Vendi ku arsyetohet dhuna

Dhuna në familjet kosovare vazhdon të konsiderohet si “fryt i demokracisë”. Sipas Policisë së Kosovës dhe organizatave që mbrojnë gratë, 385 gra kanë qenë viktima të dhunës në familje brenda këtij viti, ndërsa dy raste kanë përfunduar me fatalitet: burrat i kanë vrarë gratë. Femrat kosovare vazhdojnë të mbesin pa mbështetje institucionale, ndërsa për gjithë këto viktima brenda 9 muajve të këtij viti nuk është dënuar asnjë dhunues. Ka shumë gra që e durojnë “dajakun’” dhe nuk e raportojnë  

Dhuna në familjet kosovare vazhdon të mbetet e pranishme në të gjitha klasat e shoqërisë, madje në shumë raste edhe të arsyetohet nga rrethi. Dhuna brenda familjes ka shkuar deri në fatalitet sa që dy burra kanë vrarë gratë për shkak të xhelozisë apo problemeve të tjera sociale. E në anën tjetër, sistemi i drejtësisë tregohet shumë i brishtë për t’u marrë me këtë çështje e cila ka shqetësuar jo vetëm shoqatat që merren me mbrojtjen e grave, por edhe qytetarët dhe bashkësinë ndërkombëtare e cila është e pranishme në Kosovë. Madje brenda nëntë muajve të këtij viti asnjë qytetar nuk është dënuar për dhunë në familje. 

Sipas statistikave që ka siguruar “Zëri”, në të dyja rastet e vrasjes së rëndë në këtë vit, viktima janë femrat. Po ashtu janë 385 gra që kanë qenë viktima të dhunës në familje prej 510 rasteve të paraqitura në gjashtëmujorin e vitit 2016. Ndërsa, në vitin 2015 kanë qenë të raportuara 1179 raste të dhunës në familje, prej tyre në 930 raste kanë qenë viktima gratë.

Këto statistika flasin vetëm për rastet që janë raportuar në Polici, ndërsa shoqatat e grave thonë se ka shumë gra që e “durojnë dajakun” dhe nuk e raportojnë, për arsye që ta mbrojnë familjen. 

Tahire Haxholli, kapitene në Policinë e Kosovës thotë se nga dhuna në familje më shumë preket gruaja. Rastet më të shpeshta të dhunës në familje, sipas saj, paraqiten në lidhjet familjare që janë të martuar, apo bashkëjetojnë...

“Edhe nëse janë motër dhe vëlla ose babë e vajzë femra është viktimë. Edhe kur bëhet grua me burrin, gruaja është viktimë. Kemi raste simbolike, ndoshta dy-tri raste jo më shumë që burrat janë viktima prej grave”, thotë Haxholli për “Zërin”. Kurse, si shkaktarë të dhunës në familje, ajo thotë se dominon gjendja ekonomike, sociale, niveli i arsimimit, niveli social, xhelozia, alkooli, pasojat e luftës...,etj.

Madje, ajo përmend edhe lëvizjen fshat-qytet. “Tjetër normë ka pasur në fshat, tjera norma ka tash në qytet,  dallimi ju pengon”, thotë Haxholli.

 E durojnë dhunën, që të mos përfliten në opinion

Në bazë të statistikave që raportohen kur nxirren rastet e dhunës në familje dhe shqyrtohet ana e dyshimit kush ka kryer dhunë dhe kush është viktima, rezulton një nivel i ulët i arsimimit, tek të dy personat. “Të dy personat bëjnë punë të rëndomta dhe nuk kanë ndonjë profesion me bazë arsimimin e lartë. Shumë pak raste kemi me gjendje ekonomike të mesme ose të lartë”, tha ajo. Haxholli thotë se dhuna në familje nuk përjashtohet as tek familjet që llogariten si intelektuale apo ato që i takojnë fushës së biznesit.
“Por, këto raste nuk raportohen ose zgjidhja e problemit bëhet më e lehtë me anë të komunikimit, kur dy njerëz janë intelektual e zgjidhin problemin, bëjnë divorce, nuk i raportojnë rastet ose shumica prej tyre e mbajnë maskën e një familjeje që kalojnë mirë për shkak të opinionit, stigmatizimit... thonë kemi familje dhe secili shikon anën e vet”, tha ajo.

