Ministria e Brendshme ende pa letërngjitës për targat

Marrëveshja për Reciprocitet të Plotë për Targat e Veturave mes Kosovës dhe Serbisë, ende nuk ka filluar të zbatohet sado që një gjë e tillë është paraparë të fillojë më 15 nëntor të këtij viti.

E përgjegjësinë për një vonesë të tillë e merr vetë shteti i Kosovës. Kështu së paku ka deklaruar ministrja për Dialog, Edita Tahiri.

Sipas saj, vonesat për një gjë të tillë janë krijuar nga procedurat administrative, të cilat lidhen me prodhimin e letërngjitësve.

Për dështimin në fjalë ajo e ka fajësuar Ministrinë e Punëve të Brendshme, megjithatë, kjo e fundit nuk ka dhënë ndonjë sqarim kur është kontaktuar nga “Zëri”.

Tahiri: Ne jemi vonuar, e kemi njoftuar edhe Brukselin

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se Kosova është ajo e cila është vonuar në zbatimin e Marrëveshjes për Reciprocitet të Automjeteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Tahiri në një prononcim për “Zërin” ka deklaruar se marrëveshja në fjalë do të duhej të fillonte të zbatohej më 15 nëntor.

“Është e vërtetë që Marrëveshja për Reciprocitet të Automjeteve mes dy Shteteve, Kosovës dhe Serbisë, është dashur të fillojë më 15 nëntor, mirëpo ka pasur vonesa nga ana jonë sepse vonesat janë krijuar nga procedurat administrative, të cilat po marrin kohë e që lidhen me prodhimin e letërngjitësve”, ka potencuar ajo.

Tahiri më tej ka thënë se për një gjë të tillë është njoftuar edhe Brukseli.

“Ne kemi njoftuar Brukselin që jemi duke u vonuar dhe në momentin që kryhen procedurat administrative të cilat lidhen edhe me procedurat tenderuese, atëherë do të jemi të gatshëm ta zbatojmë”, ka shtuar ministrja për Dialog.

Pavarësisht kësaj, ajo ka theksuar se për këtë çështje pala serbe e ka konfirmuar gatishmërinë që më 15 nëntor të fillojë zbatimi i saj. Mirëpo, e tërë kjo, siç është shprehur ajo, varet prej Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Ministria e Brendshme është ajo e cila është zbatuese e marrëveshjes dhe e cila i realizon procedurat e prodhimit të letërngjitësve. Ne po presim prej tyre njoftimet gjatë kësaj jave, të shohim dhe ua bëjmë me dije”, ka përfunduar ajo.

Ndërkohë, e kontaktuar nga “Zëri”, Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka dhënë ndonjë informacion lidhur me këtë marrëveshje.

“Ju lutem, drejtohuni në Ministrinë për  Dialog”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim nga MPB-ja.

Selimi: S’ka reciprocitet me Marrëveshjen për Targat

Nga ana tjetër Rexhep Selimi, anëtar i Komisionit për Punë të Brendshme nga Lëvizja “Vetëvendosje”, ka vlerësuar se Marrëveshja për Targat nuk mund të quhet reciproke.

“Në radhë të parë nuk është marrëveshje për reciprocitet për shkak se në marrëveshje nuk parashihen veprime reciproke sa i përket mbulesës së tabelave në Kosovë. Përveçse shenjat në targat e Kosovës duhet të mbulohen, simbolet RKS dhe stema, kjo nuk vlen, siç thuhet në Marrëveshje, edhe për targat serbe në përdorim të banorëve të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, kjo marrëveshje nuk vlen për veriun dhe enklavat me shumicë serbe në Kosovë. Ndërkaq, ka vlerësuar se shumicën e elementeve kjo marrëveshje i ka të dëmshme.

“Pra, kjo marrëveshje edhe ashtu shumicën e elementeve i ka të dëmshme për Kosovën. Por edhe ato pak elemente pozitive që do të mundë t’i kishte, mbetet e parealizuar deri më sot sepse kështu janë dakorduar qeveritë, ajo e Serbisë dhe ajo e Kosovës”, ka shtuar Selimi.

Berisha: Vendosja e reciprocitetit, e nevojshme qysh nga fillimi

Zafir Berisha, anëtar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, njëherësh deputet i “Nismës për Kosovën”, ka thënë se Marrëveshja për Targat është përmendur shumë herë, por nuk është zbatuar për shkak të sjelljes së Kosovës ndaj Serbisë.

“Nuk pres që kjo garniturë politike në Qeveri të sillet me Serbinë si shtet për arsye se janë të varura nga politika e Beogradit. Kjo për reciprocitet me Serbinë shpeshherë është përmendur, por asnjëherë nuk është zbatuar për shkak të servilitetit të skajshëm dhe nënshtrues ndaj Serbisë”, ka deklaruar ai.

Sipas Berishës, sjellja si shtet me Serbinë ka qenë e nevojshme qysh nga fillimi.

Vonesa, e pajustifikueshme

Nga ana tjetër Beqir Hamidi, udhëheqës i programit të komunikacionit në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka vlerësuar se vonesat për zbatimin e kësaj marrëveshjeje janë të pajustifikueshme.

“Vonesa është e pajustifikueshme”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Ndërkohë ka thënë se marrëveshja në fjalë është e domosdoshme.

“Kjo marrëveshje është e domosdoshme, meqë cenohet lëvizja e lirë”, ka shtuar Hamidi.

Mushkolaj: Përgjegjësinë e mban ministrja Tahiri

E analisti politik Imer Mushkolaj ka vlerësuar se përgjegjësinë për moszbatimin e marrëveshjes në fjalë e mban ministrja për Dialog dhe Qeveria e Kosovës.

“Përgjegjësinë e mban ministrja Edita Tahiri dhe Qeveria e Kosovës që japin premtime boshe. Edhe për të tjera marrëveshje ka ndodhur që të mos realizohet me kohë ajo çfarë ka premtuar Tahiri, deklaratat e së cilës kanë shërbyer më tepër për konsum të brendshëm politik”, është shprehur ai.

Sipas Mushkolajt, reciprociteti për një çështje të tillë është dashur të vendoset kohë më parë.

“Reciprocitet për këtë çështje është dashur të vendoset shumë më herët, por pala kosovare nuk e ka kërkuar një gjë të tillë dhe Beogradi e ka shfrytëzuar për interesa të veta hapësirën e krijuar”, ka shtuar ai.

Sipas tij, qasja e Qeverisë së Kosovës në dialog është e gabuar dhe përderisa nuk ndryshon do të kemi situatë të tillë dhe mospërmbushje nga ana e Beogradit të marrëveshjeve të arritura.

Përkundër tij, politologu Ramush Tahiri ka vlerësuar se pengesat për moszbatimin e Marrëveshjes për Targat janë kryesisht teknike.

“Zgjidhja është kompromis sepse Serbia nuk e pranon shtetin e Kosovës dhe simbolet e saj. Pengesat zakonisht janë teknike sepse paqartësitë e dykuptimësitë janë zgjidhur gjatë arritjes së marrëveshjes”, ka deklaruar Tahiri për “Zërin”.