Ushtaret e Kosovës

Femra kosovare po dëshmon se është e zonja për të shërbyer në FSK. Rekrutimi, shërbimi si dhe karriera bëhen në bazë të ligjeve dhe rregulloreve të cilat vlejnë për të gjithë pjesëtarët, e jo sipas kuotave

E do suksesin që e meriton. Nuk do kuota dhe as përkrahje gjinore. Është kjo Remzie Zeqiraj, e cila mban gradën major dhe është një nga oficeret e Zyrës për marrëdhënie me publikun në FSK.

Aktualisht në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) 206 femra mbajnë të veshur uniformën e ushtrisë. Ushtaraket në FSK mbajnë edhe pozita të rëndësishme në nivel komandues si oficere, komandante, zëvendëskomandante.

 Kurse, gradat përfshijnë një kolonele, tri femra janë nënkolonel, katër majore, pesë kapitene, shtatë togere, dy rreshtermajore, dhjetë mbajnë gradën kapterë, dhjetë rreshter, 28 tetar si dhe 136 ushtare.

Stema e shtetësisë së Kosovës bukur në uniformën e ushtareve femra që me krenari i shërbejnë atdheut. Madje në Kosovë ka pasur rol kryesor në mbajtjen e familjes, sidomos në rastet kur kryefamiljarët ishin burgosur për shkak të aktivitetit të tyre politik.

Kjo vazhdimësi u reflektua kur një pjesë prej tyre u dëshmuan dhe si ushtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e tani vazhdojnë misionin e tyre në FSK.

Remzie Zeqiraj mban gradën major, dhe është një nga oficeret e Zyrës për marrëdhëniet me publikun, e cila po ashtu është një nga femrat e para që veshi uniformën e ushtares.

Në fillim ajo veshi uniformën që mbante emblemën e UÇK-së.

Në një bisedë për “Zërin”, ajo rrëfen sesi ishte angazhuar me vullnet të plotë në UÇK si një organizatë e cila luftoi për çlirimin e vendit.

“Ideali i lirisë së popullit tim ka qenë shtytësi i vetëm që më ka motivuar të bëhem ushtarake dhe prej asaj kohe nuk i jam ndarë uniformës”, thotë major Zeqiraj.

Lufta për çlirim dhe pjesëmarrja në të, ajo thotë se është vepër jetësore kulmore e një individi, i cili është i mishëruar me fatin e kombit të vet.

“Kam qenë me fat që kam luftuar përkrah heronjve që kanë rënë, si dhe kam qenë dhe jam e lumtur që i kam përjetuar dhimbjet e plagëve të luftës për liri”, thotë major Zeqiraj, e cila gjatë luftës ishte edhe e plagosur rëndë.

 Sfida për t’u zhvilluar i bën të suksesshme

Pas mbarimit të luftës, Zeqiraj do të rreshtohet në shërbim të Trupave Mbrojtjes të Kosovës(TMK) në detyrën e Shefes së Sektorit për Informim Publik në Batalionin e 40-të të Mjekësisë, me gradë Kapiten.

Pastaj shërbimin në TMK do ta përmbyllë me të njëjtën gradë, por në detyrën e oficerit për medie pranë Zyrës së Informimit Publik në Shtabin e Përgjithshëm të TMK-së.

“Gjatë asaj periudhe trajnimet dhe shkollimet kanë qenë profesionale, nga fusha e medieve, marrëdhënieve me publikun, gjuhëve të huaja si dhe kursi i oficerëve, e kurse tjera sipas planit të shkollimeve, trajnimeve dhe stërvitjeve të atij institucioni, pra TMK-së”, tregon ajo për gazetën.

Pas shuarjes së TMK-së dhe ngritjes së FSK-së, si të gjithë pjesëtarët të tjerë, pra kolegët e saj, Zeqiraj konkurron në FSK.

“Kalova të gjitha testimet dhe u pranova në FSK, fillimisht u emërova në detyrën shef i Sektorit të Komunikimit dhe Informatikës(G-6), në Komandën e Brigadës për Reagim të Shpejtë (BRSH) ku kam shërbyer për dy vjet, pastaj u transferova në Departamentin për Marrëdhënie me Publikun në MFSK, po me gradë Kapiteni, ndërsa më vonë u avancova në gradën Major dhe u emërova në detyrën e Oficerit për Marrëdhënie me Publikun në MFSK”.

