Kryeministrin e sfidon zëvendësi!
Vartësi i kryeministrit Isa Mustafa në Qeveri, Branimir Stojanoviq, thotë se do të vazhdojë lobimin kundër Ligjit për “Trepçën”, në kundërshtim me politikat e ekzekutivit të Kosovës. Nuk ka pasur raste të tilla në të kaluarën kur shefi i Qeverisë është sfiduar nga zëvendësi
Zëvendëskryemintri i Kosovës, Branimir Stojanovic, vazhdon ta sfidojë shefin e tij në Qeverinë e Kosovës, Isa Mustafën. Përfaqësuesi i Listës Serbe në Qeveri nuk po zmbrapset së lobuari kundër Ligjit për “Trepçën”, të cilin tashmë e ka firmosur edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi.
Për më tepër Stojanoviq nuk po pranon as të takohet me kryeministrin Isa Mustafa, ndonëse ky i fundit i ka ftuar për takim për të diskutuar pas vendimit për bojkotim të institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës, si kundërshtim për miratimin e Ligjit për “Trepçën”.
Bajram Gecaj, zëvendësministër i Pushtetit Lokal dhe njëherësh këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa, pranon për “Zërin” se bojkoti i Listës Serbe ndërlidhet me miratimin e Ligjit për “Trepçën”, por, sipas tij, për një aset të Kosovës nuk mund të vendosë Beogradi.
Madje, vartësi i Mustafës, ka deklaruar se do të vazhdojnë lobimin duke shfrytëzuar të gjitha mekanizmat juridik dhe politik për ta kundërshtuar Ligjin për Trepçën, të cilin e konsiderojnë të dëmshëm. “Ligji për Trepçën, sidomos është i dëmshëm për vetë “Trepçën”, sepse do ta bjerë në pikëpyetje punën e saj, sidomos të “Trepçës” në veri dhe në esencë do të shkatërrojë atë që ekziston dhe punon si ndërmarrje e shëndoshë”, ka deklaruar ai.
Ai ka shtuar se nuk do ta kontaktojë kryeministrin për ta diskutuar mundësinë e kthimit në institucione. Ai madje ka kërkuar që të fillohet me procesin e formimit të Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe. “Nëse nuk fillohet me procesin e formimit të Bashkësisë së Komunave Serbe, nëse nuk shkoqiten edhe proceset tjera të rëndësishme, nuk shoh ndonjë arsye që të kthehemi në institucionet kosovare”, ka thënë Stojanoviq.
Në anën tjetër, bashkëpunëtorët e kryeministrit Mustafa thonë se nuk e dinë arsyen zyrtare të bojkotimit të institucioneve nga ana e Listës Serbe, përpos asaj që kanë lexuar në medie.
“Ne ende nuk kemi asnjë shkresë zyrtare që ata i kanë lëshuar institucionet. Ata duhet të komunikojnë me ne, ose me gojë ose me shkresë, ata kanë komunikuar përmes medieve dhe ne nuk reagojmë për komunikimin e tyre në medie. Ne iu kemi kërkuar atyre që të vijnë të takohemi, por ata na kanë thënë se do të vijnë kur të jenë të gatshëm”, ka thënë Gecaj për “Zëri”, derisa, ia ka kujtuar Stojanoviqit se shef i tij është Isa Mustafa, kur është pyetur rreth deklaratave të tij se nuk kontakton me Mustafën për kthim në institucione. “Atë ne do ta diskutojmë kur të takohemi me të, sepse shefi i tyre është Isa Mustafa dhe me shefin e tyre nuk duhet të komunikojnë përmes medieve, ata duhet të bisedojnë në mënyrë të shkruar ose në formë verbale në takim. Pra, shefi i atyre ministrave në Qeverinë e Kosovës është Isa Mustafa dhe ne kur të takohemi do ta zgjidhim këtë çështje”, ka theksuar ai.
Gecaj me tutje është shprehur se nuk është në interesin e qytetarëve serbë në Kosovë, bojkotimi i institucioneve nga përfaqësuesit e tyre. “Unë besoj se është interesi i tyre dhe qytetarëve serb që ata të jenë pjesë të institucioneve, por nëse ata vendosin të dalin prej institucioneve mendoj se janë duke punuar kundër interesit të bashkëqytetarëve të tyre”, ka thënë Gecaj.