Sipas Haxhollit, nga intervistat me gratë thuhet se ato se e durojnë dhunën dhe nuk e raportojnë për shkak të turpit që të mos ndahen me burrin, të mos përfliten. Gratë deklarohen se po të ndahen, faji gjithmonë u hidhet atyre nga familja dhe rrethi. “Pastaj një pjesë mendojnë se po përmirësohet situata dhe po ashtu kanë parasysh fëmijët sesi t’i ndajnë nga babai apo nëna”. Ndonëse, ato mendojnë se në këtë formë po iu bëjnë mirë fëmijëve duke duruar dhunën, në anën tjetër Haxholli thotë se në këto familje po prodhohet gjeneratë e re e dhunës.
“Këta fëmijë janë model i babait dhe janë rritur në atë dhunë, kështu që nesër apo pasnesër edhe ata do të mendojnë se duhet të sillen ashtu. Kështu që kemi modele të reja të dhunës aty ku fëmija rriten në atë ambient”, deklaroi ajo.

 Papunësia i detyron gratë t’i nënshtrohen dhunës

Gratë që përjetojnë dhunë në familje nuk kanë as mbështetje institucionale dhe as nga familja që të ndahen nga bashkëshortët dhunues. “Vëllai më ka thënë se ty të pranoj, por fëmijët e tij (dhëndrit) jo”, është deklarata e njërës prej grave të paraqitura në Polici.  

Mungesa e pavarësisë ekonomike dhe varësia nga burri ose anëtarët tjerë të familjes si vjehrri ose kunati, Haxholli thotë se nga gratë theksohet si problem që të mos ndahen nga bashkëshortët.

Në Kosovë janë gjithsej shtatë qendra strehimore për gratë. Por, Haxholli thotë se ka nevojë edhe për të tjera. “Këto gra nuk kanë përkrahje materiale, as asistencë sociale dhe qëndrimi në qendrat strehimore nuk është afatgjatë”.
Nëpër qendrat strehimore gratë mund të rrinë gjashtë muaj, me mundësi vazhdimi dhe gjashtë të tjerë.
Drejtoresha e “Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave”, në Drenas, Kadire Tahiraj thotë për gazetën se dhuna në familje është në përmasa shqetësuese dhe se duhet ndërmarrë veprime. Ajo thotë se viktimat e dhunës pas raportimit të rastit po mbesin në rrugë. “Nuk po iu bëhet zgjidhja e qëndrimit. Kur nuk kanë mbështetje institucionale, viktimat po përfundojnë në rrugë. Pastaj, në një farë mënyre shumica e grave po e pranojnë dhunën në familje që të mos dëbohen nga familja e burrit. Nëse grave -viktima të dhunës do t’iu sigurohej strehimi dhe punësimi, do të denonconin rastet e dhunës më shumë dhe do të kujdeseshin më shumë për fëmijët e tyre”.

Gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti ajo thotë se në komunën e Drenasit janë paraqitur katër raste të dhunës në familje. “Ka më shumë femra te të cilat ushtrohet dhunë nga bashkëshortët , ato rrëfehen që përjetojnë dhunë, por nuk paraqiten në polici dhe as në Qendrën për Punë Sociale, sepse nuk janë të sigurta që do të bëhet zgjidhja e tyre institucionale”, thotë Tahiraj për gazetën.

 Grave u është thyer kurrizi nga rrahja e burrave

Miradije Gashi, drejtoreshë ekzekutive e OJQ-së “Venera” në Pejë  ka thënë se dhuna në familje është prezent më shumë sesa mendon opinioni. “Shumica e grave nuk po raportojnë dhunën nga frika se pas kthimit në familje mund t’i nënshtrohen prapë dhunës nga bashkëshorti”, deklaroi Gashi, sipas të cilës, grave iu mungon edhe përkrahja institucionale.
“Tani na është paraqitur një rast që e duron dhunën në familje në pamundësi që gruaja të mbahet ekonomikisht”. Gashi thotë se gruaja është ndërmjet dhunës së bashkëshortit dhe mospërkrahjes institucionale.
“Gratë nuk kanë punë, familja e tyre-vëllezërit nuk i mbajnë ose i mbajnë vetëm ato dhe jo edhe fëmijët që kanë me bashkëshortin, nuk ia duan ose nuk kanë mundësi financiare t’iu mbajnë edhe fëmijët”, shprehet ajo.

