Ushtria as në këtë mandat

Përfaqësuesit e koalicionit qeverisës tash e një kohë të gjatë janë duke premtuar se Kosova shumë shpejt do të bëhet me ushtri, mirëpo kjo po shihet si vështirë e mundshme për shkak të pengesës që është duke e paraqitur Lista Serbe. Subjektet opozitare dhe analistët politikë thonë se formimi i ushtrisë gjatë këtij mandati është vështirë i besueshëm.

Kosova nuk do të mund ta bëhet me ushtri as gjatë këtij mandati qeverisës, për shkak se partnerët e mëdhenj të koalicionit, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk janë marrë vesh paraprakisht me partnerin e tyre Listën Serbe që kjo e fundit të mbështesë formimin e ushtrisë. Kështu kanë thënë përfaqësuesit e opozitës dhe analistët politikë në vend. Sipas tyre PDK-ja dhe LDK-ja do të duhej që para se ta formonin koalicionin me Listën Serbe të merren vesh që edhe serbët ta mbështesin transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura. Qeveria e Kosovës në planprogamin legjislativ të këtij viti ka paraparë që çështja e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të trajtohet në fund të muajit nëntor, megjithatë kjo vështirë se do të ndodhë pasi Lista Serbe tash e një kohë është duke e bojkotuar punën e Kuvendit. Bajram Gecaj, këshilltar i kryeministrit të vendit ka thënë se Lista Serbe është duke zhvilluar konsultime të brendshme dhe se Zyra e kryeministrit është duke pritur që të bisedojnë me këtë subjekt, kur ata të jenë të gatshëm. “Nga Lista Serbe na thuhet se ende zhvillojnë konsultime të brendshme dhe ne presim të na njoftojnë kur janë gati të bisedojmë”, ka deklaruar Gecaj.

Opozita: PDK dhe LDK nuk janë serioze

Në anën tjetër, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu ka thënë se koalicioni qeverisës PDK-LDK nuk ka treguar seriozitet për transformimin e FSK-së në ushtri. Prandaj, sipas saj, me këtë koalicion nuk pritet bërja e ushtrisë. “Kjo Qeveri që nga fillimi sado që është thirrur në formimin e ushtrisë, asnjëherë nuk ka qenë serioze, përveç fjalëve ajo nuk ka ndërmarrë veprime konkrete. Nuk jam aspak optimiste se do të ndodhë transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura, sepse ky koalicion nuk është koordinuar asnjëherë me Listën Serbe për këtë çështje”, ka deklaruar Haxhiu. Ajo më tej ka thënë se Qeveria “Mustafa” do të kujtohet si njëra ndër qeveritë më të dobëta të vendit, duke ditur premtimet e dhëna dhe punët e pakta që ka kryer. “Ky koalicion para së gjithash ka qenë i interesuar për çështje tjera, ka qenë i interesuar që t’i mbledhë votat për zgjedhjen e Hashim Thaçit për president. Matematikat i kanë bërë ashtu si i kanë bërë, por për çështjen e ushtrisë nuk kanë treguar interesim. Kështu, duke i ditur premtimet që i kanë bërë këto parti dhe punën që e kanë kryer, besoj që kjo do të kujtohet si njëra ndër qeveritë më të dobëta në vend”, ka shtuar Haxhiu. Edhe deputeti i Nismës për Kosovën, Zafir Berisha ka shprehur bindjen se ushtria nuk do të formohet gjatë këtij mandati qeverisës. “Edhe në bazë të raportit të ministrit të FSK-së para Komisionit është vërejtur se përkundër procedimit në Qeveri, draftligji për FSK-në ka mbetur në sirtarët e ekzekutivit për shkak të pengesës nga partneri i PDK-së dhe LDK-së që është Lista Serbe. Ky subjekt është politika zyrtare e Beogradit në këtë koalicion, kështu që nuk pres që kjo çështje të trajtohet në këtë legjislaturë, pra jo që nuk pres për këtë vit, por nuk pres për aq kohë sa është ky koalicion”, është shprehur Berisha. Sipas tij, partnerët e mëdhenj të koalicionit para se ta bëjnë koalicionin janë interesuar që të arrijmë marrëveshje vetëm për sistemimin e njerëzve dhe jo se si t’i kryejnë detyrat më të rëndësishme. “Kur është bërë ky koalicion nuk janë marrë vesh për çështje të rëndësishme, por vetëm se si të sistemohen dhe si të përfitojnë individë të caktuar brenda koalicionit. Këtij koalicioni nuk i interesojnë çështjet e rëndësishme shtetërore, kështu që nuk ke pse pret diçka të rëndësishme nga kjo Qeveri”, ka thënë më tej Berisha.

