Rugova: LDK e gatshme për zgjedhje

Drejtuesit e Lidhjes Demokratike e Kosovës(LDK) shprehen të gatshëm për të shkuar në zgjedhje të parakohshme në vend, nëse partneri i madh i koalicionit (PDK) insiston për një gjë të tillë.

Ditë më parë kreu i PDK-së, Kadri Veseli, ka deklaruar se Kosova mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme, siç ka thënë ai, nëse partitë politike në pozitë dhe opozitë dakordohen.

“Organizimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme nuk është fundi i botës, në qoftë se vlerësohet që është në të mirë të vendit”, ka deklaruar Veseli.

Në anën tjetër, nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova, thotë për gazetën “Zëri” se koalicioni qeverisës mes këtyre dy partive është duke funksionuar mirë dhe pa probleme.

Porse, siç thotë ai, në qoftë se duhet të shkohet në zgjedhje edhe mund të shkojnë.

“Nëse duhet të shkojmë në zgjedhje, shkojmë, nuk është problem. Por, marrëveshjet nuk mund të prishen ashtu. Ato mund të diskutohen, por nuk besoj që koalicioni ka problem. Janë deklarata që kohë pas kohe jepen, edhe Kadri Veseli apo cilido prej nesh lëshon deklarata të tilla”, ka thënë Rugova, i cili thotë se nuk është tradhti nga partneri i koalicionit edhe nëse e prishin marrëveshjen për bashkëqeverisje me PDK-në.

“Kur bëhet marrëveshja, njëherë ulen dhe bëjnë marrëveshje, edhe për t’u prishur prapë ulen dhe diskutojnë për t’u prishur. E kemi bërë, e prishim, ulemi e prishim, nuk ka problem. Por, nuk ka as tradhti këtu, as pabesi, ka interesa të caktuara. Por koalicioni po funksionon, qeveria funksionon, çdo gjë është duke funksionuar”, ka theksuar ai.

Deklaratat e Veselit për zgjedhje po u pëlqejnë partive opozitare, të cilat po presin me padurim drejtimin drejt kutive të votimit, pasi janë të bindura se do të dalin fituese.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi thotë për gazetën “Zëri” se ata janë të gatshëm për zgjedhje parlamentare në çdo moment.

“Por, jo vetëm për këtë por edhe për faktin se kemi një Qeveri jolegale që e ka shkelur Kushtetutën me rastin e marrëveshjeve që ka nënshkruar. Për 100 arsye Kosova do të duhej të shkonte në zgjedhje qysh moti”, është shprehur Selimi, ndonëse, deklaratat e Veselit i quan lojë për të frikësuar partnerët në koalicion.

“Por tani, partneret e Koalicionit PDK-LDK-Lista Serbe po përmendin zgjedhjet më shumë për ta frikësuar njëri-tjetrin sesa që janë të gatshme për diçka të tillë”, shtoi ai.

Sipas deputetit të VV-së, tre partnerët e koalicionit e dinë se zgjedhjet e ardhshme janë ankth për ta, prandaj deklaratat e tyre janë më shumë manovrime taktike sesa qëndrime politike.

Edhe analistët politikë e shohin të nevojshme shkuarjen në zgjedhje, duke qenë se sipas tyre vendi është në një krizë institucionale.

Por, për analistin politik Halil Matoshi deklarata e kreut të PDK-së Kadri Veseli për zgjedhje vjen në momentin kur mendon se ka mundësi për të ardhur në postin e kryeministrit, të cilit ia ka mësyrë.

“Është e vërtetë se në Kosovë ka krizë institucionale dhe të legjitimitetit demokratik. Kërkesa për zgjedhje të jashtëzakonshme është kërkesë e kalkuluar politikisht, por zgjedhjet janë i vetmi mekanizëm demokratik që mund t'i japë vendit paqe. Fundja, kërkesa e Kadri Veselit vjen në momentin kur ai mendon se PDK-ja ka ende mundësi. Sepse mësymja e tij është posti i kryeministrit, të cilin, mediatikisht edhe është duke e "Luajtur"”, ka theksuar Matoshi.