Sot shënohet Dita Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit

Pikërisht më 9 dhjetor të vitit 2003 në Kombet e Bashkuara u mblodhën më shumë se 100 përfaqësues shtetesh nga e mbarë bota për të nënshkruar Konventën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit.

 Sikurse në shumë vende të tjera të botës, kjo ditë shënohet me aktivitete të ndryshme edhe në Kosovë.

Fillimisht, anëtarët e komisionit parlamentar për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Punës së Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit e Kuvendit të Kosovës, me mbështetjen e UNDP, do të nënshkruajnë themelimin e Degës se Organizatës “Deputetët Global Kundër Korrupsionit”, pastaj, Instituti Demokratik i Kosovës organizon konferencën për media, ku do të prezantohen rezultatet e shërbimit për këshilla ligjore pa pagesë për raportuesit dhe viktimat e korrupsionit.

Më pas, e ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, Colleen Hyland, do të mbajë fjalim të shkurtër në konferencën përmbyllëse të “Javës Kundër Korrupsionit” ku pjesëmarrësit do të diskutojnë me 30 nxënës nga tetë shkolla të komunave Viti, Prizren, Obiliq, Vushtrri. Kurse, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova do të mbajë një ligjëratë për studentët e Universitetit “Hasan Prishtina”.

Me rastin e shënimit të kësaj dite, Qendra për Studime të Avancuara FIT do të organizojë një konferencë që të shënoj rëndësinë e kësaj dite. ndërsa në këndin Amerikan mbahet diskutim me studentë të Juridikut, Shkencave Politike dhe Gazetarisë, në temën “Çka është korrupsioni?”.

Po për këtë ditë në Qendrën e Informimit të BE-së, do të shfaqet dokumentari i shkurtër për studentë në lidhje me rininë dhe rolin e saj në luftimin e korrupsionit.

Pastaj, Agjencia kundër Korrupsionit, Zyra e BE-së në Kosovë, Këshilli i Evropës dhe Instituti Demokratik i Kosovë organizojnë debatin me studentë, në lidhje me rininë dhe rolin e saj në luftimin e korrupsionit.

Kurse, lëvizja FOL do ta bëjë lansimin e platformës së edukimit anti-korrupsion.

Kurse, në ora 20:00, Ambasadori i SHBA-ve, Greg Delawie do të mbajë fjalimin hyrës për koncerin e grupit “Troja” me këngë me porosi kudër korrupsionit.