2,5 milionë euro të çuara dëm në futbollin e Kosovës
Krerët e Hajvalisë i kanë çuar duart lart. Ata thonë se i çuan dëm 2,5 milionë euro, të cilat i investuan prej se e kanë marrë në dorë klubin prishtinas. Mehdin Pergjeçaj – Meda dhe Ragip Murati, tash janë fokusuar tek të rinjtë dhe ekipi i femrave, duke mos iu bërë përshtypje edhe nëse ekipi prishtinas bie nga liga. Në fund, ata kanë ardhur në përfundim se në futbollin kosovar nuk ia vlen të investohet
Viteve të fundit, Hajvalia ishte njëri prej klubeve më stabile në aspektin financiar dhe më të organizuar në futbollin kosovar, shkruan sot gazeta Zëri.
Për futbollistët, ishte një “parajsë” e vogël pasi aty nuk iu mungonte asgjë. Madje, kjo skuadër sezonin e kaluar e mbylli si nënkampion dhe për një moment po bëhej gati për të marrë pjesë në gara evropiane.
Dy pronarët e klubit, Mehdin Pergjeçaj – Meda dhe Ragip Murati shpenzuan shumë për ekipin e kuq, por në fund mbetën të zhgënjyer, duke e nxjerrë përfundimin se nuk ia vlen të investojnë më në futbollin kosovar.
Ata zotohen se, prej se e kanë marrë në dorë klubin prishtinas, kanë investuar deri në 2,5 milionë euro, të cilat konsiderojnë se i çuan dëm, pasi nuk mund t’i nxjerrin e as nuk ua di kush për nder.
“Kemi bërë shumë investime deri sot në klubin e futbollit Hajvalia dhe kemi ardhur në përfundim se nuk ia vlen të investosh shuma të mëdha pa asnjë fitim. Edhe pas pranimit në UEFA e FIFA, edhe nëse bëhesh kampion, përfundimi është shumë i vogël dhe nuk i mbulon as harxhimet e një sezoni”, thotë fillimisht për “Zërin”, kryetari i klubit Ragip Murati.
“Duke e parë kualitetin e lojës në futbollin kosovar, edhe nëse merr pjesë në kualifikime të Ligës së Kampionëve, shanset për ta kaluar grupin janë minimale. Profesionalizmi në Kosovë nuk është në nivelin e duhur”, ka shtuar ai.
“Deri sot në KF Hajvalia i kemi investuar 2,5 milionë euro, ndërsa ata që flasin dhe na kritikojnë, nuk e kanë investuar as 1 euro. Tash jemi duke punuar pak për vete dhe kemi bërë investime në ndërtim në Zvicër”, tregon Murati.
Punojnë me të rinj, fokusohen tek ekipi i femrave
Hajvalia luajti në xhirot e fundit me juniorë pasi lojtarët e ekipit të parë u larguan sepse nuk kanë marrë rroga qe disa muaj. Kryesia e klubit nuk e ka ndërmend ta ndryshojë qasjen as në pranverë.
“Planet e Hajvalisë janë që të punojmë me gjenerata të reja. Si mbetëm në Superligë, si në Ligën e Parë, kjo nuk çon peshë. Ne gjithsesi nuk do ta kemi fatin e Hysit. Do të punojmë me gjenerata të reja dhe me ekipin e femrave. Do të vazhdojmë të jemi në krye të Hajvalisë”, shton Meda, që njihet si këngëtar i famshëm.
Hajvalia do të kthehet në vitet e ardhshme
Krerët e klubit nuk e përjashtojnë mundësinë që në vitet e ardhshme të investojnë prapë, për ta bërë një Hajvali të madhe, siç ishte në vitet e fundit.
“Do të punojmë në atë drejtim. Në vitet e ardhshme do ta kemi një ekip të fortë. Besoj se pas përfundimit të stadiumit në Hajvali, do të jetë gjithçka më e lehtë për neve. Ne edhe me këtë ekip që kemi, do t’ju sjellim telashe kundërshtarëve në pranverë”, nënvizoi Murati për Zërin.
Ai i ka disa llafe edhe për futbollistët e ekipit të parë, të cilët u ankuan për gjendjen e mjerueshme në klub dhe për vendimin e tyre për t’i bojkotuar ndeshjet e fundit të vjeshtës.
“Ata futbollistë e kanë ditur që Hajvalia nuk do të investojë. Ata futbollistë kanë qenë të lirë, i kemi liruar të shkojnë ku të duan, por me vetëdëshirë kanë dashur të vazhdojnë deri në përfundim të sezonit”, përfundoi Murati. /Zëri/