Sakatohet gjyqtari, Llapi dënohet veç me një ndeshje pa shikues

Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) e ka dënuar Llapin me një ndeshje pa shikues. Ky dënim për llapjanët vjen pas incidentit që ndodhi para disa ditësh në Merdarë në ndeshjen Llapi – Feronikeli, e cila ishte ndërprerë për shkak se dikush nga publiku e kishte sulmuar gjyqtarin, i cili edhe kishte pësuar lëndim serioz në këmbë, raporton "Zëri.info".

Ajo ndeshje ishte regjistruar me rezultat zyrtar 3:0, ndonëse me rezultat të njëjtë veç ishte duke avancuar Feronikeli në momentin e ndërprerjes së lojës. Andaj, dënimi vetëm me një ndeshje pa shikues, duke e pasur parasysh peshën e incidentit, konsiderohet minimal për Llapin.

Ndërkohë, FC Prishtina është dënuar me 800 euro për shkak se tifozët e saj, në ndeshjen kundër Trepçës ’89, e kishin fyer në kor gjyqtarin dhe kishin hedh flakadanë e gjësende tjera në fushë.

Me 800 euro është dënuar edhe Liria për shkak se tifozët e saj kishin hedh gjësende të forta në drejtim të bankinës së Gjilanit. Kurse, zyrtari i Lirisë, Mithat Mahmuti, është dënuar me 6 muaj moskryerje të funksionit.

Ndërsa futbollistët e Gjilanit, Egzon Shabani e Isa Eminhaziri janë dënuar me tri, përkatësisht katër lojë, shkaku i sjelljeve të pahijshme ndaj gjyqtarëve. /Zëri/