S’ka viza as në 2017-ën
Kosova mund të mos përfitojë nga liberalizimi i vizave edhe pas ratifi kimit të Demarkacionit. Kështu tha Ulirke Lunaçek, nënkryetarja e Parlamentit Evropian, ditë më parë në Kosovë.
E për këtë gjendje në Kosovë, analistët politikë, pos institucioneve dhe politikanëve, fajin ia lënë edhe Bashkimit Evropian
Qytetarët e Kosovës mund të mos lëvizin lirshëm as vitin që vjen. Procesi i liberalizimit të vizave, i premtuar të realizohet tash e 6 vjet, mund të mos finalizohet as më
2017-të. Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike dhe ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare në Kosovë. Sipas tyre, përgjegjësia kryesore për një gjë të tillë bie pikërisht mbi institucionet dhe udhëheqësit e Kosovës.
Nga ana tjetër, partitë opozitare vlerësojnë se liberalizim nuk do të ketë derisa qeveria aktuale vazhdon të qeverisë. E përderisa përfaqësues të qeverisë kanë thënë se demarkacioni është kusht i pakontestueshëm për liberalizim, para pak ditësh Nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek, ka paralajmëruar edhe njëherë Kosovën se edhe pas ratifikimit të Demarkacionit mund të mos ketë viza. E fajin për gjendjen në të cilën ndodhet Kosova aktualisht, analistët politikë, pos institucioneve, ia lënë edhe BE-së.
Nëse vazhdohet kështu, s’ka viza vitin që vjen
Dren Ajeti nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka vlerësuar se nëse pozita dhe opozita vazhdojnë tempon e njëjtë edhe vitin e ardhshëm, atëherë nuk do të ketë liberalizim të vizave as në 2017-ën.
“Nëse edhe në vitin 2017- të liderët e të dyja taboreve, pozitë dhe opozitë vazhdojnë me veprimet e viteve paraprake, vendi as në 2017-ën dhe asnjëherë nuk do të mund të udhëtojë pa viza”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, qytetarët tanimë janë të lodhur nga premtimet e përmuajshme për liberalizimin e vizave dhe ata kanë humbur besimin në politikbërësve kosovarë.
Kurse, ka thënë se faji për mosliberalizim është kryekëput te politikanët.
“Lunaçek përmblodhi atë që të gjithë ne e kemi ditur: fajin për mosliberalizim nuk e kanë qytetarët, por kryekëput politikanët e Kosovës, të cilët të udhëhequr shpesh nga egoja, inatet për të gjetur konsensus dhe gjuhë të përbashkët dhe shpesh paaftësia për të udhëhequr, kanë bërë që Kosova të jetë i vetmi vend në Evropë që ka mbetur i prangosur brenda kufijve të tij”, ka shtuar Ajeti.
BE-ja është treguar e ashpër karshi Kosovës
Nga ana tjetër, Krenar Gashi, hulumtues në Qendrën për Studime Evropiane në Universitetin e Gentit në Belgjikë, ka vlerësuar se finalizimi i Demarkacionit nuk sjell automatikisht edhe vizat.
“Ratifikimi i marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit është vendosur si kusht nga Bashkimi Evropian. Natyrisht, plotësimi i këtij kushti nuk garanton automatikisht heqjen e vizave për Kosovën, meqë një gjë e tillë varet kryekëput nga disponimi në Këshill të Ministrave ku të 28-të vendet anëtare marrin vendime të përbashkëta”, ka deklaruar ai për “Zërin”.
Sipas tij, dështimi i institucioneve të Kosovës për ta përmbushur kushtin e Demarkacionit, ka bërë që të na ikë një momentum i volitshëm dhe një disponim pozitiv që Këshilli kishte për këtë çështje. Ndërkohë, ka thënë se Bashkimi Evropian është treguar i rreptë me Kosovën.
“Duhet thënë që në fillim se BE-ja është treguar e ashpër karshi Kosovës sa i përket liberalizimit të vizave”, ka shtuar ai.
