Zgjedhje për zgjidhje të ngërçit

Koalicioni qeverisës në Kosovë po akuzohet për krizë legjitimiteti dhe cenim të rendit kushtetues nga opozita kosovare. Ndërkohë, derisa analistët vlerësojnë se zgjedhjet kanë mbetur mekanizmi i vetëm demokratik, deputetët nga koalicioni qeverisës thonë se ky nuk është momenti i duhur për zgjedhje

Zgjedhjet e parakohshme po shihen si të domosdoshme në Kosovë. Humbja e legjitimitetit të Qeverisë e cila sipas opozitës gjatë tërë këtij mandati deri më tani i ka imponuar qytetarit projekte jashtëzakonisht të dëmshme nuk mund të tolerohet më.

Për zgjedhje të parakohshme janë edhe analistët politikë, sipas të cilëve, zgjedhjet kanë mbetur si i vetmi mjet demokratik për zgjidhjen e ngërçit politik që është krijuar në vend.

Madje sipas tyre, zgjedhjet mund të mbahen qysh në pjesën e parë të vitit 2017. Të të njëjtit mendim nuk janë deputetët nga koalicioni qeverisës.

Ata thonë se ky nuk është momenti më i duhur për zgjedhje pasi që vetëm do të shkaktohej më shumë konfuzion në mesin e qytetarëve.

Megjithëkëtë, derisa “lufta” pushtet-opozitë vazhdon, Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm i izoluar në Evropë pa demaskimin e kufijve dhe pa ushtri të sajën.

Krasniqi: Nga 25 gushti 2015 asnjë nga pushtetet nuk ka funksionuar

Jakup Krasniqi, kryetar i Këshillit Kombëtarë të NISMA-s, ka thënë se këtë legjislaturë që nga fillimi i saj e ka karakterizuar një krizë e përhershme politike dhe institucionale.

“Një krizë institucionale me tema të rëndësishme të brendshme e të jashtme, shikuar nga ky kënd, krerët e koalicionit është dashur te ofrojnë zgjidhje për të dalë nga kriza. Në fakt, ata jo vetëm që nuk kanë kërkuar zgjidhje apo edhe ofruar atë, ata kanë qenë thelluesit e krizës”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka shtuar se nga 25 gushti i vitit 2015 në vend nuk ka funksionuar asnjë nga pushtetet.

“Gjatë kësaj kohe e sidomos pas 25 gushtit 2015 mund të themi se nuk ka funksionuar asnjë nga pushtetet e shtetit, Kuvend – Qeveri –President e Sistem i Drejtësisë. Në një situatë të tillë, kur asnjë institucion i shtetit nuk e kryen funksionin e tij kushtetues, shkuarja në zgjedhje të parakohshme a të jashtëzakonshme është bërë më shumë se domosdoshmëri”, ka thënë ai.

Tutje ai ka përmendur disa arsye pse vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

“Duhet të shkohet në zgjidhje se, Kuvendi është goxha jofunksional, qeveria nuk ka ofruar asnjë plan zhvillimor a perspektivë për qytetarët, që një vit nuk mund të zgjidhë çështjen e Demarkacionit, të Asociacionit (Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe), çështjen e liberalizimit në zonën Shengen e ka gozhduar me mosveprim, për qytetarët nuk ka ofruar asnjë zgjidhje, pakënaqësia qytetare në institucione ka shkuar mbi 80%. Diku rreth 15% e qytetarëve e vlerësojnë punën e institucioneve. Asnjë vendim për interes kombëtar nuk mund ta marrin”, ka përfunduar ai.

Nuk është koha për zgjedhje

Zgjedhjet e parakohshme në këto momente vetëm sa do të shkaktojnë konfuzion më të madh tek qytetarët, prandaj edhe nuk është koha ideale për to.

Kështu ka vlerësuar në një prononcim për gazetën “Zëri” deputeti i LDK-së, Adem Salihaj.

“Nuk është koha e duhur që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Zgjedhjet e parakohshme,të cilat përherë i ka provokuar PDK-ja, asnjëherë nuk ia kanë sjellë asnjë të mirë Kosovës, përveç bllokadave dhe tensioneve”, ka thënë Salihaj.

Ai ka shtuar se qytetarët e Kosovës duhet të shfrytëzojnë mirë këtë kohë për të menduar se kë dëshirojnë të votojnë në zgjedhjet e reja.

“Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për kohë që të mendojnë mirë dhe të përcaktohen se a duan ta vazhdojnë një pushtet të kapur nga mafia,krimi,korrupsioni i pafund dhe hajnia apo duan një shtet të sundimit të ligjit, të zhvillimit ekonomik e të integrimit në Bashkimin Evropian. Deri më tash qytetarët e Kosovës nuk kanë ditur të vendosin drejt. Zgjedhjet e jashtëzakonshme vetëm sa do të shkaktojnë hutim edhe më të madh tek ata”, ka përfunduar Salihaj.

Opozita: Zgjedhjet janë të domosdoshme

Shkelja e Kushtetutës dhe nënshkrimi i marrëveshje të dëmshme për vendin sipas opozitës janë arsyet kryesore pse kjo Qeveri duhet të japë dorëheqje sa më parë dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Zgjedhjet janë domosdoshmëri, ngase Qeveria tashmë nuk ka asnjë fije legjitimitet”, ka thënë Teuta Rrusta, koordinatore për qendra në Lëvizjen Vetëvendosje. Ajo ka shtuar se kjo Qeveri ka cenuar rendin kushtetues andaj edhe nuk e meriton më tutje të qeverisë.

“Kjo qeveri që gjatë krejt mandatit të saj tentoi t'ia imponojë qytetarit vetëm dy projekte jashtëzakonisht të dëmshme për sovranitetin dhe integritetin e vendit - "Zajednicën" e Demarkacionin me Malin e Zi - ka shkelur 23 herë Kushtetutën. Ky cenim ndaj rendit kushtetues dhe mosrealizimi i asnjë premtimi të vetëm elektoral është arsye e mjaftueshme që kjo qeveri të mos vazhdojë më tutje”, ka thënë Rrusta.

Ajo ka thënë se “Kosovës nuk i duhet kjo qeveri që veç e cenon çdo ditë sovranitetin, sjellë varfëri e mjerim dhe kushtëzohet e bllokohet për çështjet jetike për Kosovën nga Lista “Srpska” e Beogradi”.

Ndërkohë, deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu ka thënë se koalicioni qeverisës ka krizë legjitimiteti dhe ajo po shihet çdo ditë në punët e saj.

“Ky koalicion ka krizë legjitimiteti dhe kjo vërehet edhe ditëve të fundit ku Qeveria po kontrollon edhe Kuvendin. Prandaj, zgjedhjet e parakohshme duhet të ndodhin menjëherë. Në këtë mënyrë do të lihej vendi për ardhjen e një Qeverie të përgjegjshme ku secili do të bënte punën e tij në mënyrë profesionale”, ka thënë Haxhiu.

Analistët: Zgjedhjet më 2017

Se koalicioni qeverisës ka krizë legjitimiteti kanë pohuar edhe analistët kosovarë.

“Po. Mendoj se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Megjithëse zgjedhjet nuk janë zgjidhje automatike e problemeve të shoqërisë, ato hapin rrugë për zgjidhjen e problemeve”, ka thënë Nexhmedin Spahiu, njohës i çështjeve politike në vend.

Sipas Spahiut, koalicioni nuk është i qëndrueshëm edhe atë për vetë fajin e liderit të LDK-së, respektivisht kryeministrit Mustafa.

“Po. Koalicioni ka krizë legjitimiteti, që nga fillimi. Kjo pasi ky koalicion është bërë në kundërshtim me zotime parazgjedhore të liderit të LDK-së”, ka thënë Spahiu.

I pyetur nëse pret që në vitin 2017 të ketë zgjedhje, Spahiu shkurt është përgjigjur. “Besoj se po”.

Në anën tjetër publicisti Halil Matoshi ka thënë se zgjedhjet kanë mbetur i vetmi mekanizëm demokratik për momentin.

“Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, si i vetmi mekanizëm demokratik mund t'u japin zgjidhje Çështjeve të interesit shtetëror dhe kombëtar, demarkimit të kufirit me Malin e Zi dhe bashkësisë së komunave me shumicë serbe, porse edhe mund të ndikojnë në nismën e procesit të bërjes së Kosovës me ushtrinë e saj kombëtare”, ka thënë Matoshi.

Ai ka shtuar se Kosova ka shumë punë përpara.

“Mendoj se zgjedhjet e reja kanë për ta ndërruar Kosovën në shumë aspekte, do ta ndërrojnë raportin me të kaluarën, përkatësisht kasta që me mburrje e ka monopolizuar pushtetin politik dhe e ka vendos në shërbim të pasurimit personal do të shkojë në histori... Në ndërrimin e kësaj mendësie të qeverisjes ekstraktive (përfituese) do të ndikojë edhe Gjykata Speciale...”, ka përfunduar Matoshi.