Për 8 muaj, 500 milionë euro nga diaspora

Gjatë tetë muajve të parë të këtij viti qytetarët e Kosovës, të cilët jetojnë në shtete të ndryshme të botës, dërguan në Kosovë hiç më pak se 500 milionë euro. Në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak shihet se ka rritje të dërgesave

Hiç më pak se 500 milionë euro kanë ardhur në Kosovë në formë të dërgesave nga qytetarët e saj, të cilët jetojnë në shtete të ndryshme të botës.

Duke u bazuar në të dhënat zyrtare të BQK-së shihet se në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar sivjet ka rritje të dukshme të dërgesave nga diaspora.

Sipas të dhënave zyrtare shihet se më së shumti dërgesa nga diaspora për në Kosovë kanë ardhur gjatë muajit gusht dhe vlera totale e mjeteve të ardhura nëpërmjet bankave, agjencive për transfere parash dhe rrugëve të tjera është 98,6 milionë euro, derisa më së paku mjete sivjet kanë ardhur gjatë muajit  shkurt dhe shuma totale e mjeteve të ardhura nga diaspora ka qenë 48 milionë euro.

“Gjatë muajit janar kanë ardhur 56,7 milionë euro, gjatë muajit shkurt 48 milionë euro, gjatë muajit mars 51,9 milionë euro, gjatë muajit prill 57,2 milionë euro, gjatë muajit maj 56,7 milionë euro, gjatë muajit qershor kanë ardhur në Kosovë nga diaspora 59,2 milionë euro, gjatë muajit korrik 70,2 milionë euro, si dhe gjatë muajit gusht kanë ardhur në Kosovë 98,6 milionë euro”, thuhet në raportin e Bankës Qendrore të Kosovës.

Gjithnjë duke u bazuar në të dhënat zyrtare të BQK-së shihet se sivjet ka rritje të dukshme të dërgesave në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ku në Kosovë nga diaspora erdhën 752,4 milionë euro.

Po ashtu në vitin 2014 në Kosovë në formë të dërgesave nga diaspora kanë ardhur 693,7 milionë euro, në vitin 2013 në Kosovë kishin ardhur 620,8 milionë euro, gjatë vitit 2012 në formë të dërgesave në Kosovë kishin ardhur 605,6 milionë euro, gjatë vitit 2011 - 584,8 milionë euro, gjatë vitit 2010 - 584,3 milionë euro.

Po ashtu gjatë vitit 2009 në formë të dërgesave nga diaspora kishin ardhur 585,7 milionë euro, gjatë vitit 2008 kishin ardhur në Kosovë 608,7 milionë euro, si dhe gjatë vitit 2007 në Kosovë nga diaspora në formë të dërgesave kishin ardhur hiç më pak se 515,6 milionë euro.

Gjermania prin me dërgesa

Gjermania edhe më tutje mbetet shteti prej nga më së shumti dërgohen mjete në Kosovë, ndërkaq sipas të dhënave zyrtare shihet se më së paku mjete në Kosovë kanë ardhur nga Danimarka, ku për 6 muaj përmes rrugëve zyrtare në Kosovë nga ky shtet kanë ardhur vetëm 900 mijë euro në emër të dërgesave.

Sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës shihet se gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti nga Gjermania për në Kosovë në formë të dërgesave janë dërguar 75,4 milionë euro.

Gjatë kësaj periudhe kohore nga Zvicra për në Kosovë janë dërguar 43,1 milionë euro, nga Italia 11,1 milionë euro, nga Austria 7,5 milionë euro, nga Belgjika 4,6 milionë euro, nga Amerika 14 milionë euro, nga Suedia 6,2 milionë euro, nga Franca 7,2 milionë euro, nga Norvegjia 3,5 milionë euro, nga Kanadaja 2,9 milionë euro, nga Anglia 6,4 milionë euro, nga Danimarka 900 mijë euro, nga Finlanda 1,5 milion euro, nga Holanda 1,6 milion euro, nga Sllovenia 2,4 milionë euro, si dhe nga shtete tjera të botës 6,5 milionë euro.