Ahmeti: Unioni nuk është si Asociacioni
I pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, gjatë një interviste për “Zërin” mohon që Unioni i Komunave Shqiptare në Ballkan të jetë një kundërpërgjigje për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Thotë se Unioni nuk ka fuqi ekzekutive në asnjërën prej këtyre shteteve
Iniciativa për themelimin e Unionit të Komunave Shqiptare në Ballkan nuk është kundërpërgjigje ndaj Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, pasi që i pari nuk ka kurrfarë kompetence ekzekutive. Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili ditë më parë ishte pjesëmarrës në Tiranë, ku së bashku me kryetarin e Tiranës, të Preshevës, të Tetovës dhe të Ulqinit themeluan Unionin e Komunave Shqiptare në Ballkan.
Sipas Ahmetit, ata po bëjnë vetëm një rrjet të komunave shqiptare, të cilat nuk kanë kurrfarë kompetencash ekzekutive për dallim nga Asociacioni i Komunave Serbe, i cili, siç thotë ai, është një ide komplet tjetër dhe me qëllim të rrënimit të funksionimit normal të shtetit të Kosovës dhe me fuqi ekzekutive.
Duke folur për reagimet e zyrtarëve më të lartë shtetërorë në Serbi në lidhje me themelimin e Unionit të Komunave Shqiptare në Ballkan, Ahmeti ka thënë se nëse kjo iniciativë është lojë fëmijësh, ashtu siç ka deklaruar kryeministri Vuçiq, atëherë pse duhet krerët shtetërorë të reagojnë ndaj këtij hapi?
Zëri: Z. Ahmeti, ditë më parë themeluat Unionin e Komunave Shqiptare në rajon, çka synoni të arrini me këtë Union?
Ahmeti: Po kjo ka qenë një ide e kamotshme edhe nuk e kemi nisur ne, ka qenë si në letër, ka ekzistuar, por në takimet që kemi pasur me Erion Veliajn para një viti dhe tashmë së fundmi kemi biseduar që ta aktualizojmë këtë ide dhe është thjesht shkëmbim i përvojave dhe ndihmë njëri-tjetrit. Ne jemi anëtarë të disa rrjeteve ndërkombëtare evropiane e botërore dhe shpesh shihemi me Erionin në këto rrjete, ndërsa ne si komuna shqiptare asnjëherë nuk kemi folur e nuk kemi diskutuar në nivel konkret se çka mund t’i ndihmojmë njëri-tjetrit. Tash kjo për shkak se unë me Erionin njihemi qe një kohë të gjatë ndoshta mes neve ka qenë ndryshe, por duhet ta konkretizojmë dhe ta bëjmë me një sekretariat ku më pastaj, për shembull, në qoftë se kemi bërë një zgjidhje ne dhe kemi shpenzuar para për atë që t’i ndajmë me komunat e tjera shqiptare që edhe ato të mos shpenzojnë sikurse ne apo dikush tjetër ka bërë një gabim të mos hyjmë në gabime të njëjta. Pra, thjesht është një platformë e komunikimit, shkëmbimit të përvojave, shkëmbimit të ideve dhe ndihmëse konkrete për njëri-tjetrin.
Do të krijohet një sekretariat
Zëri: Specifikisht, a mund të na tregoni pak sesi pritni të zhvillohet ky Union dhe a ka ndonjë afat të caktuar apo kjo është vetëm nisja e një Unioni, i cili do të jetë vazhdimësi edhe për kryetarët e tjerë në krye?