Ai tutje, ka thënë se është shumë herët të parashikohet se kur mund të merret vendimi për vizat.
“Megjithatë, për shkak të natyrës së komplikuar vendimmarrëse të BE-së, është thuajse e pamundur të parashikohet nëse një vendim i tillë do të merret në fillim apo në fund të vitit 2017-të”, është shprehur ai.
Kurse, ka konsideruar se pa kryerjen e Demarkacionit, shanset janë minimale që Këshilli ta shqyrtojë një vendim të mundshëm për liberalizim, se lëre më siç shprehet ai, të vendosë për të.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Faton Abdullahu, ka vlerësuar se Demarkacioni është kusht i pakontestueshëm për liberalizimin e vizave.
“Përkundër mendimeve e perceptimeve të ndryshme, është e pakontestueshme se Demarkacioni me Malin e Zi, është njëra nga dy kushtet që ne duhet t’i përmbushim me qëllim që të kemi pastaj liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës, kjo është zyrtare dhe tashmë e qartë për të gjithë ne”, ka thënë ai për “Zërin”.
Liberalizimi është vonuar
Time Kadriaj, anëtare e Komisionit për Integrime Evropiane, njëherit deputete e AAK-së, ka vlerësuar se liberalizimi i vizave është një çështje tejet e vonuar.
“Liberalizimi i vizave duhet të ndodhë, kjo çështje është vonuar shumë. Por, ajo që ka të bëjë me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës sikur për të gjitha tjerat që kanë ndodhur, duhet të ketë siguri ekonomike, politike”, ka deklaruar ajo.
Ndërkohë që ka vlerësuar se Qeveria e mban fajin për zvarritjen e këtij procesi, pasi që ashtu si ajo është shprehur, nuk ka punuar fare për këtë proces.
“Qeveria e Kosovës për arsye se nuk ka punuar drejt në plotësimin e kushteve për liberalizimin, është vonuar shumë në këtë drejtim”, ka shtuar Kadriaj.
Kurse, është shprehur skeptike nëse mund të lëvizet lirshëm vitin që vjen.
“Nga 2009-ta kemi pasur disa herë liberalizim, por asnjëherë nuk është bërë diçka konkrete që të ndodhë liberalizimi dhe me keqardhje e them se për sa të jenë në pushtet zhvatësit e Kosovës vështirë që do të ndodhë liberalizimi”, është shprehur deputetja e AAK-së.
Edhe nëse votohet Demarkacioni, s’do të ketë liberalizim
Ndërkohë, deputetja e “Nismës për Kosovën”, Valdete Dushica-Bajrami, njëherit zëvendëskryetare e Komisionit për Integrime Evropiane, ka vlerësuar se liberalizimi i vizave nuk do të ndodhë edhe po qe se ratifikohet marrëveshja e Demarkacionit.
“Edhe ne kemi thënë këtë që nga momenti i kundërshtimit tonë për marrëveshjen e demarkimit me Malin e Zi, pra edhe nëse votohet Demarkacioni liberalizim të vizave nuk do të ketë”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, kriteri kyç për një gjë të tillë, është procesi dhe luftimi i korrupsionit. Andaj, ashtu si deputetja e “Nismës”, është shprehur që liberalizim të vizave nuk do të ketë derisa ekziston qeveria e tanishme.
“Qytetarëve të Republikës së Kosovës duhet t'iu bëhet e qartë se, liberalizim nuk do të ketë, deri sa do jenë këta njerëz në krye të institucioneve”, ka shtuar ajo.
Dushica-Bajrami më tej ka thënë se është shumë e ulët që për dështimet e tyre, udhëheqësit politikë ta fajësojnë BE-në. Kurse, ka vlerësuar se qeveria aktuale ka dështuar plotësisht.
