Historia e Shtëpisë së Bardhë

Vendin ku do të ndërtohej shtëpia e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e zgjodhi vetë presidenti Xhorxh Uashington në vitin 1791. Ndërtimi i shtëpisë së presidentit filloi një vit më vonë, por vetëm në nëntor të vitit 1800 ajo priti banorët e parë të saj

Gjatë luftës të vitit 1812 me Anglinë, anglezët hynë deri në kryeqytetin e vendit, në Washington DC, i cili ishte i pambrojtur. Presidenti atë kohë nuk ndodhej aty. Para se të linte Shtëpinë e Presidentit, siç quhej në atë kohë, Dolli Medison, gruaja e presidentit Xhejms Medison, arriti të shpëtonte nga djegia një pikturë të madhe të Xhorxh Uashingtonit, vepër e piktorit të famshëm Gilbert Stuart dhe disa objekte të tjera të rëndësishme. Ushtarët anglezë i vunë zjarrin Shtëpisë së Presidentit.

Shtëpia e Presidentit u rindërtua më vonë duke ruajtur po atë pamje e arkitekturë. Sidoqoftë pas rindërtimit të saj të gjitha muret u lyen me ngjyrë të bardhë për t’i fshirë gjurmët e zjarrit. Që nga ajo kohë amerikanët u mësuan ta thërrisnin shtëpinë e presidentit “Shtëpia e Bardhë”. Në vitin 1902 Kongresi Amerikan e bëri këtë emër zyrtar. Pas 100 vjet jete e më shumë nga ndërtimi i saj, skeleti i Shtëpisë së Bardhë filloi të vjetrohej e të dobësohej. Në vitin 1948 lindi pyetja nëse Shtëpia e Bardhë duhej të riparohej duke ruajtur po atë projekt apo duhej shembur e në vend të saj të ndërtohej një rezidencë krejt e re. Populli amerikan e dha përgjigjen e vet nëpërmjet letrave të panumërta. “Shtëpia e Bardhë” ishte Shtëpia e Bardhë dhe kështu duhej të mbetej duke trashëguar paraqitjen e saj.

Si u ndërtua kryeqyteti i Amerikës?

Inaugurimi i presidentit Xhorxh Uashington, si presidenti i parë i SHBA-së, u bë në Nju Jork, (14 prill 1789), por ai qe kryeqytet i përkohshëm. Më pas, më 1790, kryeqytet u bë Filadelfia. Por as Filadelfia nuk u gjet e përshtatshme. Çdo shtet kishte kryeqytetin e tij, i cili s’mund të ishte njëkohësisht edhe kryeqytet i federatës. Duhej ngritur një kryeqytet i ri që të mos i takonte asnjë shteti, të ishte në një vend të veçantë që të kishte gjithashtu territorin e vet. Atëherë Merilendi dhe Virxhinia dhuruan tokë për këtë qëllim pranë lumit Potamik.

Ky territor që u quajt “Distrikti Kolumbia,” atë kohë dukej si zgjedhje e përshtatshme pasi binte në mes të Amerikës së atëhershme dhe me sa duket qe një zgjidhje e drejtë se prej asaj kohe kryeqyteti nuk ndërroi më vend. Para se të fillonte puna për ndërtimin e kryeqytetit, Tomas Xhefersoni që kishte parë shumë kryeqytete të Evropës me kopshte të mrekullueshme, dha idetë e tij mbi kryeqytetin. Por kjo punë u takonte në fund të fundit arkitektëve profesionistë ndaj edhe u ftuan arkitektë të ndryshëm për të konkurruar me projektet e tyre.

Arkitekti, të cilit i takon merita e planit të qytetit, ishte Charles L’Enfant që kishte studiuar inxhinierinë dhe artet në Paris dhe pati ardhur në Amerikë për të marrë pjesë në luftën revolucionare amerikane. Puna e tij e parë arkitekturale kishte qenë bashkia e qytetit të Nju Jorkut. Por famë të pavdekshme atij i dha projekti i kryeqytetit federal, Uashingtonit. Në qendër të kryeqytetit të ardhshëm ai dha vizionin e një lëndine bari të gjelbër. Godinën e Kongresit Amerikan (Capitol Hill) e vendosi mbi kodër prej nga mund të shihej qendra e qytetit dhe lumi Potomak. Në planin e tij ai parashikonte dymbëdhjetë rrugë kryesore të cilat hapeshin nga kapitoli në qytet.

Pastaj për arkitekturën e Shtëpisë së Bardhë u shpall një konkurs, të cilin e fitoi një arkitekt irlandez, Xhejms Hoban. Tomas Xhefersoni hyri në konkurs me pseudonim, por nuk fitoi. Konkursi u organizua edhe për ndërtesën e Kongresit Amerikan. Për këtë u pranua projekti i arkitektit Uilliam Thornton që kishte studiuar arkitekturë në Skotland. Xhorxh Uashingtoni për projektin e tij u shpreh që “ai përmban madhështi, thjeshtësi dhe konviniencë”. Godina e Kongresit mori vite të tëra për t’u ndërtuar, madje ishte ende në ndërtim e sipër kur Abraham Linkolni u zgjodh presidenti i 16-të i SHBA-së.

Pjesëmarrja e arkitektëve të ndryshëm nga bota për ndërtimin e kryeqytetit të vendit ishte shprehje e demokracisë së qeverisë amerikane. Për të kishin rëndësi idetë, mendimet që jepeshin për ta bërë kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës sa më të bukur, nuk kishte rëndësi kombësia e arkitektëve. Ky tipar i ra në sy edhe Alexis De Tocqueville kur erdhi për të studiuar demokracinë e re amerikane, në vitet ‘30-të të shekullit të 19-të. Kjo ishte veçoria e këtij vendi që e dalloi dhe e dallon atë nga të tjerët: u ndërtua e zhvillohet nga njerëz të kombësive nga e gjithë bota pa asnjë paragjykim. Për rreth 200 vjet, Shtëpia e Bardhë ka shërbyer si simbol i presidencës, qeverisë së SHBA-së dhe amerikanëve. Historia e saj dhe historia e kryeqytetit amerikan filloi kur presidenti George Washington nënshkroi Aktin e Kongresit, në dhjetor të vitit 1790, duke deklaruar se qeveria federale do të qëndronte në një zonë “që nuk i kalon 25 kilometra katrorë, mbi lumin Potomak”.

Presidenti Washington, bashkë me projektuesin e qytetit, Piere L’Enfant zgjodhën vendin për rezidencën e re, e cila tani është “1600 Pennsylvania Avenue”. Teksa kryheshin përgatitjet për qytetin e ri federal, u zhvillua një konkurs për gjetjen e një ndërtuesi të Shtëpisë së Presidentit. U pranuan nëntë propozime dhe u zgjodh arkitekti irlandez, James Hoban. Ndërtimi filloi kur u hodh guri i parë i themelit, në tetor të vitit 1792. Edhe pse presidenti Washington ndoqi ndërtimin e shtëpisë, ai nuk jetoi kurrë aty.