Ahmeti: Patjetër. Kjo duhet të ekzistojë dhe të mos mbetet vetëm një takim për kamera dhe fotoaparate. Ideja është që të krijojmë një sekretariat, për të cilin vendoset tash se ku do të jetë, të ndajmë fonde nga buxhetet tona që të funksionojë ai sekretariat dhe gjatë tërë vitit të bëjmë takime tematike. Për shembull, në tremujorin e vitit të ardhshëm ta mbajmë një takim për zgjedhjet inovative, “E-kiosku”, parkingu etj. Domethënë, çështjet të cilat kanë të bëjnë me digjitalizimin. Dhe mblidhen drejtorët e administratave të komunave tona ku i shkëmbejmë përvojat tona, ku tregojmë se ne e kemi një softuer që mund ta ndajmë dhe kështu funksionon dhe së paku një herë në vit të takohemi ne kryetarët, natyrisht duke mos u kufizuar me këtë numër të komunave dhe duke mos u kufizuar në këto tema. Pra, ideja është që ta shtojmë numrin e komunave me kohë, por jo ta rrisim menjëherë dhe të shkojmë me sasi e të humbim në cilësi.
Zëri: Domethënë, qytetet-komunat themeluese të këtij Unioni janë vetëm baza dhe pritet të shtohen sepse e dimë që ka edhe qytete të tjera, të cilat kanë kryetarë shqiptarë, mirëpo të cilat nuk kanë qenë pjesëmarrës në këtë themelim?
Ahmeti: Ideja ka qenë që ta fillojmë dhe e kemi bërë në mënyrë simbolike dhe e kemi bërë nga një komunë prej secilit prej këtyre shteteve ku jetojnë shqiptarët dhe me idenë që kjo mund të zgjerohet me komunat, të cilat janë të interesuara. Mund të kontribuojnë, mund të mësojnë, pra të jetë një Union i vazhdueshëm ku ne thjesht punojmë për mirëqenien e qytetarëve dhe për t’i zhvilluar qytetet tona.
Zëri: Ju thatë që të paktën një herë në vit, a është vetëm një herë në vit takimi apo do të ketë edhe takime më të shpeshta?
Ahmeti: Një herë në vit po e themi se takohen kryetarët në mënyrë të plotë, ndërsa gjatë tërë vitit do të ketë takime tematike të komunave tona. Pra, para nja gjashtë vjetëve kemi qenë në një konferencë të quajtur “Fqinjësia shqiptare” në Tiranë, në të cilën na kishin mbledhur të gjithë shqiptarët ekonomistë, politikanë për të folur për bashkëpunimin ndërshqiptar. E takimi ishte organizuar nga “Columbia University”, në Amerikë. Pra duhej që një amerikan të vijë dhe të na mbledhë neve shqiptarëve. Edhe kësaj radhe nuk duhet të na mbledhë një njeri tjetër. Ideja është që të ulemi sepse njihemi. Mund të kemi dallime, mund të jem unë i majtë dikush tjetër i djathtë, megjithatë jemi kryetarë komunash. Problemi i kanalizimit është i njëjti sikurse tek të majtit, sikurse tek të djathtit. Parkingun që ta zgjedhim ka mënyra të ndryshme. Pra, krejt koncepti është që të ulemi të flasim me njëri-tjetrin. Domethënë, ne nuk duam të bëjmë politika të nivelit nacional në këto komuna, ne duam të merremi me problematika lokale. A ka pasur Forum Shqiptar për probleme lokale, nuk ka pasur dhe kjo shkon drejt asaj. Në të ardhmen do të shtojmë edhe shoqërinë civile që merren me qeverisjen lokale, që marrim idetë dhe të mbledhim ide. Domethënë, thjesht është një forum, një mundësi për komunat tona.
Zëri: Konkretisht, cilat priten të jenë përfitimet e qytetarit, të cilat kanë për të qenë të prekshme?
