Dekriminalizimi i politikës, vështirë i realizueshëm
Ideja e presidentit, Hashim Thaçi, për ta formuar një kod për dekriminalizimin e politikës në Kosovë shihet si e pamundur për t’u realizuar, sado që cilësohet si pozitive. Derisa deputetë nga PDK-ja vlerësojnë se një hap i tillë është i qëlluar, ata të LDK-së konsiderojnë se kjo iniciativë nuk paraqet zgjidhjen e plotë.
Nga ana tjetër, partitë opozitare kanë vlerësuar se presidenti Thaçi fillimisht duhet ta dekriminalizojë veten dhe ish-partinë e tij e më pas skenën tjetër politike. Sipas tyre, dekriminalizimi duhet të ndodhë pas zgjedhjeve të reja dhe vetëm pasi në Kosovës të formohet një qeverisje e re.
Ndërkohë, njohësit e sistemit të drejtësisë thonë se propozimi i të parit të shtetit nuk është i konkretizuar. Kjo pasi, sipas tyre, krimet e rënda nuk mund të barazohen me ato më të lehta. E sipas analistëve politikë, propozimi në fjalë është ideal po që se mund të realizohet. Mirëpo, ata mbeten skeptikë nëse një gjë e tillë mund të ndodhë në praktikë, pasi që skema më e kriminalizuar politike është tek partia që ka drejtuar Thaçi për 16 vjet, PDK-ja.
Thaçi fton partitë për të diskutuar rreth kodit
Ardian Arifaj, këshilltar i presidentit Hashim Thaçi, ka thënë se i pari i shtetit i ka ftuar partitë politike që të konsultohen rreth kodit për dekriminalizim të politikës.
"Presidenti Thaçi ka ftuar partitë politike që të dakordohen në mes vete rreth një kodi, sipas të cilit në listat e kandidatëve për deputetë dhe këshilltarë nuk do të ketë persona që janë nën hetime apo të akuzuar për krime apo që janë dënuar për krime”, është shprehur ai.
Arifaj për “Zërin” ka thënë se presidenti i fton subjektet politike që të ndërmarrin hapa në këtë drejtim.
“Presidenti inkurajon partitë politike të vazhdojnë të ndërmarrin hapa afirmativë, pozitivë, që të forcohet edhe më tutje besimi i qytetarëve të Kosovës në partitë politike dhe në përgjithësi në klasën politike në Kosovë”, ka deklaruar ai në një prononcim për “Zërin”.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë për “Zërin” se kushdo që ka aktakuzë mbi vete nuk duhet të kandidojë për ndonjë post politik.“Ata që ngarkohen me akuza kriminale nuk munden të kandidojnë për poste politike”, ka deklaruar Haliti.
Në anën tjetër, deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Nuredin Ibishi, mendon se ky kod për dekriminalzimin e politikës nuk përbën një zgjidhje.
“S’është kjo zgjidhje, më tepër është ad hoc kjo çështje. Unë e shoh më shumë të qëndrueshëm një sistem të reformave të përgjithshme ku do të hyjë edhe kjo”, ka deklaruar Ibishi, sipas të cilit, ky kod do të funksionojë në aspektin e njëjtë si funksionojnë pakot ligjore.
LVV: Propozimi i Thaçit, tendencë për eliminimin politik të opozitës
Ndërkaq deputetja e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albulena Haxhiu, ka vlerësuar se propozimi i presidentit Hashim Thaçi për ta formuar kodin për dekriminalizim të politikës është një lloj tendence për eliminim politik të opozitës.
“Kjo më shumë duket si tendencë për eliminimin politik të opozitës për shkak se shumë prej deputetëve të opozitës sot kanë të ngritura aktakuza për gazin lotsjellës në Kuvend”, ka deklaruar Haxhiu, sipas së cilës, nëse ky është qëllimi i tij “atëherë do të pësojë keq sepse nuk do të lejojnë përgjithësimin e rasteve”.
