Migjeni, shkrimtar i papërsëritshëm

Në javën e dytë të tetorit, kur shënohet lindja e shkrimtarit shqiptar, Millosh Gjergj Nikolla – Migjenit, dashamirë të veprës së tij e zyrtarë të shtetit shqiptar u mblodhën në Pukë për të nderuar shkrimtarin. Tani po mbushen 105 vjet nga dita e lindjes së tij.

Me këtë rast, artistja Tinka Kurti, tha se Migjeni është shkrimtar i papërsëritshëm.

“Ai është i papërsëritshëm, unë jetoi me të kudo ku jam dhe nëse jam kjo që jam, jam pikërisht fal inspirimit nga Migjeni”, tha ndër të tjera aktorja e madhe shqiptare, Tinka Kurti.

Tash e sa muaj Migjeni është kthyer në qytetin e Pukës, nga ku thuhet të jetë inspiruar për shumë shkrime të tij letrare. Atje në prill të këtij viti u përurua dhe u vendos në qendër të qytetit busti i tij, i realizuar nga skulptori pukjan Ardian Pepa. Pranë Migjenit është punuar edhe personazhi i tij më i famshëm, Luli i Vocërr. Ky punim u financua nga Fran Gjoka, artisti pukjan që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Me rastin e vizitës për ditëlindjen e shkrimtarit, kryetari i Bashkisë së Pukës, Gjon Gjonaj, tha se Bashkia e Pukës i dha që në krye të herës vlerësimin e merituar Migjenit. Vendosja e shtatores së tij ishte një ogur i mirë, pasi u pasua e po pasohet nga dhjetëra investime për transformimin e qytetit në një qytet evropian.

Migjeni u lind më 13 tetor 1911 në Shkodër, në familjen e një tregtari të vogël, ku shumë shpejt, vështirësive ekonomike, iu shtuan edhe fatkeqësitë familjare.

Jeta me varfëri dhe trishtim padyshim që reflektoi në krijimtarinë e shkrimtarit, i cili i vë këto dy tema në qendër të saj. Në themel të veprimtarisë së Migjenit qëndron aspirata për një botë të re, ku njerëzit e thjeshtë të jetojnë të lirë dhe të lumtur me dinjitet njerëzor dhe pa frikë për të nesërmen. Ky humanizëm aktiv përshkon gjithë veprën e tij.

Personazhet e tij ishin të papunë dhe si të tillë rropateshin gjithë ditën për të nxjerrë kafshatën e gojës; malësorë që qëndronin në zgrip të jetës, të mjerë që nuk u kishte ecur në jetë dhe ishin flakur jashtë shoqërisë.

“Bukën tonë të përditshme falna sot”, “Bukuria që vret”, “Mollë e ndalueme”, “Legjenda e misrit”, “A don qymyr zotni?”, janë disa nga titujt e tij më të njohur. Sigurisht që vargjet në librin e tij “Vargje të lira” përbëjnë një pasuri të konsiderueshme për letërsinë tonë, me të cilët edhe fillon realizmi kritik.

Ai vdiq në moshë shumë të re, kur ishte vetëm 27 vjeçar, në vitin 1938.

Shkrimtari mbanë titullin “Mësuesi i popullit” që iu dha në vitin në vitin 1957.