Ahmeti: Ne i kemi përzgjedhur pesë tema, duke përfshirë këtu inovacionin, duke përfshirë këtu investimin dhe format e financimit, duke përfshirë kulturën. Pra janë katër-pesë tema me të cilat ne kemi pasur më shumë përvojë. Dhe Tirana për shembull e ka një aplikacion “Tirana ime”, që thotë se është shumë e mirë se e ka provuar, ne i kemi aplikacionet tona, por ata thonë a doni ta merrni këtë falas ta zhvillojmë “Prishtina ime”, dhe njëjtë kjo është për t’i paraqitur problemet. Ne e kemi “E-kioskun”, ku i marrim certifikatat që tash do të shkojmë edhe në Tetovë, edhe në Preshevë dhe ta prezantojmë e të shohim se a mund t’ua japim këtë sepse është shumë e thjeshtë, shumë e lirë edhe e bëjmë falas. Pra, për çdo send. Tirana po i ndërton shkollat, pra po bëhet financimi që ne jemi duke e bërë me partneritet publiko-privat ata janë dy hapa para nesh. Janë gjëra të cilat tash ne në vend se t’i kalojmë gjashtë muaj e bëjmë për tre muaj me ndihmën e Komunës së Tiranës. Pra, përfitimet do të jenë të prekshme në punën që e bëjmë të përditshme. Një gjë që ndoshta Prishtina e kishte marrë pas një viti do ta ketë më shpejt, njësoj Tirana, domethënë që e pret pas një viti apo dy mund ta bëjë shpejt.
Asociacioni i Komunave Serbe ka për qëllim rrënimin e shtetit të Kosovës
Zëri: A është kjo njëfarë kundërpërgjigje për Asociacionin e Komunave Serbe apo jo?
Ahmeti: Absolutisht jo. Domethënë, Asociacioni i Komunave Serbe është një ide komplet tjetër me qëllim të rrënimit të funksionimit normal të shtetit të Kosovës dhe ideja e tyre është që të kenë edhe fuqi ekzekutive. Ne thjesht po e bëjmë një rrjet të komunave shqiptare, që është platformë e bashkëpunimit. Ne nuk kemi fuqi ekzekutive në asnjërin prej këtyre shteteve si rrjet. Ne e kemi edhe Asociacionin e Komunave të Kosovës, është thjesht sikurse plot rrjetet e tjera ku jemi. Tash dikush mund ta quajë përse kështu, përse ashtu? Por nuk na ka çuditur apo së paku mua nuk më ka çuditur reagimi i Serbisë edhe atë prej kryetarit të Serbisë.
Reagime në Serbi dhe në Mal të Zi
Zëri: Ky Union ka ngjallur edhe jo pak reagime në Serbi, ka pasur reagime konkrete prej kryetarit të Serbisë, kryeministrit, zëvendëskryeministrit?
Ahmeti: Ka pasur reagime prej kryetarit të Serbisë, kryeministrit, nënkryetarit të Kuvendit të Serbisë. Kryeministri madje ka thënë se kjo është një lojë fëmijësh dhe se ata po mblidhen për të shtypur kimika e gjëra të tilla. Por, në qoftë se është lojë fëmijësh, përse ka nevojë që krerët e shtetit të reagojnë ndaj kësaj. Por unë mendoj se atyre u pengon bashkëpunimi ndërshqiptar dhe sa herë që ka diçka e cila ka emrin shqiptar a është Union, a është bashkim komunash apo diçka e tillë, ata do të reagojnë sepse ashtu e kanë mendësinë e kësaj qeverie sepse ka mbetur qe një kohë të gjatë. Por, në qoftë se dikujt i pengon zhvillimi i shqiptarëve edhe mirëqenia e jetës së qytetarëve atëherë është problem i tyre nuk është problem yni. Dhe unë kam pasur më së shumti hall me kryetarin e Preshevës dhe Preshevën sepse kam menduar që presioni do t’ju shkojë më shumë atje. Por edhe në Mal të Zi kishte ca gazeta, medie si “Vijesti” e cila kishte thënë se “po bëhet Shqipëria e Madhe në derë të vogël”. Këto janë reagime më shumë të shfrenuara do të thosha të panikut ndaj një iniciative, e cila synimin e vet e ka zhvillimin dhe mirëqenien e qytetarëve.
