Hasani: Hivzi Islami më kërkoi favore për asistenten e tij!

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, në kundërpërgjigjen e tij në lidhje me fejtonin e kryetarit të Akademisë, Hivzi Islami, të botuar për disa ditë rreshtë në gazetën “Zëri”, ka treguar për një rast se si Islami në kohën kur Hasani ishte rektor i UP-së, i kishte kërkuar këtij të fundit që asistentja e tij ta kryente doktoratën brenda një afati më të shkurtër se afati ligjor.

 

“Hivziu më tha me një ton poshtërisht përgjërues, që asistentja e tij (emri i së cilës nuk më kujtohet) ishte një gjeni i vërtetë dhe se meritonte të kryente doktoratën për një afat shumë më të shkurtër se afati ligjor. Unë provova, për mirësjellje dhe për shkak të moshës, ta bind Hivziun se ka afate ligjore që nuk guxoj t’i tejkaloj sepse të tjerët po ashtu kanë të drejta të njëjta dhe, si rektor, duhet të jem i drejtë ndaj të gjithëve. Unë, vazhdova më tutje, jam rektor dhe kujdesem vetëm për anën formale dhe ligjore, kurse komisionet recensuese janë ato që bartin përgjegjësinë profesionale për doktoratën”, ka shkruar mes tjerash Hasani në opinionin e tij të botuar sot në gazetën “Zëri”.

Sërish, siç shkruan ai, Hivziu insistonte të më bindte se asistentja e tij ishte më e mira në Universitet dhe se meritonte të kalonte çdo procedurë dhe të kryente doktoratën para të gjithëve. “Në një moment më kërciti filmi, siç thotë populli, dhe i thashë Hivziut shumë qartë se ajo punë nuk bëhej për arsye të thjeshtë se “berber nuk mund të bëhet njeriu për një ose për dy vjet!”. E nxora nga zyra! Në raste të tilla, njeriu pret që pala e tillë të mbledhë mend dhe të largohet. Hivziu jo vetëm që nuk u largua, por kishte filluar të hynte nëpër zyra të vartësve të mi duke i terrorizuar deri në palcë për të njëjtën matematikë. U morr vesh, në mandatin tim ajo punë nuk mund të bëhej ashtu, sepse askush dhe askujt nuk i kishte bërë favore të tilla”,, ka shkruar mes tjerash Hasani. /Zëri/