Lista Serbe shtyn Demarkacionin

Bojkoti, që Lista Serbe po ua bënë institucioneve, po ia pamundëson Qeverisë riprocedimin e Marrëveshjes për Demarkacionin mes Kosovës e Malit të Zi në Kuvendin e Kosovës. Burime brenda Qeverisë kanë thënë për “Zërin” se u nevojiten votat e deputetëve serbë dhe pa u kthyer ata nuk do të ketë riprocedim të marrëveshjes në Kuvend

Qeveria e Kosovës nuk e ka ndërmend ta riprocedojë Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës. Kjo për faktin se një gjë të tillë nuk po mund ta bëjë si pasojë e mungesës së Listës Serbe në Kuvend e Qeveri dhe kundërshtimit të opozitës për versionin aktual. Burime brenda kabinetit qeveritar kanë thënë për gazetën “Zëri” se procesi i përmbylljes së demarkimit të vijës kufitare mes Kosovës e Malit të Zi nuk mund të bëhet pa u kthyer Lista Serbe në Kuvend.

“Nuk ka asgjë në këtë proces pa u kthyer Lista Serbe. Na nevojiten votat e tyre”, ka thënë ky burim brenda Qeverisë. Votat e deputetëve serbë i duhen koalicionit qeverisës, meqë Marrëveshjen për Demarkacionin po e kundërshton tash e një vit edhe opozita, e cila po kërkon kthimin në pikën zero të këtij procesi që, sipas tyre, është bërë keq dhe ia humb Kosovës mbi tetë mijë hektarë tokë.

 Gecaj: Demarkacionin e ridërgojmë kur ka vullnet për ratifikim

Në anën tjetër, zyrtarët qeveritarë theksojnë se riprocedimi për në Kuvend i Marrëveshjes për Demarkacion do të ndodhë kur të jenë plotësuar kushtet. Zëvendësministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, njëherësh këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa, Bajram Gecaj, thotë për “Zërin” se dërgimi i Demarkacionit në Kuvend do të ndodhë kur ta kenë vullnetin deputetët për ta ratifikuar.
“Demarkacionin do ta dërgojmë në Kuvend kur të jenë plotësuar kushtet, Pra, kur besojmë se kemi vullnetin e mjaftueshëm të deputetëve që ta ratifikojnë marrëveshjen, marrëveshje kjo e rëndësishme për shumë procese të rëndësisë madhore për qytetarët e Kosovës”, është shprehur Gecaj.

Pavarësisht se opozita është e vendosur në kundërshtimin e këtij versioni të Demarkacionit, kryeministri Isa Mustafa ende nuk u ka dërguar ftesë liderëve opozitarë për një takim, në të cilin do ta diskutonin mundësinë e gjetjes së një zgjidhjeje.
Por Gecaj thekson se kreu i ekzekutivit një ftesë të tillë e ka bërë në mënyrë publike, derisa zyrtarisht do ta bëjë në momentin që shohin indikacione nga opozita se dëshiron të bisedojë pa kushte.
“Kryeministri ka bërë ftesë publike, tani presim ndonjë indikacion substancial nga opozita se pranojnë të diskutojnë pa kushte. Nëse ata e bëjnë këtë, ne do ta caktonim takimin në një afat të shkurtër kohor”, ka theksuar ai.  

 Opozita s’merr pjesë në takim me këtë version

Partitë opozitare thonë se ende nuk kanë ftesë për takim nga kryeministri Isa Mustafa, porse edhe po të kenë ata nuk do të jenë pjesë e asnjë takimi që për bazë ka versionin aktual të Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, thotë për “Zërin” se çfarëdo ndryshimi tjetër në Marrëveshjen për Demarkacionin ata do të jemi pjesë e takimit, por me këtë version në asnjë mënyrë.

“Nuk kemi ftesë zyrtare. Ne e kemi bërë të qartë si AAK se ne nuk marrim pjesë në asnjë tryezë, ku për bazë kanë këtë version sepse është e kotë nëse takohemi me këdo, duke pasur një version tjetër apo hedhja poshtë e këtij versioni në Kuvend”, ka thënë Lekaj, duke e quajtur lojë të kryeministrit ftesën verbale për takim, por jo edhe ftesë zyrtare.

“Ne deri më tani nuk kemi ftesë, më tepër është lojë e kryeministrit edhe me qytetarët, edhe me mekanizmat tjetër që ne po i ftojmë verbalisht e është për t’u habitur që është një lojë e ndytë e kryeministrit”, është shprehur ai.

Edhe deputeti i “Nismës për Kosovën”, Haxhi Shala, e quan joserioze ftesën verbale të kryeministrit për opozitën, duke mos bërë ftesë zyrtare.
“Ne nuk kemi ftesë zyrtare nga kryeministri për asgjë, vetëm ka qenë ftesë publike që për ne është joserioze, pasi nuk e dimë ku të shkojmë, për çka do të diskutojmë”, ka thënë Shala për “Zërin”.
Ai thekson se nëse kreu i Qeverisë mendon se me këtë version aktual do të dalë në takim, atëherë të mos u bëjë ftesë fare, meqë nuk e pranojnë të njëjtin. “Nëse dëshiron të bisedojë për dalje nga kriza, atëherë kryeministri nuk duhet ta qesë këtë version në tavolinë. Por, nëse vjen me mendimin se ky është versioni, atëherë më mirë të mos i ftojë fare liderët, por ta ridërgojë Marrëveshjen në Kuvend dhe atëherë deputetët vendosin”, ka shtuar ai.

Koordinatorja e Qendrave të “Vetëvendosjes”, Teutë Rrusta, thotë se një takim i tillë mes koalicionit qeverisës dhe opozitës ka kuptim kur synon zgjidhje, e cila është kthimi në pikën zero.

“Zgjidhja nënkupton kthim të Demarkacionit në pikën zero dhe rishqyrtim i tërësishëm i tij. Ndryshe këto takime nuk kanë kuptim. Aq më pak kur çdo ditë zyrtarë nga koalicioni qeverisës thonë se do ta rikthejnë Demarkacionin në versionin aktual”, ka theksuar ajo, duke thënë se nuk marrin pjesë në asnjë takim nëse Qeveria ka këtë qasje.