Zëri: Ne ishim më 27 nëntor atje që të realizojmë një reportazh për Festën e Flamurit dhe na treguan edhe në Bujanoc, edhe në Preshevë që pikërisht për këtë festë nuk janë lejuar që flamurin kombëtar ta vendosin lirshëm dhe të festojnë ashtu siç duhet. A mundet sadopak ky Union i këtyre komunave të bëjë diçka apo ta ngrejë çështjen për shqiptarët të cilët jetojnë në Serbi?
Ahmeti: Patjetër. Domethënë, se herë që të kemi çështje të tilla ku ne mendojmë se si Union duhet të flasim, do t’i them. Ndoshta gjuha më e mirë për këtë çështje është të flasim se si është në komunat tona. Domethënë, t’i themi edhe Serbisë edhe qeverive tona nacionale që nuk ka kurrfarë problemi për kurrfarë flamuri as në Prishtinë, as në Tiranë e në asnjë qytet shqiptar, ndërsa është problem flamuri shqiptar në një komunë ku shumica janë shqiptarë, por ja që na qenkan në shtetin e Serbisë. Pra mendoj se edhe për këto çështje duhet ta ngremë zërin. Tash me këtë Union ne e kemi formalizuar pak dhe ideja është që të ngremë çështje, por në të njëjtën kohë t’ua tregojmë të drejtën ne jemi të interesuar t’i ndihmojmë Preshevës për ta përmirësuar kanalizimin, për ta përmirësuar ujësjellësin, ta kenë një park e ta kenë jetën qytetarët më të mirë. Pse, sepse shqiptarët e Preshevës në moshën 18-vjeçare apo edhe më herët po vijnë në Prishtinë, ose në Tiranë po studiojnë këtu dhe po mbesin këtu. Ne i mirëpresim dhe është kënaqësi të jemi nikoqir se ju pëlqen, por po zbrazet Lugina. Dhe thjesht është mungesa e perspektivës. Ndoshta këto dënimet për flamuj, njerëzit e rrezikuar, këto çështje duhet të ngrihen sepse në fund të fundit që të ketë perspektivë një komunë duhet ta ketë edhe popullatën e vet.
Zëri: Për problemet e shqiptarëve në Serbi tashmë po i dimë dhe kemi diskutuar pak a shumë, por në këtë Union a keni folur me kryetaren e Tetovës? A u është shprehur ndonjë problem me të cilin po ballafaqohen shqiptarët në Maqedoni kur dihet se edhe atje trajtimi ndaj shqiptarëve ndoshta nuk është më i duhuri?
Ahmeti: Këtu unë i kam disa mendime. Një, mund t’i marrë mendimet nga kryetarja e Komunës së Tetovës, dy - unë jam vetë tepër i interesuar dhe kam qenë vazhdimisht me situatën e shqiptarëve në Maqedoni. Unë e kam edhe bashkëshorten time nga Shkupi dhe kam përcjellë shumë më shumë sesa e kam përcjellë politikën e shqiptarëve në Serbi apo edhe në Mal të Zi, sepse kam qenë edhe atje, por në Maqedoni e përcjell më shumë. Mendoj se situata e shqiptarëve atje është e rëndë. Nuk po them e rëndë e një rrezikimi të drejtpërdrejtë për jetën e qytetarëve, mirëpo, por që ekziston një, kisha për të thënë, shtypje sistematike e të drejtave qoftë kur një kandidat si Gruevski thotë kurrë dygjuhësia nuk do të jetë në Maqedoni, ku kur shkon në Maqedoni hyni në Maqedoni në tabelë e keni të shkruar në anglisht dhe në gjuhën maqedonase, por nuk e keni në shqip në një vend ku përqindja e shqiptarëve është tepër e madhe dhe nuk zbatohet asnjë marrëveshje që është bërë me shqiptarët, atëherë patjetër se brengosesh.
Zëri: Një pyetje të parafundit sa i përket kësaj çështjeje. Në pesë apo në dhjetë vjet nga këtu ku e shihni këtë Union dhe a i shihni qytetet me shumicë shqiptare në rajon më të bashkuara?
