Dështimi i shqiptarëve në Mal të Zi, fajësohet Kosova
Shqiptarët në Mal të Zi kanë arritur ta sigurojnë vetëm një vend në parlament pas zgjedhjeve të fundit, të mbajtura para pak ditësh. Përfaqësues të subjekteve shqiptare atje kanë thënë se arsyeja kryesore, sa i takon këtij dështimi, ka qenë shpërndarja e listave të subjekteve politike. Mirëpo një pjesë të fajit lidhur me këtë çështje, sipas tyre, e bart edhe Kosova pasi që, ashtu si ata janë shprehur, ajo nuk ka kontribuuar asnjëherë në përafrimin e pakicës shqiptare në këtë shtet.
Pavarësisht kësaj, njohësit e rrethanave politike në Kosovë e Shqipëri vlerësojnë se rezultati jo i mirë ka ardhur si pasojë e mosunitetit të palës shqiptare. Andaj, një gjë e tillë, siç pretendojnë ata, do t’u kushtojë mjaft shumë shqiptarëve. Më tutje, analistët politikë e kanë cilësuar si katastrofal rezultatin e zgjedhjeve të fundit, të mbajtura në Mal të Zi.
Rezultati, humbje për të gjithë shqiptarët e Malit të Zi
Kryetari i Komunës së Ulqinit, njëherësh kryetar i Forcës së Re Demokratike, Nazif Cungu, ka vlerësuar për “Zërin” se shpërndarja e shqiptarëve nuk ka qenë aspak veprim i duhur.
“Shpërndarja në tri lista ka qenë gabim. Ka qenë e mjaftueshme të shkojmë me dy lista sidomos sikur të kishim shkuar me një listë, e kemi pasur mundësinë ta marrim mandatin ose tre mandate”, ka deklaruar ai për “Zërin”.
Sipas Cungut, subjektet e tjera nuk kanë dëgjuar dhe nuk kanë dashur të shkojnë me një listë. Andaj, siç thotë ai, ka ardhur deri te një përçarje e cila ka kushtuar.
I pari i Ulqinit në vazhdim ka fajësuar institucionet e Kosovës për një gjë të tillë.
“Institucionet e Kosovës nuk kanë reaguar ndoshta me kohë për të na ndihmuar në përafrimin e liderëve tanë shqiptarë në Mal të Zi”, ka shtuar ai.
Cungu gjatë bisedës e ka cilësuar si një humbje tejet të madhe rezultatin e zgjedhjeve për shqiptarët.
“Kjo është humbje në nivel të parlamentit të Malit të Zi. Të kishim qenë të faktorizuar me dy lista do ta ishim më mirë, edhe për qeveri. Kjo është humbje e madhe për të gjithë shqiptarët e Malit të Zi”, është shprehur ai.
Sipas liderit të Forcës së Re Demokratike, serbët në Kosovë kanë më shumë të drejta sesa shqiptarët në Mal të Zi.
“Kemi tentuar që të marrim përkrahjen politike, për shembull, në Kosovë pakicat serbe kanë vende të lira në Parlament, ndërsa në Mal të Zi nuk është e njëjta”, ka theksuar ai.
Cungu më tutje ka thënë se sikur të vinte deri te fitorja e partive pro-serbe do të ishte edhe më keq për shqiptarët.
“Më mirë e Gjukanoviqit se e partive që i përkrahin serbët”, ka thënë ai për “Zërin”.
Rezultati, më i keqi brenda 27 vjetëve
Nga ana tjetër Nikë Gjeloshaj, ish-deputet i Alternativës Shqiptare, ka vlerësuar se rezultati i tanishëm është më i ulëti përgjatë 27 vjetëve.
“Ka ardhur në pikën më të ulët në 27 vjetët e fundit të prezantimit politik. Situatë që do të duhet kohë që të rimëkëmbet”, ka thënë ai.
Sipas tij, ekzistojnë disa arsye se pse ka ardhur deri te ky rezultat.
“Ligji Zgjedhor, i aprovuar para disa viteve, kundër vullnetit të shqiptarëve na ka sjellë në këtë situatë. Po ashtu, paraqitja e disa listave që kanë hyrë vetëm për të djegur vota shqiptare na ka sjellë në situatë që 5000 vota shqiptare të digjen”, ka shtuar ai.
Sipas Gjeloshajt, këto lista gojarisht janë kombëtare, por në esencë antikombëtare dhe për shkatërrimin e prezantimit politik shqiptar.
Megjithëkëtë, ai ka thënë se do të vazhdojnë të punojnë që të ringrihen sërish.
“Përgjegjësia më e madhe është sot tek ne si përfaqësues të vetëm. Edhe më të vendosur do të punojmë që ta rikthejmë prezantimin politik të shqiptarëve”, ka shtuar ish-deputeti.
Rugova: Fajtorë, liderët shqiptarë
Pavarësisht këtyre Arben Rugova, gazetar dhe njohës i rrethanave politike në Mal të Zi, ka thënë për “Zërin” se shkaktarë për dështimin e palës shqiptare në zgjedhjet e Malit të Zi janë kryekëput liderët shqiptarë, pasi që, sipas tij, ata nuk pranuan të bashkoheshin si një fuqi e vetme.