Haxhiu është shprehur e bindur se përgjegjësinë për kriminalizimin e politikës e ka vetë presidenti i Kosovës, bashkë me ish-partinë e tij, PDK-në.
“Nëse bëhet fjalë për aktakuza për korrupsion duhet theksuar faktin që përgjegjësitë për kriminalizimin e skenës politike i ka Hashim Thaçi dhe partia e tij, PDK-ja. Para se të bëjë deklarime të tilla ai do të duhej të jepte përgjegjësi penale për gjithë pasurinë e tij të pajustifikueshme”, ka thënë ajo, duke e cilësuar hipokrizi një gjë të tillë.
Sipas saj, duhet fillimisht që vendi të shkojë në zgjedhje e tek pas ardhjes së një qeverie tjetër drejtësia do të mundë t’i hetonte zyrtarët shtetërorë.
“Tek pastaj ky sistem i drejtësisë do ta kishte guximin t’i hetonte dhe t’i dënonte zyrtarët e korruptuar, ku bën pjesë edhe Thaçi dhe jo vetëm të bëhen ndryshime që ua ndalon zyrtarëve të cilët kanë aktakuza”, ka përfunduar deputetja e LVV-së.
AAK: Thaçi ta mendojë një ligj për dekriminalizimin e vetes
Kurse deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, ka vlerësuar se presidenti Hashim Thaçi nuk mund të propozojë asgjë për dekriminalizim kur institucionet, siç thotë ajo, janë kriminalizuar faji i tij.
“Hashim Thaçi nuk ka kredenciale për të propozuar asgjë. Nëse janë kriminalizuar institucionet, janë më së shumti për fajin e tij. Ai me politikën e keqe të tij i ka dhënë hapësirë që të kemi një qeverisje të kriminalizuar nga korrupsioni. Ai së pari duhet të mendojë një ligj për dekorrupsionalizim të vetvetes”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, një gjë e tillë nuk mund të ndodhë pasi askush nuk mund ta bëjë një ligj kundër vetvetes.
“Po s'kemi pritje që mund të ndodhë kjo. Si mendoni që njerëzit e korruptuar të pushtetit do ta bëjnë një ligj kundër vetvetes. Nuk e besojmë këtë demagogji. Personat të cilët janë të inkriminuar në raste korruptive apo janë të akuzuar vetvetiu s'do të duhej të turreshin për të vazhduar prezencën në skenën e jetës publike e politike”, ka shtuar ajo.
Kadriaj më tej ka thënë se institucionet e partitë politike do të duhej të pastroheshin nga kjo kategori e njerëzve sepse kështu, sipas saj, do të kishim një shtet dhe shoqëri me të shëndoshë politikisht e ekonomikisht.
Gashi: Duhet të ketë dallime mes veprave penale të lehta dhe të atyre të rënda
E avokati Tomë Gashi ka vlerësuar se të akuzuarit për çështje korruptive dhe për vepra penale të rënda nuk marrin poste politike, por thekson se duhet të bëhen ndarje mes veprave penale.
“E dikush që është i akuzuar për një ndeshje të lehtë në trafik edhe nëse është një politikan brilant i mirë, a do a do të thotë sipas presidentit Thaçi se ai nuk do të mundë të marrë asnjë post qeveritar”, ka deklaruar Gashi. Sipas tij, po të miratohej ky ligj do të duhej të specifikoheshin llojet e krimeve që janë të peshës së vogël dhe krimet e rënda.
“Duhet të ketë dallime mes veprave penale të lehta dhe të rënda, ato veprat penale të lehta për shembull ndeshja e komunikacionit dhe vepra penale të rënda që kryhen me dashje dhe janë korruptive”, ka deklaruar ai.
Gashi më pas ka specifikuar se ekzistojnë disa lloje të krimeve.
“Ligji penal i ka ndarjet në kapitull të krimeve të lehta dhe të atyre të rënda. Ekzistojnë kode mbi krime të rënda që kryhen me vetëdije, veprat penale të rastësishme janë krejt diçka tjetër”, ka përfunduar avokati Gashi.