Gashi thotë se nga shteti nuk po ofrohet mundësia që të ndahen këto çifte, të sigurohet prona për gruan që të ketë një vend, një shtëpi të veten ku do të jetonte më fëmijët dhe të mos kthehej te dhunuesi. “Ato nuk kanë si të kthehen te prindërit se nuk është e zgjidhur çështja trashëgimore, as bashkëpronësia tek burri nuk është zgjidhur, si dhe nuk janë të punësuara. Femrat janë në gjendje shumë të keqe, është urgjente të ndihmohen”, thotë Gashi.

Ajo kërkon që shteti t’iu sigurojë punë këtyre grave, derisa të zgjidhet çështja e pronës e të mos jetojnë në një shtëpi me dhunuesin.
Sipas rasteve që janë trajtuar dhe po trajtohen nga kjo Shoqatë, grave nga rrahja e burrave u është thyer kurrizi, brinjët... Sipas saj, këto raste nuk janë marrë seriozisht, ndërsa është tentuar që e njëjta grua të nxirret si e çmendur që të mos i takojë në gjyq bashkëpronësia.
“Në një raport gruaja del se ka kurrizin dhe hundën e thyer dhe kemi fotografinë që dëshmon eshtrat e thyera nga burri. Dhunë ndaj grave nuk po ushtrojnë vetëm meshkujt e papunë apo me të ardhura të ulëta ekonomike, por ka dhe të shtresës intelektuale që ushtrojnë dhunë. Një mjek ka shtrirë gruan në spital pas rrahjes dhe në vend që spitali ta ngrejë në Prokurori rastin, ka fshehur shënimet dhe s’kemi mundur të vijmë te dokumentimi i rastit. Kurse me gruan nuk kemi kontaktuar, ajo është detyruar të kthehet në familje dhe të heshtë që të mos përsëritet dhuna”, thotë Gashi për “Zërin”.

Ajo thotë se  kur është femra në pyetje ligji nuk zbatohet fare. “Ligjet kanë mbetur pa aktivitet në favor të femrës”, thotë Gashi për “Zërin”.

 Për nëntë muaj, asnjë i dënuar për dhunë në familje

Derisa dhuna në familje është një fenomen në rritje e sipër, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, bën të ditur se gjatë këtyre muajve nuk ka pasur asnjë aktgjykim për dënim me burg, ndërsa për dënim me gjobë ka pasur dy aktgjykime, për dënim me kusht 17 aktgjykime, ndërsa aktgjykim lirues ka pasur vetëm për një person.

Ndonëse jo të gjitha rastet e dhunës në familje raportohen ose kërkojnë ndihmë nga organet gjegjëse, gjatë nëntë muajve të këtij viti, në Gjykatat e Kosovës kanë shkuar më shumë se 32 lëndë të cilat kanë kërkuar zgjidhje.

Sipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës, përveç këtyre 32 lëndëve të cilat i kanë pranuar gjykatat e vendit, ato vazhdojnë të kenë numër të madh të lëndëve të cilat i kanë në punë. Në bazë të dhënave të KGJK-së, lëndët e kësaj natyre të cilat gjykatat i kanë në punë janë 165 , ndërsa, janë plot 134 lëndë të pazgjidhura.

Ndërkaq, gjykatat e vendit gjatë nëntë muajve të këtij viti, nga lëndët që kanë të bëjnë me dhunë në familje kanë arritur t’i zgjidhin vetëm 32 duke bërë kështu që numri i lëndëve të zgjidhura me ato të cilat janë të pazgjidhura si dhe ato të cilat kanë ardhur, të jetë në mospërputhje të lartë.

Përveç mungesës së efikasitetit të zgjidhjes së këtyre lëndëve dhe politikës së ulët ndëshkuese nga ana e gjykatave për autorët e veprave të dhunës në familje, shqetësueses mbetet fakti edhe parashkrimi i lëndëve të kësaj natyre.

Në bazë të të dhënave të Këshillit Gjyqësor, gjatë kësaj periudhe në mënyrë relative janë parashkruar tri lëndë, ndërsa në mënyrë absolute shtatë të tjera duke e çuar kështu në dhjetë numrin e lëndëve të cilat janë vjetërsuar. 

Veprat të cilat kanë të bëjnë me dhunën në familje janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga mundësimi i lidhjes së martesës së kundërligjshme, martesa e detyruar, ndryshimi i statusit familjar të fëmijës, marrje apo mbajtje e kundërligjshme e fëmijës, keqtrajtim apo braktisje e fëmijës, shkelje e detyrimeve familjare, mosraportim i abuzimeve më fëmijë e tjerë.