Ortopedia s’ka përgjigje për sëmundjet që trajton

Prokuroria i ka kërkuar përgjigje Klinikës së Ortopedisë nëse ka pasur gabime nga doktor Visar Nushi gjatë trajtimit të pacientes N. Berisha. Ekipi i specialistëve të Ortopedisë është përgjigjur se në Kosovë nuk ka asnjë skoliolog për të dhënë përgjigje. Në Klinikë kanë trajtuar raste të skoliozës, ndonëse ekspertët nuk kanë përgjigje për këtë sëmundje 

(Vazhdon nga numri i kaluar)

Rasti i pacientes N. Berisha, nga Prishtina, është i pari në historinë e hetimeve të iniciuara nga Prokuroria vendore për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor kur për një fëmijë kërkohet ndihmë juridike ndërkombëtare.

Kjo është bërë nga Prokuroria tek pasi në Kosovë janë dhënë tri mendime profesionale nga institucionet shëndetësore, por që ato nuk i kanë ndihmuar zbardhjes së të vërtetës nëse doktori ortoped Visar Nushi kishte bërë gabime profesionale gjatë mjekimit të pacientes fëmijë. Kjo dilemë është hequr tek pasi ekspertiza e kryer në Klinikën Universitare të Essenit në Gjermani ka konstatuar se doktor Nushi ka bërë gabime gjatë vendosjes së diagnozës dhe të terapisë.

Por, asnjë nga ekspertët vendorë të Ortopedisë e as ata të Mjekësisë Ligjore nuk kanë qenë në gjendje që të japin një vlerësim nëse doktori kosovar Visar Nushi kishte gabuar në ekzaminim. Ndërkohë që në ekspertizën e kryer në Gjermani thuhet se “një specialist i Ortopedisë do të duhej dhe është në gjendje t’i masë deformimet e skoliozës”.

Ortopedët kosovarë hezituan të japin mendim për gabimet e kolegut të tyre

Ndonëse herën e parë është dhënë një mendim nga Klinika e Ortopedisë në QKUK, përmes të cilit mendim Policia ka bërë kallëzimin penal, rasti pastaj është proceduar në Prokurori. Këta të fundit kanë kërkuar mendim mjekoligjor për dëmtimet e pacientes, ku nuk është dhënë përgjigje për dëmtimin eventual të fëmijës.

Pasi Prokuroria nuk kishte marrë përgjigjen e kërkuar nga Mjekësia Ligjore, i është drejtuar Klinikës së Ortopedisë në QKUK, ku ishte formuar një komision që kryesohej nga specialistja e ortopedisë, Vjollca Binçe, dhe dy specialistëve tjerë, Skënder Ukaj dhe Fadil Muhadri. Por ndonëse në Klinikën ku ata punojnë drejtori, Arbër Tolaj, ka konfirmuar se kanë trajtuar raste të skoliozës, asnjëri nga specialistët nuk kanë qenë në gjendje të japin përgjigje në pyetjet e Prokurorisë. Në përgjigjen e tyre të dhënë thuhet se ata nuk janë skoliologë, që do të mundë të japin një përgjigje.

“Ne kemi dhënë ekspertizën tonë. Ne nuk jemi skoliologë”, ka thënë Binçe përmes telefonit, e kontaktuar nga “Zëri”. Ajo ka hezituar të takojë ekipin e gazetës për të dhënë shpjegime shtesë rreth pamundësisë së dhënies së një përgjigjeje për një sëmundje që e trajtojnë në Klinikë.

Ndërkohë që anëtari tjetër i Komisionit, Fadil Muhadri, ka thënë se janë marrë vesh që përgjigjja për këtë çështje të jepet në Drejtorinë e Klinikës.

“Kemi biseduar në mbledhje dhe ne nuk kemi çka themi. Për informata drejtohuni në Drejtori”, ka thënë Muhadri.

Ndërkohë që ortopedi tjetër Skënder Ukaj, anëtar i këtij Komisioni, nuk është paraqitur dhe nuk është përgjigjur në pyetjet e dërguara, pavarësisht insistimeve disaditëshe.

Drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Arbër Tolaj, në anën tjetër ka thënë se kjo kërkesë nga Prokuroria ishte bërë në kohën sa ai nuk ishte drejtor klinike. “Anëtarët e Komisionit mund t’i japin përgjigjet e tyre. Ai është një komision i pavarur”, ka thënë Tolaj.

Avokati Nushi: Mjeku e shpëtoi vajzën nga operacioni

Por disa muaj para se anëtarët e Komisionit ishin shprehur se nuk kishin ekspertizë për të dhënë një përgjigje, ishte doktori ortoped Bahri Gjyshinca ai që kishte marrë përsipër trajtimin e vajzës dhe me matjet e bëra kishte nxjerrë rezultate krejtësisht tjera nga ato që ka bërë Visar Nushi.

Suksesi i Gjyshincës në trajtimin e këtij rasti dhe shpëtimin e vajzës nga operacioni i sigurt ka mahnitur edhe ekspertët gjermanë, që kanë bërë ekspertizën në Klinikën Universitare të Essenit në Gjermani.

Por këto atribute po mundohet t’ia bartë klientit të tij të dyshuar për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor avokati Gazmend Nushi.

“Ekspertiza e mjekut gjerman duhet shikuar si tërësi dhe jo në pjesë të ndara. Fillimisht, është i diskutueshëm legjitimiteti i mjekut gjerman për ta dhënë këtë ekspertizë për një arsye. Komisioni i QKUK-së, i përbërë prej 3 ortopedëve traumatologë që kanë qenë të caktuar prej QKUK-së, sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore për ta bërë ekspertizën profesionale nuk kanë qenë në gjendje të japin vlerësim, por kanë sugjeruar që ekspertiza të bëhet nga një ekspert – skoliolog”, ka thënë avokati Nushi, sipas të cilit,

me leximin e ekspertizës, respektivisht titullit të mjekut gjerman i cili e ka bërë ekspertizën, kuptohet se ai nuk ishte specialist i skoliozës, por ortoped - kirurg.

Por, babai i pacientes Berat Berisha thotë se arsyet që Komisioni i QKUK-së nuk ka dhënë përgjigje duhet hetuar nga organet e ndjekjes, duke përfshirë Policinë dhe Prokurorinë, pasi sipas Berishës, ata kanë provuar të mbrojnë kolegun e tyre Visar Nushin, që është konstatuar në Klinikën Universitare të Essenit të Gjermanisë se ka bërë gabime mjekësore.

Kështu, sipas Berishës, në mungesë të dhënies së një mendimi të pavarur nga ekspertët vendorë lënda është stërzgjatur nga viti 2013 e këtej. “Pres që Policia dhe Prokuroria të mos ndjekë vetëm doktor Nushin për gabimet që tashmë janë konfirmuar në ekspertizë, por edhe stafin tjetër mjekësor që kanë provuar ta vënë në lajthitje Prokurorinë”, ka thënë prindi i vajzës.

Ndryshe, në Nenin 392 të Kodit Penal të Kosovës precizohen sanksionet e parapara për deklarime të rreme.

“Pala, dëshmitari, eksperti në cilësi të dëshmitarit, përkthyesi apo interpreti i cili në procedurën gjyqësore, në procedurën për kundërvajtje, në procedurën administrative, në procedurën para noterit publik ose në procedurën disiplinore jep deklaratë të rreme dënohet me gjobë dhe me burgim deri në një (1) vit”, precizohet në pikën 1, të Nenit 392.