat Kosovës, por për shkak të mosratifikimit të Marrëveshjes së Kufirit me Malin e Zi , si dhe mosluftimin e korrupsionit një gjë e tillë nuk ka ndodhur as sivjet. Shpresat janë se liberalizimi i vizave me BE-në mund të ndodhë gjatë vitit 2017.

Mazreku: Për t’u funksionalizuar procesi duhet të ndërrohet qasja

Avni Mazreku, profesor i së Drejtës Evropiane, ka vlerësuar se Ministria e Integrimit bashkë me disa të tjera janë të panevojshme.

“Ministria për Integrime Evropiane nuk ka kompetenca ekzekutive. Ministria e Integrimeve, e Diasporës dhe katër ministri të tjera janë të panevojshme të ekzistojnë në Kosovë”, ka deklaruar ai në një prononcim për “Zërin”.

Sipas tij, anëtarësimi i një shteti në BE nuk varet vetëm prej një ministrie.

“Procesi i anëtarësimit të një shteti nuk është çështje e një ministrie, procesi i anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian është një çështje e cila i përfshin 35 sektorë, që nënkupton të gjitha kapacitetet e institucioneve nga lëvizja e lirë e mallrave e deri te çështjet që kanë të bëjnë me hulumtimet shkencore”, ka potencuar ai.

Mazreku më tej ka thënë se lidhur me procesin e integrimit Ministria e Integrimit ka pasur vetëm rol koordinues. Ndërkohë, për t’u funksionalizuar tërë ky proces, sipas tij, duhet të ndërrohet tërësisht qasja që ka Kosova.

“Për t’u funksionalizuar ky proces dhe për t’u shkurtuar koha e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian duhet të ndërrohet qasja, të cilën e ka Kosova në raport me procesin. Qasja e Kosovës në raport me këtë proces është krejtësisht deklarative, nuk është pragmatike”, ka përfunduar Mazreku.

Murati: Kosovës i duhen edhe 10 vjet për t’iu afruar BE-së

Kurse Artan Murati, njohës i proceseve integruese dhe hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, ka vlerësuar se lënia e Ministrisë së Integrimeve pa ministër paraqet një “anomali”.

“Në aspektin e funksionimit normal të institucioneve të vendit mungesa e ministrit për Ministrinë e Integrimit Evropian paraqet një anomali, pasi që një ministri me detyra e përgjegjësi shumë të rëndësishme në procesin e integrimit të vendit në BE assesi nuk guxon të mbetet pa zot shtëpie”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Murati më tej ka thënë se Ministria në fjalë përpos MSA-së nuk ka sjellë ndonjë rezultat tjetër për t’u mburrur.

“Ministria e Integrimeve në përgjithësi ka tentuar ta trasojë rrugën e vendit drejt këtij procesi, mirëpo deri më tani përveç nënshkrimit të MSA-së nuk mund të mburremi me procesin e arritur”, ka vazhduar ai.

Kurse ka vlerësuar se Qeveria duhet t’i kushtojë vëmendje më të madhe një procesi të tillë dhe në mënyrë urgjente ta emërojë ministrin e Integrimeve.

“Qeveria e Kosovës duhet të merret seriozisht me procesin e integrimit në BE. Mendoj që koalicioni qeverisës duhet urgjentisht t’i emërojë udhëheqësit e kësaj Ministrie, pasi që ky proces nuk guxon të ndalet”, ka shtuar ai.

Ndërkohë ka konsideruar se Kosova edhe 10 vjet së paku nuk do të arrijë të bëhet pjesë e BE-së.

“Sa i përket procesit të integrimit në përgjithësi, Kosova vazhdon të mbetet larg objektivave. Kosovës do t’i duhen së paku edhe 10 vjet për t’u afruar drejt BE-së”, ka përfunduar Murati

Abazi: Lënia e MIE-së pa ministër, papërgjegjësi e lartë

Nga ana tjetër Haki Abazi, nga “Rockfeller Brothers Fund”, ka vlerësuar se lënia e Ministrisë së Integrimit pa ministër i përket tërësisht joseriozitetit.

“Rasti i Ministrisë së Integrimeve tregon joseriozitetin dhe papërgjegjësinë e njerëzve që zënë pozita të larta. Atëherë kur u duk se po bëhet liberalizimi ngriheshin sikur kanë bërë punë të madhe me mëngët e këmishëve të përvjela, kur u kuptua që nuk ka liberalizim e lanë vendin dhe Ministrinë të boshatisur”, është shprehur ai.

Sipas Abazit, një veprim i tillë paraqet një papërgjegjësi totale.

“Kjo është papërgjegjësi e lartë. Ministria pa udhëheqje lë një boshllëk të madh në përafrimin e legjislacionit e procedurave dhe gjithashtu krijon hapësirë për ndikim jo të domosdoshëm pozitiv në zhvillimin progresiv drejt integrimeve evropiane”, ka shtuar tutje ai.

Abazi më tej ka thënë se e tërë kjo papërgjegjësi tregon joseriozitetin për procesin e integrimeve, përderisa retorika për integrime, siç është shprehur ai, është gjithmonë kryefjala e liderëve politikë.

Opozita: Me këtë Qeveri rruga drejt integrimit vetëm sa do të vështirësohet

Ndërkaq zëvendëskryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Valdete Dushica-Bajrami, ka vlerësuar se rruga drejt integrimeve vetëm sa do të bëhet më e vështirë me Qeverinë aktuale.

“Ne e kemi thënë disa herë se me këtë Qeveri rruga e integrimeve drejt BE-së vetëm sa do të vështirësohet. Kjo për faktin se këta  njerëz nuk janë të aftë, por edhe nuk po dëshirojnë të punojnë për të mirën e vendit dhe të qytetarëve, por janë më tepër të preokupuar që pikërisht Serbisë t’ia lehtësojnë rrugën drejt BE-së e qytetarëve tanë t’ua ofrojnë izolimin”, ka deklaruar ajo.

Sipas saj, joserioziteti i koalicionit qeverisës ndaj procesit të integrimit u dëshmua me mosluftimin e krimit të organizuar.

“Mosserioziteti i tyre u dëshmua me mosluftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa edhe më keq kur deri sot ende Ministria e Integrimeve nuk ka ministër, ja sa seriozisht janë duke e marrë këta procesin e integrimeve drejt BE-së”, ka theksuar Bajrami.

Edhe deputetja e AAK-së, njëherësh anëtare e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Time Kadriaj, ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës nuk është aspak serioze karshi procesit të integrimit të Kosovës.

“Sa seriozë janë në këtë drejtim e tregon edhe fakti se po bëhen tre muaj prejse nuk kemi as ministër e as zëvendësministër në këtë resor, mjaft i ndjeshëm për proceset që duhet t’i kalojë vendi ynë për t'u bërë pjesë e familjes evropiane”, ka vlerësuar ajo.

Sipas saj, Qeveria aktuale nuk do të mundë të bëjë asgjë në drejtim të integrimit të Kosovës.

“Qeveria ‘Mustafa’ nuk është e denjë për t’i kryer disa punë të vogla të brendshme e sa për përgatitjen e Kosovës për t'u integruar në BE kurrë asgjë nuk do të mundë të bëjë”, është shprehur Kadriaj.

Kurse më tej ka thënë se procesi i integrimit nuk do të finalizohet edhe për një kohë të gjatë.