“Edhe kritikat që janë adresuar për punën e dobët të qeverisë në raport të progresit e dëshmojnë atë që tash më sa kohë e kemi thënë, se kjo qeveri ka dështuar në përmbushjen e atyre premtimeve që edhe i kanë fituar votat”, është shprehur Dushica-Bajrami.
Deklarata e Lunaçek paraqet vetëm realitetin
Ndërkaq, eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Emrush Ujkani, ka thënë se deklarata e Nënkryetares së Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek paraqet tamam realitetin.
“Deklarata e zonjës Lunaçek natyrisht që përfaqëson vetëm atë që është edhe qasje reale karshi kësaj çështjeje”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, një gjë e tillë do të vazhdojë të jetë kështu derisa institucionet e Kosovës ta kuptojnë drejt agjendën evropiane dhe në të njëjtën kohë të punojnë me më seriozitet në fushën e sundimit të ligjit.
Kurse, liberalizimi i vizave sipas tij do të ndodhë tek atëherë kur Kosova do t’i plotësojë kushtet e caktuara nga Bashkimi Evropian.
“Duan të them se ai do të ndodhë atëherë kur Kosova plotësojë kërkesat e parashtruara nga BE-ja”, ka shtuar ai.
BE-ja e ka fajin
E politologu Ramush Tahiri, ka vlerësuar se vonimi i liberalizimit të vizave është turpi i Evropës.
“Mosliberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është turpi i Evropës sepse pa të drejtë i mbajnë të izoluar ata duke ua kufizuar lirinë e lëvizjes”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, është e pakuptueshme kjo politikë e BE-së ndaj Kosovës në kohën kur edhe Ukraina e Gjeorgjia kanë marrë liberalizimin.
Tahiri gjatë bisedës ka thënë se misionet ndërkombëtare nuk ishin aspak të nevojshme.
“Pra, misionet ndërkombëtare në Kosovë ishin dhe janë krejt të panevojshme dhe u treguan të paefektshëm që nuk e arsyetojnë të kenë referenca për të shkuar në vende të tjera”, ka potencuar Tahiri.
Kurse, Haki Abazi nga Rockfeller Brothers Fund ka shtuar se fajtorë të vetëm për mosliberalizim janë institucionet.
“Janë fajtore vetëm institucionet dhe përfaqësuesit me mangët e përvjelura për të krijuar pasuri dhe pushtet për vete. As Demarkacioni nuk e sjell liberalizmin kur drejtësia dhe gjyqësori është i kapur”, ka theksuar ai.
Sipas Abazit, të gjitha raportet e progresit të komisionit evropian janë të qarta për dështimet dhe mungesën e reformave.
MIE: Demarkacioni problem politik, luftimi i krimit po vazhdon
Ministria e Integrimit Evropian, ka thënë se dy kriteret e mbetura të Kosovës para liberalizimit të vizave, siç janë ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi dhe luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit janë në proces.
“Sa i përket kriterit të Demarkacionit, është duke vazhduar dialogu politik për të gjetur zgjidhje lidhur me këtë çështje.”, ka thënë Flamur Salihu nga Zyra për Informim në këtë ministri.
Ai ka shtuar se përderisa Demarkacioni mbetet problem politik, luftimi i korrupsionit ka pasur një ngritje të dukshme.
“ Fillimisht, numri i rasteve të shënjuara ka qenë shumë më i vogël, ndërsa tani janë gjithsej 33 raste. Nga 33 rastet e shënjuara, prokuroritë kanë ngritur gjithsej 21 aktakuza. Për më tepër, nga këto 21 raste në proces gjyqësor, 3 raste kanë marrë aktgjykim dënues të formës së prerë nga Gjykata e Apelit. Në 18 rastet tjera është duke u zhvilluar procedura gjyqësore”, ka thënë Salihu.
Megjithëkëtë ai ka shpjeguar se MIE, vetëm monitoron dhe raporton mbi zbatimin e këtij kriteri dhe përmbushja e tij nënkupton një proces në vazhdimësi.