Drenasi, testi i parë për Veselin

Pas gjashtë muajve pasi që ka marrë “timonin” e partisë më të madhe në vend(PDK), Kadri Veseli do t’i nënshtrohet testit të parë nga qytetarët në një Komunë të vogël të Kosovës (Drenas).

Veseli i ka mobilizuar të gjitha strukturat partiake për ta rifituar Drenasin, komunë kjo që vazhdimisht është qeverisur nga PDK-ja, pasi që rezultati i këtyre zgjedhjeve, nga vetë drejtuesit e këtij subjekti politik po shihet si pasqyrë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat përflitet se do të mbahen në pranverën e ardhshme.

Prandaj, Drenasi po llogaritet si një lloj matësi i fuqisë aktuale të PDK-së.

“Kryetari Kadri Veseli ka urdhëruar të gjithë anëtarët e Kryesisë së Partisë që të kenë vëmendjen në zgjedhjet e Drenasit, pasi që janë një test për ne dhe partinë. Në qoftë se e humbin, apo eventualisht shkojmë në balotazh, atëherë Isa Mustafa dhe LDK-ja mund të kërkojnë zgjedhje parlamentare të parakohshme, meqë llogarit në humbje të elektoratit të PDK-së”, ka thënë një burim i gazetës “Zëri” brenda PDK-së.

Frika e PDK-së nga humbja e Drenasit

Ditëve të fundit janë parë shumë ministra e deputetë të PDK-së në Qeveri të cilët kanë vizituar Drenasin dhe kanë dalë në terren bashkë me kandidatin për kryetar të PDK-së, Ramiz Lladrovcin.

Hajredin Kuçi, Enver Hoxhaj, Memli Krasniqi, Blerand Stavileci, janë disa nga ministrat e PDK-së që po e mbështesin Lladrovcin për kryetar komune.

Por, kundërkandidati i Lladrovcit për kryetar të Drenasit, Isa Xhemajlaj nga “Nisma për Kosovën”, ka thënë se PDK-ja dhe kryetari i saj i kanë vënë të gjithë mekanizmat e saj në funksion, pasi që, siç e vlerëson ai, këtë herë janë të frikësuar nga humbja në këtë komunë.

“PDK-ja po dëshiron ta nxjerrë një sondazh , sepse e dinë që ka rënie”, ka thënë Xhemajlaj.

Mirëpo, pavarësisht kësaj, kandidati i cili dikur kishte ndihmuar PDK-në në këtë komunë, thotë se nga ajo që ka parë në teren, ai do të dalë fitues në garën për të parin e Drenasit.

“Me gjithë këtë presion, po e shoh një disponim të mirë të qytetarëve për të ndryshuar dhe ndoshta nuk lidhem shumë me emra të partive por kryesisht lidhem shumë me veprimtarinë time në fushën e arsimit, luftës, TMK-së, edhe në formim të PDK-së kur i kemi dhënë drejtim dhe vizion. Me këtë disponim të qytetarëve unë me 5 dhjetor do të jem kryetar në Drenas”, është shprehur ai, edhe pse PDK-ja, sipas tij, po i përdor shoqatat e veteranëve dhe arsimtarët për t’i fituar këto zgjedhje.

“PDK-ja po i përdor edhe shoqatat dhe veteranët, po i kushtëzon arsimtarët, profesorët, mirëpo sapo dalin nga takimi me thërrasin dhe me thonë se po frikohen, sepse nuk do të shkonin”, ka thënë Xhemajlaj.

PDK është unike

Kryetari i PDK-së Kadri Veseli mendimet ndryshe dhe kandidatët e dalë nga partia e tij si të pavarur për të parin e Drenasit, i sheh të dobishme dhe të shëndetshme në demokraci.

Mirëpo, sipas tij, këto nuk e luhatin unitetin e partisë, pasi PDK-ja është partia më e organizuar në vend.

“Jemi subjekt politik që diversitetin e brendshëm e konsiderojmë pasuri. Mendimet ndryshe janë normale, të domosdoshme dhe tejet të shëndetshme për demokracinë. Ju tashmë e keni parë që ka një konsensus të gjerë për Ramiz Lladrovcin si kandidatura më e duhur për Drenasin. Tashmë, ne kemi parë një mobilizim të madh të strukturave të partisë atje, po dëgjojmë çdo ditë brengat e qytetarëve si dhe po shpalosim projektet tona për zhvillimin e kësaj komune”, ka thënë Veseli në një intervistë për Telegrafin.

Kreu i PDK-së shpreson se më 4 dhjetor, do të konfirmohet vazhdimi i qeverisjes së Drenasit nga partia që ai drejton.