Krimi në Panda: A u vranë serbët nga vetë serbët në vitin 1998 në Pejë?

Me shërbim liturgjik në Patrikanën e Pejës u shënua 18 vjetori i vrasjes së të rinjve serbë në kafe barin Panda në Pejë.

Familjet e viktimave tregojnë se krimin nuk e kanë kryer shqiptarët dhe nga Qeveria e Serbisë presin përgjigje në pyetjen se a janë përgjegjëse për këtë krim forcat ushtarake dhe policore serbe që ishin të pranishme në qytet në vitin 1998, raporton B92.

Gjashtë të rinj serbë u vranë në këtë ditë, 18 vjet më parë, në kafe barin “Panda” në Pejë. Dy vrasës të maskuar hynë në kafe bar dhe me breshëri të armëve automatike vranë pesë nxënës të shkollës së mesme dhe një student. Hetimet në këtë rast nuk kanë përparuar dhe askush nuk e di se kush është përgjegjës për krimin.

Prindërit e të rinjve të vrarë qe 18 vjet po kërkojnë përgjigje në pyetjen se kush janë kriminelët.

“Tri vite më parë (kryeministri Aleksandar) Vucic ka thënë se do të befasohemi kur të zbulojmë se kush e bëri atë vepër. Natyrisht që e bëri të qartë se nuk është nga pala tjetër. Pala tjetër ne besojmë se janë shqiptarët! Ata nuk janë romët apo të tjerët. Kjo është vetëm frika që mos të jetë më i rëndë turpi se mundimi”, thotë Ljubica Trifovic.

“Duam që e vërteta të dale në shesh”, thotë ai.

Disa familje kanë vizituar varret e viktimave. Ata treguan detaje të veçanta të hetimit.

“Shkuam për të dhënë deklarata, pasi tash ka filluar të zbërthehet pas 18 vitesh. Unë mendoj se ata dinë se kush i vrau, por vetëm heshtin. Autopsia nuk është kryer”, thotë Ljubica.

Përveç kërkesave që të dihen vrasësit e fëmijëve të tyre, familjet janë lënduar nga fakti se ata janë harruar, ndërsa Milena Radevic ka pakënaqësi me Zyrën për Kosovë.

“Pse nuk janë prezent? 18 vjet nuk kanë qenë me ne për të ndarë dhimbjen tonë. Unë vetëm po pyes pse”, tha ajo./Express/