Miftaraj: Mungon vullneti politik për ta konkretizuar kodin
Nga ana tjetër, hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, konstaton se për t’u konkretizuar nisma e presidentit duhet vullnet politik dhe i cili mungon në Kosovë.
“Nisma e presidentit Thaçi do të mundë të konkretizohej nëse vetë partitë politike do të kishin vullnet dhe nuk do të lejonin që personat të cilët janë nën hetime të jenë pjesë e listave zgjedhore, apo personat ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza apo janë dënuar për vepra penale të ushtronin funksione publike apo shtetërore”, ka deklaruar ai.
Mirëpo, sipas tij, mungon vullneti politik për ta realizuar një gjë të tillë.
“Fatkeqësisht, praktika e deritanishme ka dëshmuar se mungon vullneti politik i bartësve kryesorë të institucioneve shtetërore dhe i shumicës së kryetarëve të partive politike për ta pastruar skenën politike në Kosovë nga individë që udhëheqin komuna apo janë në funksione tjera qeveritare dhe publike me aktakuza apo edhe në raste të caktuara me aktgjykime dënuese për vepra penale të korrupsionit”, ka potencuar ai.
Madje, Miftaraj thotë se vetë politika u del në mbrojtje atyre që janë duke u hetuar.
“Praktika vërteton se politika i mbështet dhe u del në përkrahje të vazhdueshme pozitave të larta, pavarësisht se të njëjtit janë duke u hetuar, duke u akuzuar apo edhe të dënuar për vepra penale të korrupsionit”, ka përfunduar ai.
Analistët: Kodi, hap i madh nëse do të funksiononte paanshëm
Analisti politik Imer Mushkolaj ka vlerësuar se një gjë e tillë do të ishte ideale po që se do të realizohej. Mirëpo, ai mbetet skeptik nëse një gjë e tillë do të ndodhë.
“Do të ishte ideale po që se një gjë e tillë do të realizohej. Por, unë dyshoj se kjo mund të ndodhë. Deklarativisht mund të përkrahet nga të gjitha subjektet politike, por mund të dështojë në praktikë”, ka deklaruar ai. Kurse ka thënë se njerëz të kriminalizuar gjenden gati në të gjitha partitë.
“Thuajse të gjitha partitë kanë njerëz të kriminalizuar brenda strukturave të veta. Në fakt, për disa parti kjo është mënyrë funksionimi, kështu që pastrimi nga njerëz të tillë do të thotë humbje për to”, ka thënë Mushkolaj, duke shtuar se më së shumti mund të dëmtohet PDK-ja.
Kurse Haki Abazi, nga “Rocfeller Brothers Fund”, njohës i çështjeve politike në Kosovë, ka vlerësuar se propozimi i presidentit Thaçi për një kod dekriminalizimi është vetëm deklarativ, jo më shumë. “Problemi është se këto deklarata bëhen sa për sy e faqe dhe për të krijuar përshtypjen se po luftohet krimi. Askush nuk u beson këtyre deklaratave, sidomos kur kemi parasysh të gjitha shkeljet dhe integrimet me gjyqësorin”, ka potencuar ai.
Një hap i tillë do të ishte tejet pozitiv po që se nuk do të kishte kurrfarë prapavije, sipas Abazit. Megjithatë, ai thotë se kjo iniciativë do të duhej të merrej nga Prokuroria e jo nga presidenti.
“Implementimi i një vendimi të tillë në mënyrë të sinqertë dhe të paanshme pa filtra dhe pa diskriminim dhe interferim të politikës do të ishte hap shumë i madh. Por, edhe një herë fakti që kjo vjen nga presidenti e jo nga drejtësia dhe Prokuroria shtetërore ngreh shumë dyshime se pse një gjë e tillë po ndodh dhe çfarë mund të jenë kalkulimet politike para një procesi ndërkombëtar, siç është rasti i Gjykatës Speciale”, ka theksuar Abazi.