“Përgjegjës për dështimin që pësuan në zgjedhjet parlamentare janë liderët e partive politike që refuzuan koalicionin parazgjedhor, daljen në zgjedhjet nacionale me një listë të përbashkët”, ka deklaruar Rugova.
Andaj, sipas tij, shqiptarët në Mal të Zi kanë humbur rastin të bëhen faktorë të rëndësishëm në formimin e koalicionit qeverisës.
Rugova më tutje ka thënë se klasa politike shqiptare në këtë shtet para së gjithash vendos interesin e saj personal.
“Shqiptarët në Mal të Zi, ashtu si kudo ku jetojnë shqiptarët autoktonë, vuajnë nga një klasë politike e papërgjegjshme, që përpara interesit nacional vënë interesat e tyre të ngushta. Dy degë të rebeluara të Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, Dega e Malësisë dhe ajo e Plavës dhe Gucisë e disa iniciativa të tjera qytetare, refuzuan koalicionin parazgjedhor”, është shprehur ai.
Sipas tij, në vend se këto parti të hynin në zgjedhje me një listë të përbashkët, ato u futën të ndara në zgjedhje dhe fituan vetëm një vend.
Sipas Rugovës, subjektet shqiptare në Mal të Zi duhet të funksionojnë të bashkuara, në mënyrë që ta përmirësojnë këtë rezultat herëve të tjera.
“Partitë shqiptare në Mal të Zi duhet t’i largojnë liderët që vuajnë për bajraktarizëm dhe të garojnë me një listë të vetme në zgjedhjet parlamentare, jo vetëm në zgjedhjet e ardhshme, por edhe për disa dekada të tjera”, ka potencuar ai.
Rugova më tutje për një gjë të tillë ka kritikuar edhe kryeqytetin e Kosovës dhe atë të Shqipërisë. Kjo, pasi ashtu si ai ka thënë, ato nuk kanë bërë përpjekje sa duhet në këtë aspekt.
“Një faktor tjetër shumë i rëndësishëm që do të ndikonte në unifikimin e faktorit politik shqiptar dhe përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në Mal të Zi është edhe qëndrimi i Tiranës dhe i Prishtinës zyrtare, të cilat nuk kanë bërë përpjekje sa duhet as në raport me partitë shqiptare atje dhe as në raport me Podgoricën zyrtare”, ka theksuar ai.
Pata: Rezultati, katastrofal
Ndërkaq Ylli Pata, gazetar dhe publicist nga Shqipëria, e ka cilësuar si katastrofal rezultatin e shqiptarëve në Mal të Zi.
“Rrudhja e deputetëve shqiptarë nga 4 në 1 është realisht një rezultat katastrofal, pasi nuk mundet që shqiptarët të prodhojnë politikë në institucione dhe kanë humbur rrugës të drejtën elementare, atë të përfaqësimit”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, e tërë kjo ka ndodhur pasi shqiptarët nuk kanë vepruar njëjtë sikurse pakicat e tjera, ani pse kanë mbledhur vota më shumë.
“Nuk ka pasur një ofertë politike shqiptare unike siç ka ndodhur me boshnjakët dhe kroatët, të cilët kanë maksimalizuar votat. Nuk është normale që shqiptarët të marrin më pak deputetë sesa pakicat e tjera, ndërkohë që kanë marrë më shumë vota gjithsej”, ka shtuar ai.
Mandati i “artë” i Nimanbegut
Pavarësisht kësaj, Pata ka thënë se shqiptarët tanimë kanë edhe një mundësi, të cilën, sipas tij, mund ta shfrytëzojnë nëpërmjet deputetit të vetëm shqiptar.
“Edhe pse dramë, gjithsesi shqiptarët këtë herë kanë një shans që ndodhet realisht në duart e deputetit Genc Nimanbegut. Pa mbështetjen e Nimanbegut, qeveria e re nuk formohet madje nuk mund të miratojë asnjë ligj bazik apo të funksionojë”, ka vlerësuar ai.
Kurse mandatin në fjalë e ka cilësuar si të artë, me ç’rast ka thënë se përmes tij mund të ndërtohet e ardhmja.
“Është një mandat ‘i artë’ që duhet të ndërtohet e ardhmja, ku në radhë të parë duhet të ribëhet nga e para klasa politike shqiptare, natyrisht duke votuar. Nga parimi i zgjedhjeve direkte preliminare të dalin njerëzit që do të kandidojnë për kryetarë komune apo deputetë”, ka përfunduar Pata.
Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve politike në Kosovë, Haki Abazi, ka vlerësuar se njëra prej arsyeve kryesore që ka vetëm një deputet shqiptar në Mal të Zi është se shqiptarët e kanë humbur besimin te përfaqësuesit e tyre.
“Janë disa arsye që ka vetëm një deputet: humbja e besimit nga qytetarët shqiptarë në përfaqësimin e denjë të tyre; shpërndarja e votës në parti politike dhe mosuniteti i partive politike shqiptare”, ka thënë ai.
Sipas Abazit, me daljen e madhe të qytetarëve tjerë të përkatësive etnike ka rënë përqindja e votuesve shqiptarë dhe rrjedhimisht edhe numri i përfaqësuesve shqiptarë.