Ahmeti: I shoh qytetet e tona më të zhvilluara. Patjetër se i shoh më të zhvilluara. Unionin e shoh si një strukturë të përhershme, e cila do ta ketë edhe sekretariatin dhe nuk do të ketë nevojë për kështu siç e bëmë ne themelimin e të gjitha këto, por do të ketë probleme konkrete, të cilat do të ngrihen. Por i shoh shumë më të avancuara qytetet tona e një prej arsyeve do të jetë themelimi i këtij Unioni pse janë ato më të avancuara. Por po shoh edhe tani problemet e qyteteve evropiane janë se ata e kanë infrastrukturën, i kanë të gjitha, gati se problemet janë të natyrave krejt tjera, por kanë mungesë të entuziazmit, energjisë, frymës e në anën tjetër ne e kemi kaosin, mungesën e infrastrukturës, por e kemi energjinë dhe shpirtin që tashmë nuk e kanë shumica e qyteteve dhe po e them, vazhdimisht e shoh Erionin në panele të ndryshme nëpër botë. Ne vitin e kaluar ishim në Washington, pra Prishtina me Miamin e Montrealin në një panel, po shoh një depërtim të këtyre kryeqyteteve shqiptare. Në Slloveni i morëm dy shpërblime nga gjashtë që u dhanë për inovacion, një e mori Tirana, një Prishtina.
Zëri: Zotëri Ahmeti, meqenëse gjatë gjithë kohës folëm për Unionin e Komunave Shqiptare, një pyetje të fundit kam edhe për Prishtinën meqenëse jemi këtu. Derisa ishim duke pritur poshtë e hasa këtë broshurë “Prishtina po bëhet”. Kryetar a po bëhet Prishtina dhe si e keni parë ju vitin 2016 në Komunën e Prishtinës?
Ahmeti: Patjetër se po bëhet. Nuk ka rrugë tjetër dhe këtë nuk e mendoj pse jemi ne në Komunë, por mendoj se qytetarët e kanë bërë këtë ndryshim. Domethënë, edhe ndryshimin që e kanë bërë në zgjedhje edhe vazhdimisht aktivizmi. Tash llogaridhënia është tepër më e madhe. Aktivizmi i qytetarëve është shumë më i madh. Ka shumë njerëz që rrinë gjithë ditën në qytet nëpër lagje të veta edhe e raportojnë çka nuk po funksionon. Edhe më kritikojnë, por edhe bëjnë punë, organizojnë komunitete dhe mendoj se Prishtina po ecën përpara. Prej një kaosi në një qytet që sadopak të bëjmë rregull, rend edhe të fillojmë ta kuptojmë se po jetojmë në një hapësirë të përbashkët dhe hapësira e përbashkët nënkupton që ne duhet të bashkëorganizohemi. Nuk janë veç pronat tona gardhet, muret, kjo është imja dhe çka është pas këtij muri mua nuk më intereson, por tash (thashë) është e qartë që bashkë do ta ndërtojmë edhe kanalizimin edhe ujësjellësin, edhe rrymën, edhe të gjitha gjërat. Ne aty i kemi vendosur disa gjëra të cilat i kemi thënë dhe vazhdimisht po ndodhin gjëra të reja dhe mendoj se jemi duke ecur me atë dinamikë. A do të kisha pasur dëshirë që të mos ketë sabotime e pengesa? Domethënë, kush nuk e ka qejf atë punë, por ne këtu po luftojmë pak edhe për sistemin. Mendoj se kemi arritur të tregojmë se mund të punohet edhe pastër, por a mund të punohet edhe më shumë? Gjithmonë. Kurrë nuk besoj se një njëri duhet të jetë i kënaqur dhe të themi se ne e përfunduam dhe gjithmonë ka hapësirë për më shumë, por mendoj se jemi në rrugën e duhur.