Ushtria vështirë të bëhet gjatë këtij mandati

Ndërkohë, profesori universitar, Blerim Burjani ka thënë se për shkak të bojkotimit të punës së Kuvendit nga ana e Listës Serbe, çështja e transformimit të FSK-së në ushtri mund të mos kryhet në këtë mandat qeverisës. “Është një situatë kritike pasi dihet qëndrimi i Listës Serbe, subjekt ky që tani është edhe duke e bojkotuar punën e Kuvendit. Në këto kushte është shumë e mundshme që kjo çështje të mbetet për mandatin e ardhshëm”, ka vlerësuar Burjani. Ai më tej ka thënë se si alternativë është edhe ndryshimi vetëm i ligjeve që kanë të bëjnë me FSK-në, pa e ndryshuar Kushtetutën, megjithatë ai thotë se ekziston rreziku që kjo të cilësohet si kundër-kushtetuese. “Si alternativë është përmendur vetëm ndryshimi i ligjit, por se sa është e mundur që të bëhet kjo është mjaft e vështirë, për shkak se mund të kontestohet kushtetutshmëria e ligjit nga ana e Listës Serbe. Por edhe ndryshimi i Kushtetutës do të jetë i vështirë duke e ditur qëndrimin e Listës Serbe, pasi pa votat e këtij subjekti nuk do të mund të ndryshohet Kushtetuta”, ka përfunduar Burjani.

Në pritje të vendimeve nga Qeveria e Kuvendi

Departamenti për Marrëdhënie me Publikun në Ministrinë e FSK-së ka thënë për “Zërin” se Forca e Sigurisë së Kosovës i ka plotësuar kapacitetet e saj operacionale sipas misionit aktual të përcaktuara me Kushtetutën e vendit dhe se kapacitetet e plota operacionale të FSK-së janë njohur dhe deklaruar edhe nga NATO-ja në korrik të vitit 2013-të. Sipas kësaj Ministrie transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës dhe implementimi i ndryshimeve në sistemin e mbrojtjes kërkon ngritje të kapaciteteve për t'iu përgjigjur sfidave të sigurisë dhe kërcënimeve të parapara në mjedisin e Sigurisë gjatë Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë (RSSS) në Kosovë. Më tej thuhet se ky proces kërkon zgjidhje të reja dhe risi në fushën e operacioneve, logjistikës, inteligjencës, doktrinës, organizimit, personelit dhe trajnimit. Ministria e FSK-së tani është në pritje të vendimeve të Qeverisë dhe të Kuvendit për të filluar ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe ligjore. “Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës, më 14 tetor 2016 ka paraqitur në Qeverinë e vendit të gjithë pakon e ligjeve që kanë të bëjnë me transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të mbështetur edhe me deklaratë financiare.

Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës ka përfunduar punën e saj, bazuar në rekomandimet e RSSS-së, tani jemi në pritje të institucioneve më të larta të vendit për të marrë vendim”, thuhet në përgjigjen e kësaj Ministrie. Ministria e FSK-së ka përgatitur amendamentet kushtetuese për ndryshimin e Kushtetutës së vendit për t’i hapur rrugë transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës. Gjithashtu ka përgatitur Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me Forcat e Armatosura të Kosovës, që plotëson dhe ndryshon 39 ligje që ndërlidhen me rekomandimet e dala nga Analiza e Rishikimit Strategjik të FSK-së. “Çështjet që ndërlidhen me plotësimet dhe ndryshimet kanë të bëjnë kryesisht me emrin, misionin, detyrat dhe strukturën e Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës”, thuhet më tej në përgjigjen e kësaj Ministrie.

 Maloku: Pas 10-20 vjetëve, mund ta ruajmë vetë integritetin territorial

Eksperti i çështjeve ushtarake, Naim Maloku ka thënë për Zërin se partitë politike shqiptare janë fajtore që Kosova nuk e ka së paku bazën ligjore dhe kushtetuese të rregulluar për Forcat e Armatosura të Kosovës. Sipas tij, subjektet shqiptare do të duhej që në fund të mandatit të kaluar qeverisës të pranonin kërkesën e serbëve që në këmbim të formimit të ushtrisë, minoriteteve t’iu vazhdoheshin vendet e rezervuara në Kuvend edhe për një mandat. “Në mandatin e kaluar, kur serbët u ofruan që ta japin pëlqimin e tyre për ndryshimet kushtetuese, ishin partitë shqiptare ato që nuk e vendosën interesin e Kosovës para interesave të veta. Thaçi nuk e linte Atifete Jahjagën as që ta përmendte ushtrinë sepse dëshironte që ajo të ishte meritë e tij, opozita ishin kundër dhe shkuan në zgjedhje të parakohshme duke shpresuar që do të fitonin dhe do ta bënin vetë ushtrinë”, ka vlerësuar Maloku duke thënë se kjo çështje po keqpërdoret për marketing politik.

Maloku ka thënë se Kosovës do t’i duhen 10 deri në 20 vjet për ta përgatitur ushtrinë, në mënyrë që të marrë përgjegjësinë e ruajtjes së integritetit territorial nga misioni i KFOR-it. “Për sa kohë do të bëjmë ushtrinë prej momentit kur është baza ligjore dhe kushtetuese? Mendoj se Kosova nuk mundet për së paku 10 deri në 20 vjet ta ndërtojë një forcë të armatosur e cila mund ta marrë mbi vete përgjegjësinë e ruajtjes së integritetit territorial të vend, përgjegjësi kjo që tani e ka NATO-ja. Pra, Ushtria e Kosovës nuk mund ta zëvendësojë misionin e KFOR-it në Kosovë brenda 10 deri në 20 vjetëve”, është shprehur Maloku. Sipas tij, për të marrë këtë përgjegjësi duhet përgatitje e madhe në aspektin materialoteknik dhe human. Pra, duhet blerja e pajisjeve dhe përgatitja e njerëzve të aftë për ta përdorur atë teknikë.

“Ushtria bëhet për t’u mbrojtur nga rreziku kryesor i atij vendi. Për shembull, nuk ke nevojë ta bësh ushtrinë sa e ka Serbia, por e bën efikase për t’u mbrojtur nga ajo forcë. Një ushtar në mbrojtje është sa pesë ushtarë në sulm. Forca bëhet me numra. Fuqia ushtarake e një shteti mund të shprehet në numra, në kalibër të tytave, në mjete materiale dhe humane. Do të thotë duhet të bëhen analiza çfarë force i duhet Kosovës, kush e rrezikon, nga cilat drejtime vjen ai rrezik”, ka përfunduar Maloku. Përndryshe, për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës duhet të ndryshohet Kushtetuta e vendit, e ndryshimi i saj nuk mund të bëhet pa votat e Listës Serbe, pasi kërkohen votat e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit dhe dy të tretat e deputetëve nga komunitetet joshumicë.