Nëpër të gjithë procesin e trajnimit dhe ngritjes profesionale, ajo thotë të ketë kaluar si brenda ashtu edhe jashtë vendit, kryesisht nga fusha e sigurisë dhe në veçanti nga fusha e marrëdhënieve me publikun. Duke qenë se fusha e studimit të saj civil është Gazetari dhe Komunikim (aktualisht doktorante në UP, Shkenca të Komunikimit dhe Gazetari), si dhe trajnere për medie, e certifikuar nga Ministria e Mbrojtjes së Norvegjisë dhe ajo e Maqedonisë ( Public Affairs Regional Centre), Zeqiraj është emëruar dhe vazhdon të punojë në këtë Departament(DMP) mjaft të rëndësishëm të Ministrisë, e cila punën dhe aktivitetet e Ministrisë dhe të FSK-së ia ofron publikut të gjerë vendor e ndërkombëtar si dhe trajnon paraqitjet në medie për oficerët, nënoficerët e stafin civil.

“Sfidohemi dhe duhet të sfidohemi më tutje për t’u zhvilluar, ngritur, për të qenë të suksesshëm, për ta avancuar bashkërisht institucionin tonë. Ne duhet të dëshmojmë se duam ta bëjmë ushtrinë dhe duhet ta bëjmë detyrën tonë brenda institucionit për çka kemi marrë përgjegjësitë nga institucionet e zgjedhura si dhe për të realizuar aspiratën e vendit tonë”, thotë ajo.

Shërbimi në uniformë kërkon sakrificë

Për të qenë një ushtare në FSK, ato s’e shohin hendikep veten si femër në raport me meshkujt, që të arrijnë suksese në punë dhe avancim në grada. Major Zeqiraj thotë se të qenit ushtarak është sfidë për të dyja gjinitë.

“Pra, është sfidë që ka kalitje, angazhim, përgjegjësi e mbi të gjitha krenari sepse shërbejmë për vendin, qytetarët dhe përfaqësojmë simbolet e këtij vendi. Rekrutimi, shërbimi si dhe karriera bëhen në bazë të ligjeve dhe rregulloreve të cilat vlejnë për të gjithë pjesëtarët. Ne femrat kemi dëshmuar që jemi të denja për të shërbyer në FSK”, thotë ajo, derisa rrëfen sesi si femrat arrijnë të kombinojnë familjen me punën, pa i hyrë në hak tjetrës.

“Shërbimi në uniformë kërkon edhe angazhime që nganjëherë kërkojnë edhe sakrificën e familjes, por me një planifikim të mirë, siç ushtaraket janë të edukuara, suksesi është i pashmangshëm”, thotë major Zeqiraj.

Në FSK, ajo përmend se aktualisht shërbejnë 206 femra në uniformë në gradën e oficerit, nënoficerit dhe ushtarit.

“ Ushtaraket në FSK në pozita dhe rangje të ndryshme, shërbejnë në nivel komandues si dhe në nivel departamentesh dhe sektorësh. Kemi oficere komandante, zëvendës komandante...,etj. Prej 206 ushtarakeve një është kolonel, tri janë nënkolonel, katër majore, pesë kapitene, shtatë togerë, dy rreshter major, 10 kapterë, 10 rreshter, 28 tetar dhe 136 ushtare”.

Përfshirja e femrës në FSK krahasuar me përqindjen e disa vendeve të NATO-s nuk ngelë mbrapa.

Major Zeqiraj thotë se përqindja e femrave në MFSK është 32 për qind, ndërsa përqindja e femrave në uniforma në MFSK-FSK, ajo thekson se është 8.26 për qind, përkatësisht 206 femra në uniformë në gradën e oficerit, nënoficerit dhe ushtarit.

“Në krahasim me vendet e NATO-s, përqindja në FSK është në përputhje me shumicën e vendeve, por ne punojmë dhe synojmë përqindje më të madhe sapo të plotësohen kushtet për rekrutim pas transformimit të FSK-së në Forcë të Armatosur”, thotë ajo për “Zërin”.

Në FSK nuk ka kuota të ndara për femrat.

“FSK nuk ka përcaktuar kuota, rekrutimi bëhet në bazë të kritereve të njëjta dhe standardeve të njëjta”, thotë ajo.